Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka propozuar Beit Hanina si kryeqytet për palestinezët, në vend të  kërkesës së palestinezëve që kryeqytet ta kenë Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e ka pushtuar në luftën e vitit 1967, raportoi gazeta palestineze Al – Quds të mërkurën.
Beit Hanina gjendet në veri të qytetit të vjetër, në rrugën për në Ramallah.
Sipas gazetës, propozimi i Kerryt për kryeqytetin palestinez së bashku me sugjerimet e tij të tjera, ka inatosur presidentin palestinez Mahmoud Abas, i cili i zemëruar u largua nga takimi i tij me Kerryn javën e kaluar, duke kërcënuar se do të hedhë poshtë kornizën për marrëveshje.
Kerry, është thënë se ka miratuar krejtësisht pozicionet izraelite, duke përfshirë edhe kërkesën që palestinezët të njohin Izraelin si shtet hebre dhe mbajtjen e dhjetë blloqeve të ndërtimeve izraelite në Bregun Perëndimor si pjesë e shkëmbimit të territoreve.
Kerry, gjithashtu, ka lënë të kuptohet se Lugina Jordan nuk do të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez dhe nuk pranoi të ketë ndonjë prani ndërkombëtare në territoret palestineze, pas tërheqjes së Izraelit./mesazhi/