Categories
Lajme

Krimea, ja si të aneksosh një territor në pesë hapa

Michael Mainville – “AFP”
Teksa liderët botërorë grinden mbi fatin e Krimesë, Rusia dhe zyrtarët lokalë pro-rusë kanë ndërmarrë një seri hapash vendimtarë që kanë shtruar terrenin për aneksimin e rajonit të Ukrainës.
Ekspertët thonë se në më pak se dy javë, forcat ruse dhe militantët pro-Kremlin kanë ndryshuar tashmë realitetin në terren – veçanërisht duke e ndarë Krimenë nga pjesa tjetër e Ukrainës.
“Ka qenë një plan shumë racional. Hap pas hapi ata e kanë shkëputur Krimenë nga pjesa tjetër e Ukrainës, duke e përgatitur për aneksim”, tha analisti politik me bazë në Kiev, Volodymyr Fesenko.
 “E gjithë kjo ka qenë në kuadër të përgatitjes për hapin e radhës, referendumin, në mënyrë që të legjitimohet aneksimi”, tha ai.
Këtu janë pesë hapat e ndërmarrë që e kanë bërë shkëputjen e Krimesë një përfundim të pashmangshëm.
1. Vendos qeveri kukull
Pesë ditë pas dëbimit të Presidentit pro-rus në Ukrainë, Viktor Janukoviç, persona të armatosur pro-rusë morën kontrollin e ndërtesave të Parlamentit dhe qeverisë në kryeqytetin e Krimesë, Simferopolit, duke ngritur flamurin rus.
Politikani pro-rus Sergiy Aksyonov u zgjodh shpejt kryeministri i ri i përkohshëm i vendit dhe ligjvënësit votuan për t’iu bashkuar Rusisë dhe për të mbajtur referendum me 16 mars.
2. Merr kontrollin në terren
Mijëra trupa ruse – shumë nga flota ruse e Detit të Zi të bazuara me kohë në Krime – u vendosën me shpejtësi anekënd gadishullit pasi qeveria u vendos në duart e forcave pro-ruse.
Rojat kufitare të Ukrainës thonë se deri në 30 000 trupa ruse janë vendosur tashmë në rajon.
Ushtarët, të pajisur me armatime por pa shenja zyrtare në uniformat e tyre, kanë rrethuar instalimet ushtarake ukrainase.
Ushtarët e rrethuar refuzuan të dorëzojnë armët apo të largohen, porse deri më tani nuk ka përplasje me homologët  e tyre rusë.
Flota ruse e Detit të Zi ndërkohë ka bllokuar anijet e flotës së Ukrainës në portin historik të Sevastopolit. Forcat ruse madje kanë mbytur tri prej anijeve të tyre në një pjesë në dalje të Detit të Zi për të bllokuar anijet ukrainase.
3. Mbyll kufinjtë
Krimea, e cila zgjatohet në Detin e Zi nga pjesa jugore e territorit Ukrainas, ishte relativisht e lehtë të izolohej nga pjesa tjetër e vendit.
Në pak ditë pas arritjes, forcat ruse ngritën pika kontrolli përgjatë dy rrugëve kryesore që të çojnë në gadishull, me shenja që paralajmërojnë se instalimet do të jenë të përhershme.
Fluturimet për Kiev nga aeroporti i Simeferopolit ndërkohë janë vendosur në terminalin e fluturimeve me jashtë dhe ushtarakët po inspektojnë pasagjerët që futen në aeroport.
4. Kontrollo komunikimet
Për të kontrolluar rrjedhjen e informacionit në Krime, gjashtë televizioneve ukrainase iu shkëput transmetimi përgjatë kësaj jave, duke u zëvendësuar me televizione ruse.
Gazetarët ukrainas dhe të huaj janë përballur me presion në rritje dhe në disa raste me dhunë, si rrahja e pesë gazetarëve ukrainas nga ushtarakët rusë teksa përpiqeshin të mbulonin një përpjekje për të marrë kontrollin e një baze ajrore.
5. Mbaj referendum
Referendumi i të dielës do të pyesë nëse rezidentët dëshirojnë të bëhen pjesë e Rusisë apo dëshirojnë që Krimea të rikthehet tek autonomia e gjerë që gëzonte sipas një kushtetute të vitit 1992 – e cila i jepte një pavarësi de fakto. Status-kuoja e Krimesë si pjesë integrale e Ukrainës nuk është një mundësi.
Pavarësisht skepticizmit të përhapur, zyrtarët pro-rusë kanë thënë se zgjedhjet do të jetë të lira dhe të ndershme, duke shtuar se ata nuk kanë dyshime që shumica e rezidentëve do të votojnë për t’iu bashkuar Rusisë.
“Pas kësaj”, tha Franceskoja, “Krimea do të përfshihet shpejt në Rusi, gjë e cila do të jetë një sfidë e madhe për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, ose do të kthehet në diçka të ngjashme me Abkhazinë (një konflikt i ngrirë)”.

Exit mobile version