Categories
Lajme

Konferenca “Islami dhe Paqja globale” në Tiranë

Konferenca Ndërkombëtare “Islami dhe Paqja globale” ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të Bashkësive Islame të vendeve të rajonit , studiues, ekspertë të ndryshëm si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga Shqipëria.
Në seancën e hapjes së kësaj konference ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, ambasadori i SHBA-së nëTiranë Donald Lu, ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin si dhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri.
Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, dhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u kërkojnë drejtuesve të Komunitetit Mysliman që në këshillat e tyre fetare para besimtareve t’i mëshojnë distancimit nga aktet e dhunshme të Kalifatit të Irakut dhe Sirisë, që po kërcënojnë paqen në botë nën petkun e Islamit.
“Sot, bota kërcënohet nga ata që e bëjnë urrejtje fenë e tyre, nën petkun e Islamit. Unë e përgëzoj punën tuaj të palodhur për t’u siguruar që zërat tuaj, që këshillojnë paqen dhe mirëkuptimin të dëgjohen mbi ata që nxisin dhunën dhe shkatërrimin. Ndërsa vazhdoni punën tuaj të rëndësishme, ju lutem mbani parasysh, se, edhe në atë ditë ku Dielli t’ju godasë, dhe barra juaj të jetë e rëndë, Perëndia do t’u japë gjithçka që nevojitet për t’ia dalë mbanë”, tha ambasadori Lu.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vuri në dukje se viktimat më të shumta në këtë luftë janë në radhët e myslimanëve dhe kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me përplasje qytetërimesh, por me një skllavërim modern njerëzor.
“Paqja botërore sot kërcënohet seriozisht edhe nga disa individë apo organizata terroriste dhe ekstremiste, të cilët duke shpërdoruar emrin e Zotit dhe fenë, përpiqen të imponohen dhunshëm e në mënyrë barbare ndaj të tjerëve.
Veprimtaria çnjerëzore e të ashtuquajturit Kalifat të Irakut dhe Sirisë ka shkaktuar më tepër viktima të fesë myslimane se sa të feve të tjera. Kjo tregon dhe vërteton katërçipërisht se nuk kemi të bëjmë me një përplasje qytetërimesh, por me një luftë të pandershme dhe pa kushte për pushtet dhe mbizotërim, me një skllavëri moderne fizike, politike, shoqërore dhe mendore”, tha Nishani.
Kreu i Komunitetit Mysliman qartësoi, se, asgjë që ndodh në Siri dhe Irak nuk ka lidhje me atë çfarë orienton Islami dhe Libri i Shenjtë, Kurani.
“Ngjarjet, trazirat dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në disa vende të ndryshme të botës, që gjoja kryhen nën ombrellën e Islamit, nuk kanë asnjë lidhje me vlerat që Islami ka dhe përçon”, tha Skënder Bruçaj.
Presidenti Nishani dha edhe një mesazh për udhëheqësit shpirtërorë, për të ndriçuar besimtarët në lidhje me këtë çështje.
“Udhëheqësit shpirtërorë kanë një detyrë sa të vështirë, aq edhe vendimtare në këtë drejtim, por jo të pamundur. Të këshillojnë, edukojnë dhe të ndriçojnë mendjet e atyre individëve, të cilët për arsye nga më të ndryshmet: politike, fetare, shoqërore, nga varfëria apo mungesa e shkollimit, joshen drejt premtimeve boshe materiale dhe të parealizueshme duke mbushur radhët e luftëtarëve mercenarë në një luftë pa kurrfarë kauze fetare apo politike”, tha Nishani.
Për herë të parë në Tiranë është mbajtur një konferencë me temë “Islami dhe paqja globale”, ku merrnin pjesë autoritetet fetare në vend, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, Presidenti i Republikës, autoritete të Policisë, të cilët vlerësuan rolin që ka Islami për paqen në botë.
Pas seancës së përshëndetjeve, konferenca që ka zgjatur deri dje në mbrëmje ka vijuar me dy seanca shkencore, të cilat qen të hapura për publikun dhe më pas u zhvillua një seancë speciale me liderët e Bashkësive Islame të Ballkanit Perëndimorë, të cilët dhanë mesazhe të qarta dhe të rëndësishme, lidhur me temën e konferëncës “Islami dhe paqja globale”.

Exit mobile version