Njohësit e çështjeve politike hedhin dyshime se në zgjedhjet e prillit do të triumfojnë kandidatët më të mirë. Qytetarët sipas tyre, ende besimin ia japin partisë, pa mos mbajtur llogari për karakteristikat dhe gatishmërinë e kandidatëve për të përfaqësuar denjësisht interesat e tyre.
Për profesoren universitare Mirjana Maleska pikërisht në këtë moment vendi ka nevojë për një person unifikues për president.
“Person i cili do të mbështetet dhe pranohet nga partitë parlamentare relevante dhe qytetarët. Person pas të cilit do të qëndrojnë qytetarët maqedonas, shqiptarë, turq dhe të tjerët. Vetëm përmes një uniteti të ndërtuar në këtë mënyrë mund të zgjidhet me kompromis kontesti me Greqinë dhe të fillojnë bisedimet me BE dhe NATO”, shprehet për Portalb, profesorja Mirjana Maleska.
Njohësi i çështjeve politike Afrim Gashi thekson se “për aq kohë sa vota blihet e shitet si mall-tregu me vlerë shumë të ulët, gjendja në Maqedoni nuk do të përmirësohet”.
Sipas Gashit në shoqëritë me demokraci të avancuar, partia dhe kandidatët e tyre duhet të reflektojnë njëra me tjetrën apo të jenë kompatibël mes vete. Por, për shkak se në shoqërinë tonë asgjë më nuk është normale, partitë fare nuk kujdesen se cilin kandidat ua ofrojnë qytetarëve, andaj edhe imponojnë individë të caktuar të cilët thjesht janë më të dëgjueshmit e liderit.
“Kështu ishte ofendim për shqiptarët kur BDI pati propozuar Agron Buxhakun për president, pasi ai dha dorëheqje nga pozita e ministrit për shkak të indikacionit për korrupsion, kurse tani kur PDSH kandidon Iljaz Halimin, gjithashtu është ofendim për shqiptarët sepse ai qartë dhe publikisht është shprehur se nuk i intereson asgjë përtej “gardhit” të Tetovës”, vlerëson për Portalb, Afrim Gashi, njohës i çështjeve politike.
Sipas prefesores Mirjana Maleska, në këto zgjedhje do të fitojë president i cili nuk do të gëzojë legjitimitet të plotë dhe i cili do të zgjidhet në një proces politik shumë të dyshimtë.
Ndërkaq sipas Afrim Gashit, edhe pse kredibiliteti i kandidatit për president është shumë i rëndësishëm, përkatësia partiake përsëri do të jetë faktor determinues.
Sipas Maleskës dhe Gashit, situata nuk do dallojë as rreth kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partitë shqetësim të vetëm kanë si të fitojnë zgjedhjet dhe jo të ofrojnë kandidatët më të mirë.
“Figura e deputetit është e rëndësishme, por zgjedhjet proporcionale imponojnë votim të partisë. Kuptohet, nëse ekziston vullneti, ajo mund të korrigjohet me lista të hapura partiake – por për momentin vullneti për një gjë të tillë nuk ekziston. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk mund të arsyetohen dhe kanë vetëm një motiv: pushtetin”, vlerëson Maleska.
Ajo shton se si qytetarë jemi të manipuluar apo jo të respektuar sa duhet nga ana e politikës dhe politikanëve.
Megjithatë sipas Afrim Gashit, nëse mendojmë se qytetarët nuk janë të pjekur dhe nuk mund të bëjnë dallimin se cili kandidat është më i mirë, atëherë gabohemi sepse ata votojnë duke u bazuar në interesat e tyre, qoftë afatgjate qoftë momentale dhe jo për kandidatët më të mirë.
Sipas tij, kjo është pika ku duhet punuar në edukimin politik të qytetarëve duke i bindur ata se duhet të votojnë për partinë dhe për kandidatët më të mirë, të cilët do të punonin që për të gjithë qytetarët të bëhet mirë. Ata duhet të binden se pa u bërë mirë për të gjithë nuk bëhet mirë vetëm për ata./Portalb
Categories