Kisha Ortodokse Serbe, si zakonisht, edhe kësaj radhe u distancua nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, e cila u vlerësua si marrëveshje historike mes shqiptarëve dhe serbëve pas një konflikti të gjatë më shumë se një shekull. Ky nuk ishte vetëm distancim, por edhe thirrje e qartë nga instanca më e lartë e Kishës Ortodokse Serbe, e që është Sinodi i Shenjtë drejtuar popullit serb për t’iu kundërvënë iniciativës së qeverisë serbe për arritjen e marrëveshjes në fjalë. Këtë më së miri e ilustron komunikata zyrtare, e botuar në faqen zyrtare të KOS-it, si dhe e shpërndarë në të gjitha mediet serbe, që mban titullin: “Apel qeverisë serbe dhe popullit serb me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit”.
Kështu pra në apelin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, përveç tjerash thuhet se marrëveshja e Brukselit për Kosovën është “dorëzimi i territorit tanë shekullor dhe më të shenjtë”, në mënyrë direkte apo në heshtje pranimi faktik i shtetit të Kosovës dhe tërheqjen e Serbisë nga krahina e saj jugore. Sinodi në komunikatën e nënshkruar nga patriarku Irinej përmend se në Bruksel është nënshkruar teksti i marrëveshjes “për normalizimin e principeve të marrëdhënieve “ mes “Beogradit” dhe “Prishtinës” , i cili në çfarëdo mënyre është eufemizëm në vend të “Serbisë dhe Kosovës”.
“Pas pagesës së një çmimi shumë të lartë për ‘datën famoze të fillimit të bisedimeve’ të cilat do të shoqërohen edhe me kushedi sa e sa kushtëzime tjera, me përfundime të panjohura, kurse çmimi për hyrjen eventuale të Serbisë në BE, do të jetë njohja formale e “pavarësisë së Kosovës” nga ana e qeverisë së Serbisë, si dhe obligimi i saj për të mos penguar ‘Kosovën ta fitojë karrigen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’ , shkruan në komunikatën e Kishës Ortodokse Serbe. Sinodi pastaj vazhdon si duket se ne jemi para një dorëzimi, në një mënyrë apo tjetër shitjes së “tokës sonë shekullore, e në aspektin shpirtëror e historik të territorit tonë më të shenjtë”.Fjala është për pranimin në mënyrë direkte apo në heshtje, ekzistimin e funksionimit të sistemit shtetëror në Kosovë e Metohi, të pavarur nga sistemi shtetëror i Serbisë.
“Çështja është vështirësuar me pranimin e pushtetarëve serbë në procesin e ‘integrimit evropian’ të “Kosovës së Thaçit”, shkruan në komunikatë, në të cilën thuhet se qeveria serbe ka nënshkruar marrëveshje me kryeministrin Hashim Thaçi, “personin që është në listën e të kërkuarve për krime lufte të iniciuar nga vetë Serbia”.
“Ne mendojmë se për një marrëveshje të këtij lloji, ndarja e territoreve do të ishte zgjidhje më e mirë, më e drejtë dhe më e qëndrueshme. Po ashtu pyesim çka kërkoi delegacioni ynë i lartë shtetëror në Moskë, pak ditë më parë, kur ai kishte ndërmend të pranonte ‘maksimumin e mundshëm’, që është më pak se ‘minimumi i dëshirueshëm’, në aspektin e interesit elementar shtetëror dhe nacional të Serbisë”, thuhet në komunikatën e Sinodit. Sinodi i shenjtë i Kishës Ortodokse Serbe apelon tek deputetët e Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i serb, Tomisllav Nikoliqi, që para Zotit, historisë së kombit serb dhe ndërgjegjes së tyre ta masin dhe ta peshojnë përgjegjësinë e tyre morale dhe historike me rastin e votimit të tyre pro apo kundër,sepse këtë e bëjnë në emër të shtetit serb për marrëveshjen e Brukselit.
“Në të njëjtën kohë kërkojmë nga populli serb, i cili qëndroi dhe mbijeteoi në vatrat e tij shekullore të Kosovës e Metohisë, si dhe nga i tërë kombi serb, kudo që ai jeton, cili do qoftë vendimi udhëheqjes më të lartë të shtetit të Serbisë, të mos pranojë diktatin e forcës dhe padrejtësisë, por që Kosovën gjithnjë ta konsiderojë tokën e tij, duke mos mohuar, në asnjë mënyrë, se ajo është edhe tokë e atyre shqiptarëve, të cilët në të kanë jetuar me shekuj së bashku me serbët”, thuhet përveç tjerash në komunikatën e Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe. Komunikata përfundon- Kisha Ortodokse Serbe ashtu si çdoherë do të mbetet me popullin e saj dhe në vendet e shenjta të saj në Kosovë e Metohi. Edhe pse qeveritarët serbë dinë që në takimet e tyre me prijësit e tyre shpirtërorë të tregojnë respekt, duke ua puthur duart, si dhe të marrin mendimin e tyre, kur janë në pyetje çështje me rëndësi për vendin, por kësaj radhe kryeministri Daçiq nuk mundi ta përmbajë veten. Sipas medieve serbe ai i ishte përgjigjur patrikut Irinej se ne e kemi mbajtur Kosovën deri në vitin 1999, kurse ju patrikët e keni lëshuar atë qysh në vitin 1690, duke dhënë shenjë për veprimin e Arsenije Carnojeviqit që në historinë serbe njihet si “shpërngulja e madhe serbe nga Kosova”. Pa i marrë parasysh mospajtimet e tyre, ato janë taktikë e njohur e establishmentit serb qoftë ai politik apo fetar. Mirëpo, është i pakuptueshëm për shumëkënd qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, kur dihet se ajo është përfituesja më e madhe nga pakoja e presidentit Ahtsari në Kosovë dhe në vend se ajo sot të jetë në krye të institucioneve serbe për normalizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve dhe ndërtimin e urave të paqes, duke i denoncuar krimet e bashkëkombësve të tyre në Kosovë, gjë që është parimi kryesor i çdo feje, ne habitemi se si Daçiqi e Nikoliqi kanë bërë së paku një hap përpara kurse prijësit e Kishës Ortodokse Serbe kanë mbetur në të njëjtat pozita aty ku ishin para luftës?!
Categories