Forumi Rinor Islam në mes dekorimeve të personaliteteve dhe organizatave me kontribut dhe arritje të veçantë dekoroi edhe haxhi Bahri Ganijin nga Tetova, për kontributin e madh kombëtar dhe fetar si dhe rolin e pashembullt në ngritjen dhe zhvillimin e arsimit shqip në Maqedoni.
Haxhi Bahri Ganiji ka lindur më 20 nëntor 1943 në Kalishtë të Gostivarit. Pas shkollës fillore, rrethanat e kohës e kishin detyruar të ndërpresë shkollimin, por u kualifikua në fushë të hotelierisë dhe ka punuar jashtë vendlindjes, kryesisht në Kroaci.
Më 14 dhjetor të vitit 1994, në ato kohëra të vështira për arsimin shqip në Maqedoni, në dyert e shtëpisë së tij trokitën përfaqësuesit e shoqatave, partive politike dhe asociacioneve shqiptare. E gjithë elita e atëhershme intelektuale e Universitetit të Tetovës tubohet në dhomën e këtij haxhiu mikpritës, për të vënë themelet e Universitetit shqiptar, dhe kështu bëhet një nga figurat kyçe dhe shumë meritore në këtë proces të rëndësishëm historik, themelimit të Universitetit të Tetovës.
Njëashtu në moshën 63 vjeçare nga dashuria për Kuranin, filloi të mësojë alfabetin e gjuhës arabe, kurse më 24 mars të vitit 2006 filloi të përshkruajë me dorëshkrim Kuranin Fisnik në formatin A4, në fletë me vija, në formë libri. Ky dorëshkrim me gjithë duanë e hatmes ka 650 faqe, teksti është i shkruar me dimensione 20×26 centimetra, shkrimi në të është korrekt dhe u përfundua më 29 nëntor të këtij viti.