Në organizim të shtëpisë botuese “Logos – A” dhe të lëvizjes Vetvendosje! u promovua monografia “Shkupi” e autorit Kim Mehmeti.
Në praninë e pjesëmarrësve të shumtë këtë takim midis dashamirëve të fjalës së shkruar dhe të autorit Kim Mehmeti, e moderoj nënkryetari i Kuvendin të Republikës së Kosovës, njëherit deputet i lëvizjes Vetvetndosje!, Glauk Konjufca.
Me këtë rast, Kim Mehmeti u shpreh se që nga kohët e hershme të rinisë së tij ai i ka pasur dy dëshira që t’i realizojë në fushën e krijimtarisë: e para ta përkthej Kanunin e Lekë Dukagjinit, në mënyrë që popujve të tjerë t’u prezantohet e vërteta se kur shqiptarët kanë jetuar sipas rendit dhe ligjeve, paraardhësit e tyre kanë mundur të jetojnë të varur nëpër degë, dhe e dyta, siç u shpreh autori, të reflektojë në mënyrë kronologjike historinë e Shkupit, i cili ishte dhe duhet të mbetet djep i shqiptarisë, transmeton Almakos.
“Unë nuk jam historian, por jam përpjekur që përmes narracionit të shpalosi deri tek lexuesit historinë e Shkupit, duke u mbështetur në faktet historike të cilat kam arritur t’i grumbullojë”, u shpreh Mehmeti me këtë rast.
Ai shtoi se në ditët e sotshme Shkupi rrezikon të shndërrohet në një Mitrovicë të dytë, të ndarë përmes me lumin e Vardarit, ku në njërën anë jetojnë pjesa ku kjo qeveri aspak nuk investon – shqiptarët, ndërsa në anën tjetër, aty ku një përmendore arrin shifra sa me vite të tëra nuk është investuar në lagjet shqiptare, të jetojnë maqedonasit.
Mehmeti u shpreh se e rëndësishme është që një popull ta lexojë kalendarin e tij dhe me veprimet e veta t’u paraprijë proceseve.
“Sot ne nuk kemi arsye që të dëshmojmë se Tetova është e jona, sepse edhe ashtu ajo është e jona dhe këtë e dinë të gjithë. Sot boshti i shqiptarisë duhet të dëshmohet në Shkup. Ne nuk duhet të presim që dikush të na jep Shkupin, sepse ai është i joni. E që të jete Shkupi i yni duhet ta kuptojmë se sot çdo shqiptarë i Maqedonisë duhet te jete pak “shkuptar”.
Edhe të pranishmit patën rastin të shprehin pikëpamjet e tyre si dhe të shtrojnë pyetje të ndryshme për autorin dhe moderatorin e këtij takimi, Glauk Konjufca./Almakos