Categories
Lajme FRI

Komandantit tim

Pse thahet pranvera në shikimet tua
Pse as kur largohesh lamtumirë nuk thua
Pse ai lot i bukur të ngrihet në faqe
Komandanti im në luftë e në paqe
Trupave të dëshmorëve s’u duhen shtatoret prej bronzi e guri
Ata janë vetë shtizat e gjalla ku valëvitet flamuri
Shpirtrave të dëshmorëve s’u duhet një minut heshtje,
A mundemi lotët e fëmijëve të tyre t’i kthejmë në buzëqeshje?
Dëshmorëve as poezitë e as këngët nuk u duhen
Nëse ato me gjakun e tyre nuk shkruhen
E me shpirtin e tyre nuk thuhen.
A ka njeri më të varfër se ai që shpirtin e tij te tjetri e kërkon?
A ka njeri më të robëruar se ai që shpreson se tjetri e çliron?
Urrejtja buron nga frika, dashuria është vetë jeta
E frikësuar është ajo zemër që dashurinë s’e zbulon tek vetja
Rimat e poezive shthuren dhe s’e gjejnë njëra-tjetrën
Germat dhe notat bien si gjethe në Pafundësinë e Universit
Rrugëtimi ynë ka pasur një fillim por kurrë nuk mbaron
As atëherë kur prapë rima rimën e takon e  Zogu Lules i këndon
Zog!
Fluturove dhe të vërtetën na e kujtove se në botë të gjithë jemi shtegtarë
Na e kujtove edhe një herë se jo çdo i armatosur është luftëtar
Një lule e thave kur u ndave, pafundësisht lule çelën për ty
Një lumë me vesën e luleve rrodhi nga ai lot i bukur që të ndriti në sy
E lumtur ka qenë ajo zemër që në Prishtinë të ka takuar
Lumturisht jetohet pranë atyre që s’kanë ardhur në botë për t’u harruar
Era e kafesë që avullon një det kujtimesh ma trazon
Bota është burg për trupin por mendjen dot s’ma robëron
Nuk lejoj të m’ ishohin lotët edhe pse zemra më qanë
Për një kafe në Tetovë, për një kafe në Tiranë…
Lule!
Të çlirohemi nga prangat e të tjerëve është më pak e vështirë
se sa kur të jemi çliruar, të dimë të jetojmë të lirë
Rreze, Flamur dhe Era!
Ju jeni fëmijët që shumëçka ju duhet por asgjë s’na kërkoni
Edhe kur shokët e babit ju harrojnë, ju nuk i harroni
Kur ata s’ju takojnë ju prapë në fotografi i takoni
Shkronjat e njëjta në ballin e secilin i lexoni dhe pa i njohur ata i doni
Stinët e jetës ndërrohen në shkimet tuaja të përmallshme e plot gjallëri
Një ditë në fytyrat tuaja ngroh dielli, shumë ditë të tjera bie shi
Vjeshta ua ngjyros buzëqeshjet e dimri lotët ua ngrinë
Por ju jeni më të fortë se në zemër mbani lirinë
Ju më shumë se çdo fjalë tjetër e bëni të bukur poezinë
Ju më bëni që vargjeve t’ua jap një mbarim
Duke e përshëndetur gjithmonë komandantin tim.
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version