Categories
Lajme FRI

Karateisti i pamposhtur i Gostivarit

Deri më tani Berat Jakupi është pjesëmarrës i më shumë se 200 paraqitjeve sportive në kampionate të ndryshme, ku ka fituar 140 medalje të arta, 26 të argjendta dhe 23 të bronzta.
 
Shqiptarët vazhdojnë të jenë dominues në sportet luftarake. Një prej tyre pa dyshim është edhe karateisti nga Gostivari, që tash po bëhet me nam botëror, Berat Jakupi.
Karriera e Beratit ka filluar në mënyrën më të mirë dhe paralajmërimi se ai do të jetë një ndër sportistët më të mirë shqiptarë u tregua që në vitin 2000, kur për herë të parë ai paraqitet në një seminar nën emrin “Enver Idrizi 2000”. Atëbotë Berati i kishte vetëm 7 vjeç, ndërsa ky seminar ishte shkëndijë e një “zjarri” të madh që do të flakëronte gjatë karrierës së tij në vitet në vazhdim.
Berati gjatë gjithë kohës sa merret me sportin e karatesë, mban moral të lartë, ka vullnet për punë dhe me plot përkushtim dhe ambicie të larta ai shënon rezultate të jashëtzakonshme. Ajo që e bën Beratin të veçantë është se asnjëherë nuk i nënvlerëson e as nuk i nënçmon kundërshtarët e tij në arenën e luftërave (tatami), or gjithmonë i respekton në kufijtë e të lejuarës, gjë që i ndihmon të dalë edhe fitues.
Më vonë, kur hapet Klubi i Karatesë “Fati” nga Gostivar, që udhëhiqej nga prof. Arlind Huseini. Berati anëtarësohet në këtë klub, ku edhe i fillon mësimet dhe stërvitjet e para të rregullta.
Për suksesin e tij gjatë këtyre viteve ai e rrëfen enkas për lexuesit e revistës “Shenja”, duke thënë se asnjëherë nuk i ka thënë vetes se do ta ketë lehtë. Te ai puna dhe angazhimi, lufta dhe dëshira kanë qenë dhe janë kandil ndriçues në mesin e tani më të mirëve në botë, që natyrisht është shumë e vështirë.
“Rruga gjatë këtyre sukseseve ka qenë shumë e rëndë, pasi bëhet fjalë për 13 vite punë në vazhdimësi dhe shumë sakrificë derisa kam arritur këto rezultate. Unë tani jam 20 vjeçar. Karateistët në përgjithësi garojnë deri në moshën 30-vjeçare, andaj unë gjatë kësaj periudhe 10-vjeçare synoj që një herë të bëhem kampion i botës. Me ndihmën e Zotit mendoj se ky sukses nuk do të mungojë, pasi e di shumë mirë potencialin tim. Mua gjatë këtyre 10 viteve nuk do më mbetet gjë, pos që ta jap maksimumin në stërvitje dhe  të jem i përgatitur, duke shpresuar që të mos kem asnjë lëndim”, shprehet Berati.
Sukseset
Deri më tani Berat Jakupi është pjesëmarrës i më shumë se 200 paraqitjeve sportive në kampionate të ndryshme, ku ka fituar 140 medalje të arta, 26 të argjendta dhe 23 të bronzta. Berati ka zhvilluar rreth 565 luftëra sportiven të tria kontinentet: Evropën, Azinë dhe Afrikën.
Berat Jakupi radhitet në pozitën e pestë në ranglistën më të re të Federatës Botërore të Karatesë. Anëtari i Klubit të Karatesë “Fati”, me rezultatet e tij të mëdha të njëpasnjëshme, duke mbrojtur ngjyrat e përfaqësueses së Maqedonisë, ka arritur të pozicionohet në pesëshen më të mirë.
Gjatë renditjes merren parasysh sukseset nga kampionatet vendore, ballkanike, mesdhetare, universitare, evropiane dhe botërore. Jakupi në disiplinën KUMITE ose lufta te juniorët në kategorinë +78 kg nga 130 garues ka zërë vendin e pestë, që gjithsesi paraqet një sukses të madh.
Gostivarasi qëndron mirë edhe te renditja e sendorëve, ku garon tanimë një vit e gjysmë dhe në mesin e 454 garuesve, ai e mban vendin e 22-të. Sukseset e njëpasnjëshme të Berat Jakupit kanë ndikuar edhe në renditjen e Maqedonisë, e cila nga 138 shtete anëtare të Federatës Botërore të Karatesë, zë pozitën e 18-të.
Berati i të ardhmes 
Edhe pse vetëm 20-vjeçar, Berati para vetes ka një karrierë goxha të ndritshme, ndërsa tani është momenti që ai të dëshmohet edhe në kategorinë e seniorëve. Është herët për të folur për një fund, por rëndom sportistët mendojnë se çka në fakt do të punojnë pas angazhimit profesional në gara. “Akoma nuk e kam menduar çka pas karrierës si garues. Për momentin jam i përqendruar si garues dhe paralel po i ndjek edhe studimet. Për një gjë jam i sigurt – se do të mbetem në sportin e karatesë, pasi këtu e gjej rehatin shpirtërore”, shprehet për “Shenja” Berat Jakupi.
Gjithsesi se sportistët kanë dhe momente kur nuk e arrijnë atë që e synojnë, ndërsa shpeshherë ndodhë që edhe të dëshpërohen, gjë që mund të ndikojë negativisht në kthimin e tyre. I tillë nuk është Berat Jakupi. Më i forti nga Gostivari tregon se ai edhe nëse nuk e arrin atë që e ka synuar, ai ngrihet shpejt dhe vazhdon të punojë për suksesin e radhës.
“Sportisti nuk duhet të dëshpërohet, por gjithsesi nuk duhet harruar se edhe në jemi krijesa dhe ka momente kur mundë të na bie disponimi. Në arenë ndodh rrallë të dëshpërohem, por edhe në jetën private rrallë më ndodh kjo. Nuk kam kohë për t’u dëshpëruar…. unë pas çdo gare, pa marrë parasysh se si ajo do të kishte përfunduar, e mbaj kokën lartë dhe gjithmonë e synoj suksesin…. kjo më bën edhe më të fortë, kjo më bën që të jem personalitet që dëshpërimin e largoj me punë”, thotë Jakupi.
Rezultatet e Berat Jakupi vit pas viti:
Kampion shtetëror (12 herë radhazi)
Kampion mbarëkombëtar (Tiranë 2007)
Kampion ballkanik Bukuresht, dy herë në Kragujevc, Balikeshir, Larnaka
Kampion evropian Paris 2009, Izmir 2010
Kampion mesdhetar Bari (Itali) 2011
Kampion shtetëror (senior) 2012/ 2013
Kampion mbarëkombëtar (senior) Tiranë 2012
Kampion Evropian /U21 Konia 2013
Nënkampion Evropian (senior) Budapest 2013
Kampion evropian për universitete Budapest 2013
I treti në kampionatin botëror U21 Guadalajara 2013

Exit mobile version