Categories
Opinione

Kosova dhe Palestina

Ditë më parë, saktësisht me datë 26 shtator 2013, Tajlanda e njohu shtetin e Kosovës , dhe se kjo ishte njohja e 104 e shtetit të Kosovës nga 194 shtete aktuale anëtare të OKB-së. Kosovën, tani, kanë mbetur akoma pa e njohur edhe 90 shtete ekzistuese dhe anëtare fuqiplotë  të OKB-së.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kryeministri aktual i  Kosovës Hashim Thaçi pati deklaruar se” për pak kohë do të kemi njohje nga 100 shtete të botës”, por kjo” pak kohë” zgjati plot 66 muaj gjersa u arrit ky numër  prej 100 njohjeve, e që  para ca ditësh kryeministri  i  Kosovës Hashim Thaçi, në një takim të organizuar nga shoqatat e afaristëve dhe të biznesit në Prizren pati deklaruar se kjo “pak kohë”, ishte periudha gjatë së  cilës u arrit numri  100 i njohjeve të Kosovës. Normal që diç tjetër nuk mund të pritet nga lidershipi politik dhe shtetëror i Kosovës, e hiç më pak, tani, kur ka hyrë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet komunale në Kosovë që do të mbahen me 3 nëntor 2013. E për këtë prolongim apo stërzgjatje e ka një pjesë të fajit edhe vet kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me deklaratat e pamatura të tij, sikurse ajo e vitit 2009 kur pat thënë: ” rreth njohjeve kualitative dhe kuantitative” apo”jemi më shumë të interesuar të kemi marrëdhënie me Izraelin, sesa me vendet e botës arabe” të cilët kanë sjell  dëme diplomacisë së re shtetërore të Kosovës.
Në mediat e shkruara, elektronike dhe në web portale shpesh shkruhet, flitet e përflitet se për t’u pranuar Kosova anëtare e OKB-së nevojiten njohja nga  2/3 e shteteve anëtare të OKB-së që do të thotë njohja e 129 shteteve  nga 194 shtete anëtare të OKB-së. Por e vërteta qëndron ndryshe nga ajo që proklamohej nga klasa politike dhe elita shtetërore e Kosovës.
Vendimin për pranim të një shteti të pavarur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e merr Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me votim  të 2/3 të shteteve anëtare të OKB-së, në bazë të rekomandimit  paraprak të Këshillit të Sigurimit ( i cili përbëhet prej 15 shteteve, 5 shtete të përhershme me të drejtë vetoje (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 shtete me të drejtë vote të rregulltë, pasi që çdo dy vjet bëhet ndërrimi i tyre), me ç’rast nevojiten 9 vota pro, duke marr parasysh votën e të  5 anëtareve të përhershëm me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Sipas nenit 18, paragrafit 2 të Kartës së OKB-së, decidivisht shkruan se për çështje të rëndësishme nevojiten votat e 2/3 të shteteve anëtare  të Asamblesë së Përgjithshme  për pranimin e një shteti të ri në OKB, pas rekomandimit paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në drejtën ndërkombëtare  është i njohur edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas kërkesës së fuqive  Perëndimore për të evituar përdorimin e vetos nga ana e ish BRSS-së, për mendimin konsultativ, se a është rekomandimi i Këshillit të Sigurimit kusht i domosdoshëm për pranim në OKB? Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka sjell mendimin konsultativ se sipas nenit 4 të Kartës së OKB-së, rekomandimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është i pashmangshëm për pranimin e një shteti anëtar fuqiplotë të OKB-së. Si pasojë e këtij vendimi edhe shteti shqiptar, Shqipëria,  ka prit plot 10 vite (nga viti 1945 e gjer në vitin 1955) për anëtarësim  në OKB-së, si pasojë e vetos nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, dhe se vetëm pas harmonizimit të plotë të 5 anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje, arriti që në pako së bashku me 15 shtete tjera të anëtarësohet si anëtare fuqiplotë e OKB-së në Sesionin  e dhjetë të Asamblesë së Përgjithshme në dhjetor të vitot 1955.
Mënyra e dytë e anëtarësimit në OKB është,  anëtarësim si shtet vëzhgues në OKB, ku për këtë lloj anëtarësimi, nevojitet vota e 2/3 të shteteve anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme nga numri i gjithëmbarshëm i shteteve anëtare të OKB-së, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, këtë lloj anëtarësim e arriti Palestina vitin e kaluar në Kuvendin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Porse ky lloj anëtarësim mund të them lirisht është më tepër formal, si shtet vëzhgues, pa ndonjë efekt të duhur juridik, pasi që nuk ka të drejtën e fjalës, votës, dhe ratifikimit apo nënshkrimit të konventave dhe dokumenteve të ndryshme ndërkombëtare që rrjedhin nga vendimet e marra në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Kosovën në të ardhmen e presin dy vendime  të rëndësishme në rrugëtimin e saj në arenën politike ndërkombëtare, e para dhe kryesorja është, a do të përpiqet klasa politike shtetërore dhe diplomacia e saj që të angazhohet me një politikë strategjike, të pjekur dhe largpamëse, me ndihmën e faktorit politik ndërkombëtar, që të arrijë pajtueshmërinë e plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,(që nënkupton eliminimin e vetos ruse dhe kineze) për rekomandimin e tij Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për pranimin e Kosovës si shtet anëtar fuqiplotë me te drejt fjale, vote, ratifikimi, sikurse të gjithë shtetet tjerë të OKB-së, e sidomos shtetet të porsakrijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë ( Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi)? E dyta dhe alternative, a do të angazhohet Kosova edhe më tej në arritjen e njohjeve edhe të 25 shteteve të botës, për të arritur numrin prej 129 shteteve, pas së cilës do të mund të pasoj votimi në Asamblenë e Përgjithshme, ku Kosova do të kishte fituar anëtarësimin e saj si shtet vëzhgues në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së?
Në këtë aspekt  qëndron krahasimi i shtetit të Kosovës me shtetin e Palestinës, pasi që tek rasti i Palestinës e kemi situatën e tillë në të cilin Izraeli nuk e njeh dhe pranon pavarësimin e Palestinës pa arritjen  e një zgjidhjeje politike të dyanshme të pranueshme, në mes Izraelit dhe Palestinës, dhe gjer atëherë,  si e tillë Palestina nuk mund të anëtarësohet në OKB, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, pasi që një gjë të tillë nuk do të lejojë pikë së pari SHBA-ja, e mbështetur edhe nga Britania e Madhe dhe Franca. Tek rasti i Kosovës e kemi situatën e tillë në të cilin Serbia nuk e njeh dhe pranon pavarësimin e Kosovës, pa arritjen e një zgjidhjeje politike të dyanshme, në mes Serbisë dhe Kosovës, dhe  gjer atëherë si e tillë Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB, pa rekomandimin  e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që një gjë të tillë nuk e lejon pikë së pari Rusia e mbështetur edhe nga Kina.
Tani është në duar të elitës politike, klasës shtetërore si dhe diplomacisë kosovare se cilin rrugë do të zgjedhë, të parën e cila është kryesore për anëtarësim në OKB si shtet anëtar fuqiplotë, për të cilin duhet arritur një zgjidhje politike me Serbinë, e cila do të jetë shumë e vështirë dhe me një kosto të lartë për Kosovë, pas së cilës do të evitohej vetoja ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit, apo të dytën e cila është më tepër një satisfikacion moral për politik bërjen e diplomacisë kosovare, pasi që si e tillë neve mund të na njohin dhe pranojnë edhe 193 shtete të botës, porse vetëm Rusia apo Kina  të mos na pranon, është e mjaftueshme që neve edhe për një kohë shumë, shumë të gjatë të mos kemi mundësi fare për t’u pranuar si shtet anëtar fuqi plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Deri atëherë, dhashtë Zoti të jemi gjallë,  të kemi shëndet e të shohim!
 
 

Exit mobile version