Kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher ka thënë se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk do të sjellë stabilitet në rajon. Ai mendon se rreth veriut të Mitrovicës tani është vendosur “një shtet i vogël serb” në dëm të sovranitetit territorial të Kosovës.
Rohrabacher ka thënë se “marrëveshja është shenjë se njerëzit angazhohen për ecje përpara, por kjo nuk është arritur me këtë marrëveshje. “Sepse nuk është e bazuar në fakte reale”, transmeton QIK, deklaratën e Rohrabacherit në një intervistë për shërbimin serb të “Zërit të Amerikës”.
Sipas tij, “njerëzit do të jenë edhe më shumë të zhgënjyer kur ta kuptojnë se një gjë u është thënë kurse një tjetër është realizuar, përkatësisht se asgjë nuk ka ndryshuar”.
Ai ka thënë se “me këtë marrëveshje posaçërisht shqiptarët e Kosovës nuk fituan absolutisht asgjë”.
“Ata jo vetëm që nuk miratuan autonominë, por humbën të drejtën për prezencën e forcave të tyre të sigurisë të ngarkuara për zbatimin e ligjit në vendin e vet. Mendoj se marrëveshja nuk do të ketë sukses dhe se gjërat do të mbesin të njëjta siç kanë qenë në dhjetë vitet e fundit”, është shprehur ai.
Sipas ligjvënësit Rohrabacher, marrëveshja e arritur është imponuar nga të tjerët. “Njerëzit që jetojnë në katër komuna në veri të Kosovës kurrë nuk janë pyetur çfarë dëshirojnë ata. Dihet se 90 për qind e tyre dëshirojnë t’i bashkohen Serbisë”.
Kjo, sipas tij, do të ishte “vështirë e realizueshme po qe se në fqinjësi nuk do të ekzistonte Lugina e Preshevës, e cila sipas madhësisë gati është e barabartë me veriun e Kosovës dhe se numri i pjesëtarëve etnikë të së cilës është i barabartë me numrin e serbëve në veri të Ibrit. Por Presheva ekziston. Një zgjidhje shumë më e volitshme për të dyja palët është shkëmbimi i këtyre territoreve. Ibri mund të ishte kufi i përbashkët. Mirëpo, ky opsion bie sepse pala e Kosovës është mbështetur në burokratët amerikanë dhe evropianë. Rezultat i kësaj, shqiptarët e Kosovës asgjë nuk fituan”, ka thënë Rohrabacher. /Telegrafi/
Categories