Kryetari i bashkisë së Selanikut, Janis Butaris u shpreh pozitivisht për ndërtimin e një xhamie dhe krijimin e varrezave myslimane në Selanik, gjatë takimit që pati me ministrin për Çështje Evropiane të Turqisë, Egemen Bagis.
Kryebashkiaku i Selanikut i bëri të ditur ministrit turk, se dy herë ka vënë në dispozicion një zonë të bashkisë për festat e mëdha myslimane, në mënyrë që besimtarëve t’iu mundësohet zhvillimi i riteve dhe lutjeve të tyre, duke theksuar se ai e sheh si pozitive, krijimin e kultit të adhurimit për muslimanët në qytet. Duke shtuar, Butaris tha se edhe pse nuk është nën juridiksionin e tij, do të përpiqet të ndikojë për krijimin e varrezave myslimane në Selanik.
Nga ana e tij ministri turk premtoi se do të bëjë përpjekje për të rritur valën e turistëve turq në Selanik.
Greqia është i vetmi vend në Evropë, kryeqyteti dhe qytetet e mëdha të të cilit nuk kanë objekte kulti (xhami) për besimtarët myslimanë. Së fundi qeveria i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të një të tille në Athinë, por duket se Butaris, sërish paraprin me veprime të tilla të moderuara në raport me komunitetin e huaj, veprime që shpesh ndeshin edhe në reagime kundërshtuese.
(Balkanweb)
Categories