Categories
Lajme

Kodi i Etikës, ndalimet që u bëhen ministrave

Qeveria ka publikuar vendimin e marrë në mbledhjen e parë të saj, që ka të bëjë me Kodin e Etikës.
Në vendimin prej rreth 20 faqesh, midis të tjerash u kërkohet ministrave që të zbatojnë Kushtetutën e vendit, si dhe ligjet dhe marrëveshjet në fuqi. Në pikën 8 të kreut të Parë, në pjesën për Konfliktin e Interesit, thuhet se “Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të parandalojë, si dhe të marrë të gjitha masat për ndërprerjen e gjendjes së konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të tij privatë”.
Gjithashtu, Kodi kërkon që “Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin dhe vendimmarrjen e një çështjeje, nëse ka interes personal ndaj saj ose, në çdo rast tjetër, kur vërtetohen arsye serioze njëanshmërie”.
Një pikë tjetër, ka të bëjë me vendimet që merren nga një ministër, vendim i cili siç thuhet nuk është i nevojshëm informimi i ministrave të tjerë, siç thuhet “kjo gjë lihet në diskrecionin e ministrit përkatës”. Për sa i përket dokumenteve politike, thuhet se ministri nuk mund të bëjë publike mendimet në lidhje me çështje, të cilat paraprakisht janë ose mund të jenë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Në Kod, parashihet edhe sjellja e ministrit ndaj personelit që drejton. “Të jetë shembull i mirësjelljes si dhe t’u përmbahet me rregullshmëri, përveç legjislacionit, edhe këtij kodi, dhe kodeve/rregulloreve të etikës, veshjes dhe sjelljes, që do të miratohen në çdo ministri; të respektojë personalitetin, mendimet, si dhe të nxitë bashkëpunimin e personelit e, njëkohësisht, të ruajë edhe të drejtën e vendimmarrjes;. të vlerësojë në mënyrë të barabartë, objektive dhe efikase, sjelljen e secilit prej anëtarëve të personelit; të mbrojë të drejtat e personelit dhe në asnjë mënyrë të mos i kufizojë ato; t’i ofrojë personelit mundësi të barabarta të ngritjes profesionale dhe motivim për ngritjen e efektivitetit në punë”, thuhet në Kod. Ndalimet
Anëtarit të kabinetit qeveritar i janë vendosur në Kod edhe disa ndalesa, megjithëse edhe më parë me ligj janë bërë ndalime të tilla, ndërsa zbatimi i tyre ka qenë pjesa më e “paarritshme”.
“Anëtarit të Këshillit të Ministrave, në ushtrimin e veprimtarisë së tij, i ndalohet: të kërkojë apo të pranojë shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me vendime të marra gjatë ushtrimit të funksionit; të fitojë ndonjë të drejtë apo të pranojë premtim për fitimin e saj, në rastet kur shkelet parimi i mosdiskriminimit; të keqpërdorë autorizimet/delegimet të cilat rrjedhin nga ushtrimi i funksionit të tij publik; të kërkojë, të përvetësojë, të pranojë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, dhurata, sende me vlerë apo shërbime, në kompensim të votës së tij në vendimmarrjen kolegjiale apo në vendimmarrjen e tij individuale; të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo organi për arsye të përfitimit material personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta; të premtojë punësim apo ndonjë të drejtë tjetër, në këmbim për dhuratë apo premtim dhurate”, thuhet midis të tjerash.
Gjithashtu, ministrit i ndalohet “të ndikojë në dhënien e pasurive apo të fondeve publike të tretëve, për interes personal; të shfrytëzojë për interes personal informacione të cilat ai i posedon për shkak të funksionit; të ndikojë në vendimmarrjen e organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive, duke shfrytëzuar postin e tyre me qëllim të përfitimit personal, të familjarëve të tij apo të personave të lidhur me ta; të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i vijnë përshtat interesit të tij personal, interesit të familjarëve të tij apo personave të lidhur me ta; të marrë vendime/të ndërmarrë veprime të cilat do të ndihmonin apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër, në dëm të interesit publik”. Në nenin 13, thuhet se “anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të përdorë pasuritë publike që i janë vënë në dispozicion për ushtrimin e funksionit, për interesa privatë dhe/ose politike”. Edhe kjo pikë është e sanksionuar me ligj deri më tani, megjithëse janë jo të pakta rastet kur përdorimi i punës dhe veçanërisht i automjeteve shtetërore për qëllime private.
Pjesa që është kritikuar më shumë nga opozita, ka të bëjë me marrëdhëniet me mediat, pra me publikun e gjerë. Në nenin 14, thuhet se: “Veprat publike dhe çdo produkt i veprimtarisë qeveritare, që realizohet me fonde publike, mund të përdoren për publicitet dhe në reklamat e qeverisë, por nuk duhet të prezantohen si meritë e një apo disa partive politike”. Ndërsa në nenin pasardhës, që ka të bëjë me intervistat dhe fjalimet, kërkohet që të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave.
“Në mënyrë që të garantohet bashkërendimi i efektshëm i punës së kabinetit qeveritar, për përmbajtje dhe kohën e të gjitha prononcimeve madhore, fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe nismave të reja duhet, për sa është e mundur, të merret pëlqimi i Zyrës së Komunikimit, pranë Këshillit të Ministrave. Anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të bëjë kujdes që deklaratat e tij të përputhen me programin dhe qëndrimet politike të qeverisë. Ai duhet të tregojë kujdes të veçantë gjatë trajtimit të tematikave, të cilat hyjnë te përgjegjësitë dhe kompetencat e ministrive të tjera. Në një rast të tillë, përpara se të prononcohet, ai duhet të informohet dhe të sqarojë çështjen me ministrin përkatës”, thuhet në vendim. Gjithashtu, thuhet se ministri mund të botojë komente dhe opinione në media, me kusht që pagesat e marra të shkojnë për organizatat sociale. “Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të pranojë asnjë formë pagese për fjalimet, komentet ose artikujt e natyrës zyrtare apo që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë apo përvojën e tij si anëtar i qeverisë, të cilat botohen në media të ndryshme”, thuhet më tej.
Gjithashtu, ministri e ka të ndaluar të marrë dekorata nga një vend tjetër, si dhe të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen, për shkak të pozicionit të tij, nga një person, fizik ose juridik, privat. Në pjesën e udhëtimeve, ministri nuk duhet ta përdorë transportin zyrtar për udhëtime që lidhen me çështje partiake dhe qëllime private.
Për të gjitha shkeljet që mund të bëhen, ndaj ministrit mund të merren disa masa disiplinore, si vërejtje, paralajmërim për shkarkim nga detyra si dhe fillimin e procedurave për shkarkim nga detyra. /S.Lleshi/ Start/

Exit mobile version