Myftinia e Ohrit edhe njëherë ka ngritur shqetësimin, për ndërtimin e fakultetit teologjik dhe të Kishës  Shën Klimenti në pronën që ajo e konsideron të veten. Reagimi tyre, kësaj here ka ardhur, pasi punimet për ndërtimin e Kompleksit Universitar Shën Klimenti, në pronën prej 3400 metra katrorësh, nuk kanë të ndalur.
Myftiu, i kësaj myftinie, Afrim Xhelili dhe sekretari Gazmend Hoda, shprehen për Portalb, se është e çuditshme, se si mund të ndërtohen objekte mbi pronën e dikujt tjetër. Ata,njëkohësisht kërkojnë nga përgjegjësit që të ndërpresin punimet për ndërtimin e kompleksit universitar Shën Klimenti, së paku për aq kohë sa të zgjidhet çështja, nëpërmjet të zbatimit të Ligjit për denacionalizim.

Ne kompletuam dokumentacionin  për kthimin e vendit të quajtur Imaret, ku ndodhej xhamia dhe dy varrezat  e themeluesve të kësaj xhamie, por as sot e kësaj dite nuk kemi marrë përgjigje”, thekson sekretari i Myftinisë së Ohrit, Gazmend Hoda, ndërkohë që ndërtimet në këtë pronë po vazhdojnë.
Ai shton se Myftinia e Strugës qëndron fortë në kërkesën e saj që prona e nacionalizuar të kthehet. Hoda thotë se Komisioni për Kthimin e pronave të nacionalizuara , ka kthyer, në vitin 2009, vetëm 34 katrorë, nga 3400 katrorët, që janë pronë e kësaj Bashkësie dhe  në këto, pak katrorë ndodhen dy varret e themeluesve të Himaretit .
“Myftinia e Ohrit, nuk ka asgjë kundër ndërtimeve të këtilla, mirëpo ne ndihemi të diskriminuar dhe të përçmuar, sepse  në trollin  Myftinisë së Ohrit, ndërtohen objekte tjera. Nuk na është kthyer asnjë përgjigje edhe pse që nga viti 2001 e kemi bërë kërkesën për denacionalizim”, thekson Myftiu i Ohrit, Afrim Xhelili.

Ai shton se para se të prishet xhamia Himaret dhe të ndërtohet mbi themelet e saj kisha, janë bërë gjurmime arkeologjike për të vërtetuar, se në atë pjesë e ekziston njëfarë lloj kishe ose themelet e saj, pretendime këto, të cilat nuk u vërtetuan kurrë. Myftiu thekson se qëllimi vetëm i këtyre veprimeve ishte rrënimi i xhamisë dhe i çdo gjëje që është islame.
Drejtuesit e Myftinisë së Ohrit kërkojnë edhe ndihmën e politikanëve për zgjidhjen e këtij problemi. Sekretari Hoda, thotë se qytetarët i kanë sytë tek ta, lidhur me këtë çështje, ndërsa Myftinia e Ohrit,  tek pushtetarët, të cilët sipas tij, duhet të mbajnë kontakte me Komisionin për denacionalizim në mënyrë që Ligji të zbatohet.
Nga ana tjetër, në tabelën e vendosur në hapësirën që kryhen punimet, sipërmarrja që  po punon për ndërtimin e Kompleksit Universitar Ortodoks,  ka vendosur  tabelën në të cilën është evidentuar, ndër të tjera edhe numri i lejes për ndërtim.