Rroni dhe Dioni, të dy pesë vjeç, janë lindur dhe jetojnë në një shtëpi pak metra larg termocentralit ”Kosova A”. Ata kanë pasur fatin e keq të frymojnë në pluhurin që lirojnë tash sa dekada tymtarët e këtij termocentrali.
Po këta fëmijë vijnë nga një familje e gjerë e quajtur Mexhuani, të cilët i kanë të ndërtuara rreth dhjetë shtëpi në fshatin Dardhishtë të komunës së Obiliqit, ku nga secila shtëpi kanë vdekur familjarë nga kanceri. “Sa herë që përhapet tymi-pluhuri më kapë frika për këta fëmijë”, flet për Zëri nëna e tyre Jehona.
Ndërsa, vjehrra e saj, e cila tash dyzet vjet jeton në këtë familje, numëron të vdekurit nga kanceri në secilën shtëpi prej farefisit të tyre.
“Tre vllazni, Shabani, Rexha, Izeti, rreth 40-vjeç kanë vdekur prej kancerit, në secilën shtëpi dikush iu ka shkue…”, tregon Malishe Mexhuani.
Ata tashmë janë lodhur nga premtimet se do të zhvendosen nga ai vend.
“Nuk e blen kush shtëpinë këtu. Ata që po kanë mundësi po ikin”, flet për tmerrin e të jetuarit në ambient, ku vetëm për pak minuta nis e të zihet fryma nga pluhuri i tymtarëve.
Nuk janë vetëm banorët e Obiliqit që vuajnë nga kanceri. Të dhënat e grumbulluara nëpër disa qendra të Kosovës, sidomos të vendeve përreth termocentraleve të KEK-ut, japin shifra alarmante të rritjes së numrit të sëmurëve nga kanceri, fëmijëve nga sëmundjet të frymëmarrjes, bronkitit e astmës.
Sëmundjet e frymëmarrjes janë patologji më e shpeshtë të të gjitha moshave në Klinikën e Kujdesit Parësor Shëndetësor, të cilat përbëjnë 80.5 për qind të të gjithë patologjisë.
“Kanceri i mushkërive është në vendin e parë (11,8 për qind) të të gjitha sëmundjeve malinje në popullatën mashkullore në Kosovë. Rreth 49.3 për qind e fëmijëve të moshës 1-5 vjeç trajtohen në spitalet e Kosovës nga sëmundja respiratore”, ka bërë të ditur dr. Gazmend Zhuri. /Telegrafi/
Categories