Categories
Lajme FRI Lajmerime

Komunikatë e FRI-së me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore

Me rastin e fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, Forumi Rinor Islam, apelon deri te të gjitha subjektet politike dhe faktorët relevant që kjo fushatë të rrjedhë dhe zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Fillimisht, me këtë rast kërkojmë dhe urojmë që partitë politike dhe aktorët e tyre të dëshmojmë nivel të lartë qytetarie dhe fushata të jetë një ballafaqim mes koncepteve dhe ideve për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve e jo shkëmbim fyerjesh dhe lojëra të kota fjalësh.
Me këtë rast, si FRI dënojmë ashpër çdo tentativë për përdorimin e fesë dhe ndarjen e qytetarëve në bazë fetare nga disa kandidatë dhe subjekte, ku vlerësojnë se retorikat e tilla do të nxisin dhe rrisin urrejtje fetare në vend. Ndasia e tillë në një shoqëri dhe shtet multikulturorë siç është Maqedonia do të sjellë pasoja negative për ardhmërinë e vendit.
Pos tjerash, urojmë dhe kërkojmë që gjatë kësaj fushate liderët politik dhe kandidatët në garë, theksin kryesorë ta vëjnë te rinia si shtresa më e goditur nga tranzicioni i vendit që po zgjat me dekada. Liderët politik dhe subjektet politike duhet të japin opcione që do të sigurojnë perspektivë dhe ardhmëri për të rinjët tanë të cilët viteve të fundit gjithnjë e më shumë po ikin nga vendi.
Veç kësaj, urojmë që fushata të jetë e qetë dhe zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike që do të reflektojnë vullnetin real të popullatës së Maqedonisë.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam

Exit mobile version