Categories
Lajme FRI

Koha e rilindjes kombëtare shqiptare në Turqi

Isa Mulaj

 
Turqia është shteti me numrin më të madh të shqiptarëve në botë. Stambolli më 1850 kishte 60.000 shqiptarë (mbi 4 herë më shumë se Prizreni) dhe sot mbetet qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve. Shqiptarët në Ballkan duhet t’i shikojnë shqiptarët e Turqisë dhe Turqinë siç e shohin hebrenjtë e Izraelit SHBA-në, bullgarët e Maqedonisë Maqedoninë, dhe serbët e Republikës Serbe Serbinë. Shqiptarët nuk kanë tjetër aleat të ngushtë më të madh pos Turqisë dhe SHBA-së. Të gjithë ata shqipfolës që shajnë e bërtasin kundër Turqisë, do të ishte rast analog po që se hebrenjtë e Izraelit të shanin SHBA-në, çka në realitet është e pamundur për izraelitët. Gjersa shqiptarët në Perëndim janë duke ikur nga identiteti i tyre kur i ndërrojnë emrat nga Hajdar në Hary Bajraktari, në Shqipëri dhe Kosovë u ngjesin fëmijëve emra “shitoresh multi-etnike” që nuk dihet të cilit nacionalitet janë, shqiptarët në Turqi mbajnë emrat origjinal si Almeda Abazi dhe u kthehen mbiemrave të trojeve prej nga kanë emigruar si: Kosova, Ipek, Presheva, Toplica, Mitrovica, Gjilan. Kjo duhet të jetë periudha e rilindjes së dytë kombëtare, sepse edhe ajo që e njohim si rilindje, ka ardhur nga shqiptarët e atij drejtimi, pra nga Stambolli. Ata që janë kundër kësaj rilindje dhe fëlliqin me gojë kundër shtetit ku jeton numri më i madh i shqiptarëve, duhet t’i fusni në lista me emër e mbiemër si sabotues dhe antikombëtarë, dhe duhet të ndiqen si armiq të kombit. Shqiptarët në Perandorinë Osmane ishin bashkësundues, i zgjeruan territoret e veta në të katër anët, dhe fama e tyre kishte arritur zenitin. Sot, shqiptarët në Ballkan nuk kanë forcë ajrore, por ata në Turqi kanë.
Në vijim po u sjelli fjalimin tim nga Simpoziumi i mbajtur më 1 dhjetor para 700 studiuesve në Stamboll. Simpoziumi ishte organizuar nga Shoqata e Mësimdhënësve Ndërkombëtar dhe Udhëheqësve të Arsimit.
Mehmet Akif Ersoj, tekstet e historisë dhe letërsia shqipe në Kosovë
Është një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë për mua sot të jem i pranishëm në mesin tuaj këtu në Stamboll për herë të parë në jetën time, në qytetin i cili që nga viti 1850 është vendbanimi me numrin më të madh të shqiptarëve në botë.
Vij nga familja, një pasardhës i së cilës e ka shkruar himnin e sotëm të Turqisë. Po ashtu, vij nga shteti i cili ende nuk ka ushtri te veten dhe në të gjenden ushtarët e huaj, por vij nga familja që ka dhënë dy anëtarë në luftë për Republikën e Turqisë. Njëri quhej Selim, që njihej në fshatin Shushicë si asker i mbretit dhe luftëtar trim që kishte shërbyer në Vilajetin e Kosovës, i cili më 1913 ishte rekrutuar në luftërat përreth këtij qyteti ku jemi sot dhe në Çanakala. Ai shërbeu në armatën e pestë, divizionin e 19-të të korpusit të III-të që udhëhiqej nga Mustafa Kemali, i cili, siç e dini, ishte promovuar në këtë pozitë komanduese të divizionit në fjalë nga atasheu ushtarak i Perandorisë Gjermane, Otto Liman von Sanders. Anëtari tjetër quhej Nazif dhe ishte kapiten i Flotës së Dardaneleve gjatë Luftës së Turqisë për Pavarësi. Selimi ishte djali i Halitit, nipi i Tahir Efendiut ose babait të Mehmet Akifit, ndërsa Nazifi nipi i Selimit. Nga gjashtë djem sa i kishte Haliti, vetëm Shabani ose më i madhi kishte mbetur në fshatin Shushicë dhe ka lënë pasardhës, prej nga e kam prejardhjen unë. Djali i dytë Rexha dhe i pesti Misini kishin emigruar në Turqi dhe nuk kemi informata se ku mund të ndodhen pasardhësit e tyre. I treti Selimi dhe i gjashti Zeneli nuk kanë lënë pasardhës, ndërsa i katërti Hajredini (që është emër i ripërtërirë i gjyshit të Mehmet Akifit), ka pasur vetëm një djalë, Nazifin ose këtë kapitenin e flotës së Dardaneleve që ka e mbyllur jetën në Turqi, por nuk e dimë se kur. Këto janë migrimet e familjes Mulaj pas Tahir Efendiut, respektivisht nipave të tij.
Sot unë nuk kam ardhur këtu t’iu tregoj apo t’a pyes ndokënd prej jush se ku janë e ku s’janë të shpërndarë pjesa më e madhe e familjes së Hajredin Mulajt ose babait të Tahir Efendiut, edhe pse e di se ata janë shumë më në numër në Turqi se sa që kemi mbetur ne në Kosovë. Shpresoj se këtë do ta bëjmë së bashku ndonjëherë tjetër. Qëllimi im nuk është as t’iu tregoj diçka rreth veprave të Mehmet Akifit pasi shumica prej jush këtu mund t’i keni studiuar dhe i njihni ato më mirë se unë, por t’iu tregoj se çka nuk kemi ditur ne si familje, institucionet arsimore të Kosovës dhe Shqipërisë për Mehmet Akif Ersojin, në kohën kur pjesa më e madhe e botës kishte njohuri të bollshme për të. Kjo mos njohuri e jona rreth tij, është njohuria më e madhe që ju mund ta merrnit nga unë deri në vitin 2000. Në fillim të këtij fjalimi unë e theksova se vij nga një familje, shteti i së cilës nuk ka himn të vetin, por njëri nga pasardhësit e kësaj familje më 1921 e ka shkruar Himnin Kombëtar të Turqisë. Kjo mund të duket ironike, por e vërteta është kjo: para se ta shkruaj Marshin e Pavarësisë për Turqinë, Mehmet Akifi kishte shkruar, siç i quaj unë “disa himne kombëtare” ekskluzivisht të lidhura për shqiptarët, me një vlerë shumë të rrallë dhe mësime të qarta si për të kaluarën ose atë kohë, ashtu edhe për të sotmen dhe të ardhmen, por që historia dhe letërsia shqipe qëllimisht apo nga mos dija i ka anashkaluar në tërësi, si veprat ashtu dhe vetë autorin e tyre. Paraqitja shumë e thellë e identitetit dhe mentalitetit shqiptar në poezitë e Mehmet Akifit, fatkeqësisht ende nuk ka depërtuar nëpër institucionet arsimore shtetërore të shqiptarëve, madje ai as që përmendet kund si personalitet. Po them fatkeqësisht, sepse çdo studiues i huaj kur analizon poezitë e tij për shqiptarët, është në gjendje t’i kuptoj këta si kolektiv më mirë se sa që vetë shqiptarët sot janë në gjendje t’ua përshkruajnë vetveten.
Një prej befasive të mia ishte kur në enciklopeditë anglisht për Mehmet Akifin kam hasur në këtë vlerësim: “Botërisht i cilësuar si një prej mendjeve më të spikatura letrare të kohës së tij”. Kur mendoja se sa e sa shkrimtarin e huaj me lloj-lloj vjershash, tregimesh, përrallash dhe mitologjish i kisha mësuar në shkollë, dhe në mesin e tyre askund nuk figuron Mehmet Akifi me gjithë atë bagazh kontributi shumë domethënës për shqiptarët, më është dukur tmerr. Ky tmerr më ka detyruar të filloj ta shkruaj një punim. Shumë shpejt e kuptova se një punim nuk mjafton dhe duhen disa punime të cilave në turqishten e vjetër u thonë Safahat që është kryevepra e Mehmet Akifit, pra veç ekziston një Safahat dhe s’dija si ta emërtoja, pos ta quaja Safahat 2! Sidoqoftë, punimin vendosa ta bëjë libër i cili është në proces dhe mban titullin: E vërteta historike dhe origjinaliteti si mollë e ndaluar: pasojat e censurës, indoktrinimeve dhe propagandës komuniste, në të cilin jam duke e përdorur qasjen ontologjike dhe epistemologjike. Përpos Mehmet Akifit, libri gjurmon edhe aspekte tjera të historisë së shqiptarëve, të cilat në një pjesë janë shtrembëruar e sajuar, e në pjesën tjetër janë censuruar për interesa të politikës dhe rrjedhave historike.
Unë sot po u drejtohem juve në gjuhën angleze, e cila nuk është gjuhë amtare as e imja, e as e shtetit ku po mbahet kjo konferencë. Gjuhët e ndryshme nuk duhet të jenë shkaqe për të krijuar dallime ndërmjet nesh këtu, dhe këtë më së miri na e vërteton poema e Mehmet Akifit me titullin “Unë jam shqiptar” e shkruar më 1913 pas përçarjes ndërmjet shqiptarëve dhe xhonturqve që solli edhe luftën ndërmjet tyre, ku humbës dolën të dyja palët, barrën e tragjedisë më të madhe e përjetuan shqiptarët, ndërsa përfitues në kurriz të tyre ishin palët e treta. Duke e ditur se cili ishte epilogu i kësaj lufte, Mehmet Akifi kishte të drejtë, ndërsa shqiptarët dhe xhonturqit e kishin gabim. Prandaj, ne që jemi këtu, pavarësisht se kemi gjuhë të ndryshme, kemi shumë gjëra të përbashkëta që na bashkojnë, madje edhe dallimet gjuhësore na bashkojnë.
Zonja dhe zotërinj. Këto dhe shumë shembuj tjerë të panumërt, jam duke i hulumtuar në libër. Librin po e shkruaj në shqip, por do ta botoj jashtë Kosovës, sepse statusi i gjuhës shqipe me kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk është aq i qartë. Gjuha shqipe në Kosovë nuk është gjuhë shtetërore sikur turqishtja në Turqi apo persishtja në Iran, por është vetëm njëra prej gjuhëve zyrtare si serbishtja dhe anglishtja. Përveç kësaj, në gjuhën shqipe sot në Kosovë botohen shumë libra që përmbajnë edhe të pavërteta. Për librat e këtij lloji mund të kërkoni financim nga institucionet e Kosovës, dhe sigurisht se do ta merrni atë. Këtë të vërtetë do t’ua vërtetoj në librin tim që jam duke e shkruar, i cili në mes tjerash bënë një analizë kritike te teksteve shkollore nga lënda e historisë në Kosovë. Tekstet në fjalë përmbajnë, nëse nuk është shprehje e ashpër ta përdori, edhe shumë gënjeshtra, jo vetëm nga historia, por edhe nga realiteti i sotëm që shihet me sy. Nuk kam kohë këtu të hyjë në shumë detaje pasi ato do t’i keni në libër kur ta përfundoj e botoj. Por ajo që dua të them është se kudo që shikon nëpër tekstet shkollore të historisë në Kosovë, nuk po them se ka vetëm paqartësi ose gabime, por edhe gënjeshtra. Për shembull, në këtë libër të historisë që e kam këtu, Historia 7, shkruan se Galipoli gjendet në Bullgarinë e sotme, në këtë tjetrën ose Histori6 6, Karpatet janë male që ndajnë Evropën me Azinë. Në tjera që s’i kam marrë me vete mund të shkruaj se Barak Obama ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës, apo edhe se Hakan Shykyr e ka zbuluar pushkën automatike AK-47! Juve u duken këto gjëra shumë qesharake dhe u bëjnë të gjithëve të qeshni, por mua, pa hyrë në detaje të atyre pjesëve ku trajtohet historia e Kosovës dhe shqiptarëve gjatë Perandorisë Osmane e ku ka të pavërteta të shumta, janë shumë shqetësuese dhe më bëjnë të qaj, sepse, nxënësit në Kosovë për të marrë notë kaluese nga lënda e historisë, duhet t’i mësojnë këto gjëra ashtu si u shërbehen. E vërteta është se autorët e këtyre të pavërtetave paguhen dyfish në të njëjtën kohë; një herë si autorë, e herën tjetër si mësimdhënës ose punonjës, në vend se të japin llogari. Unë mund të kem të drejtë të them se Stambolli është kryeqytet i Brazilit, dhe me këtë nuk kam përgjegjësi ndaj jush dhe nuk e dëmtoj askënd këtu, por ata në Kosovë paguhen për t’i detyruar nxënësit të mësojnë gjëra që nuk janë të vërteta ose gënjeshtra. Dhe ç’është më e keqja, të ashtuquajturit intelektualë dhe disa media të manipuluara të Kosovës, nënshkruajnë edhe peticione për mos korrigjimin e këtyre deformimeve. Kjo mbase mund t’i bind shumë popuj nëpër botë se shqiptarët e Kosovës përfundimisht janë njerëz kundër të vërtetës, kundër civilizimit, dhe mbi të gjitha, edhe kundër natyrës. Unë po bëjë një përpjekje të vogël që njerëzimi të mos vjen deri në atë gjykim të arsyeshëm se shqiptarët janë njerëz që nuk duan të marrin vesh.
Nëse nuk e zgjata shumë, me lejoni me këtë rast të falënderoj organizatorin e kësaj konference për ftesën, studiuesit dhe institucionet nga Turqia siç është instituti Junus Emre për respektin e tyre ndaj origjinës së Mehmet Akifit dhe vizitat e shpeshta që na i kanë bërë neve si familje në Kosovë, e në veçanti edhe Agjencinë e Turqisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) për rindërtimin dhe trefishimin në madhësi të shkollës fillore Mehmet Akif në fshatin Shushicë, ku unë i kam vijuar katër klasë, por atëherë shkolla quhej “Jedinstvo” që në serbisht do të thotë “Bashkimi. Historianët kosovarë lë të vazhdojnë t’ua marrin serbëve Millosh Obiliqin dhe shqiponjën e zezë dykrenore, Kalkutës Nënë Terezën, ata në Shqipëri muzikën e himnit të Shqipërisë prej rumunëve, dhe ta heshtin gjeniun më të madh të shqiptarëve, Mehmet Akif Ersojin. Duke u bazuar në sajimet e tyre, sot në Kosovë ka shumë shqiptarë të indoktrinuar që më shumë flasin zi e terr kundër Turqisë se sa që flasin kundër Millosheviqit, regjimi i të cilit i kishte goditur shumë dhe mund t’i shfaroste në masë po të mos ishte NATO dhe Forca Ajrore e Turqisë për t’i larguar makinën ushtarake dhe kriminelët e tij nga Kosova. Është e qartë se shqiptarët e tillë e kanë humbur kontaktin me realitetin, dhe harrojnë se shqiptarët ekzistojnë si komb kryesisht ishin pjesë dhe bashkësundimtar të Perandorisë Osmane. Edhe sot, Turqia duket si mbrojtës i identitetit shqiptar, kur ajo nuk na rekomandon neve t’i vjedhim personalitetet e serbëve apo kujtdo qoftë tjetër, por të mësojmë nga ai që është i joni, pra nga Mehmet Akif Ersoj.

Exit mobile version