Valter Gjoni rinxjerr nga arkivat karikaturën politike. Shqipëria si një vajzë e bukur lufton kundër një leopardi, një majmuni dhe një gjarpri.
Plot 100 vite më parë, një karikaturë ka bërë xhiron e botës. Është botuar në Amerikë, Francë, Rumani… ishte viti 1913.
Shqipëria ishte veçse një shtet motak, që në konferenca ambasadorësh po copëtohej çika-çika për t’u mbyllur gojën ballkanasve poteremëdhenj. Ishte atëherë kur një ambasador amerikan idealist hedh në qarkullim një karikaturë apo një grafikë politike. Tepër provokuese. Shqipëria paraqitet si një femër e bukur e veshur me xhubletë e opinga, me gërsheta të gjatë, që në njërën dorë mban një shpatë, në tjetrën një kobure, drejtuar përkatësisht “Grekut”, i personifikuar si një leopard ngritur mbi dy këmbë, duke kafshuar shpatën dhe Malit të Zi, paraqitur si një majmun i zi.
Rrotulluar nëpër këmbë është një gjarpër, pranë të cilit lexohet “Serbi”. I apasionuar pas arkivave, studiuesit Valter Gjoni i ra në dorë kjo karikaturë. Rruga për të deshifruar firmën në skaj të karikaturës e çoi te tri personalitete: ambasadori amerikan George F. Williams, fotoreporteri frankozviceran, Robert Vaucher dhe ish-kryeministri rumun, Nikolla Jorga (Nicolae Iorga).
I pari që e ka përdorur këtë karikaturë në shkrimet në shtypin e kohës dhe botimet tij mbi çështjen shqiptare, ishte ambasadori amerikan në Greqi e Shqipëri, George F. Williams. Janë të gjitha gjasat që ai të jetë edhe autor i kësaj karikature. Më pas, kjo karikaturë është përdorur edhe nga fotoreporteri i luftës, Robert Vaucher, si dhe politikani rumun, dashamirës i shqiptarëve, Nikolla Jorga. Sipas Gjonit, kjo karikaturë nuk ka përse të mbahet e fshehur… (Gazeta Panorama)