Autoritetet kineze kanë vendosur të premten një kontroll të rreptë në kryeqytetin e krahinës Xinjiang, në prag të përvjetorit të katërt të trazirave të përgjakshme ku u vranë mbi 200 njerëz, raportojnë mediet shtetërore.
Në internet shihen postime të shumta të forcave të sigurisë në Urumqi, ku në vitin 2009 u konfrontuan pakica myslimane Ujgure me shumicën Hane kineze.
35 veta kanë vdekur javën e shkuar në këtë rajon, gjatë dy incidenteve, ndërsa autoritetet janë zotuar se do të thyejnë, atë që quajtën si “terrorista”.
“Me helmeta, dhe të pajisur me armë të gjata, ushtarët patrollojnë zonën”, shkruan gazeta shtetërore Global Times, duke e përshkruar gjendjen në Urumqi si “të shtrënguar me masa ta papara sigurie që nga viti 2009”.
Sipas këtij mediumi në terren shihet një “prani e madhe e forcave policore, ndërsa veturat policore mund të vërehen në çdo udhëkryq në Urumqi”.
Kina zakonisht shton praninë e patrollave policore në përvjetorin e trazirave më 5 korrik, por kjo gazetë shkruan se “incidentet e javës së kaluar, i ka bërë autoritetet jashtëzakonisht vigjilente”.
Përvjetori i sivjemë, ndërkaq koincidon edhe me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.