Bledar Komini
Duke “vozitur” në internet dhe duke kontrolluar faqet e internetit për të lexuar ndonjë shkrim të këndshëm apo të dobishëm, në një nga faqet e mia të preferuar, më zunë sytë një shkrim të titulluar “Xhamia si rast i humbur”. Me kënaqësi fillova të lexoj përmbajtjen e shkrimit me dëshirën për të mësuar ndonjë detaj më tepër mbi Xhaminë e Madhe të Tiranës, ashtu siç shpeshherë na është bërë traditë që ta quajmë atë. Në fakt, shkrimi ishte një kritikë mbi rastin e humbur të këtij objekti kulti për të qenë “objekt kulti”, pasi sipas autorit, që i bie të jetë redaksia e kësaj faqeje, xhamia kishte disa dyqane dhe nuk shfaqte stil tradicional arkitektonik. Për më tepër kërshëria mediatike që për të thënë të drejtën nuk është aspak profesionale dhe e thelluar në informacionin që trajton, u shfaq sërish tek disa media të shkruara në të cilat thuhej se projekti i Xhamisë së Madhe ishte një projekt i vjedhur nga një xhami turke.
Ishin këto dy arsye më sipër, të cilat më obliguan që të shkruaj këto rreshta në lidhje me xhaminë në fjalë, e cila është rezultat i një luftë të gjatë politike, mediatike dhe kulturore në qytetin e Tiranës.
Xhamitë janë ndër objektet e kultit më të vjetra në vendin tonë. Kjo dhe për shkak të ndikimit të tyre. Arkitektura dhe vlerat kulturore që ato mbartin janë të shumta. Xhamitë për myslimanët janë gjurmët e historisë së tyre, për këtë arsye kudo që kanë emigruar, puna e parë e tyre ka qenë ndërtimi i këtyre veprave madhështore dhe elegante. Xhamia nuk përmban vetëm punimet artistike brenda saj, ajo mban dhe pasqyrimin e besimit të myslimanëve. Nga një anë mban në vete estetikën e vendit ku ndodhet dhe nga ana tjetër mban në vete atë shenjtërim që i takon, dhe këto të dyja i mbart nga një kohë në tjetrën e kështu i bën të pavdekshme. Të analizosh nëse xhamia i përshtatet stilit tradicional ose jo, minimalisht kërkon njohuri përkatëse në disa fusha të cilat kanë lidhje me historinë, kulturën, arkitekturën dhe urbanistikën e një qyteti. Për t’i kthyer përgjigje nëse plani arkitektonik i Xhamisë së Madhe të Tiranës përshtatet apo jo me konceptin “tradicional”, apo më shumë me ato shqiptaro-turke, mjafton të shikohet arkitektura e disa prej xhamive të mëdha në disa qytete shqiptare. Kështu të stilit me kupolë të madhe dhe kurorë kupolash, janë xhamitë e ndërtuara në qytetin e Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës, Vlorës, Beratit, Korçës etj. Aq e gjerë ka qenë shtrirja e këtij stili arkitektonik sa për të pothuajse kanë shkruar të gjithë studiuesit që janë marrë me historinë e arkitekturës së objekteve të kultit në Shqipëri. Për ta plotësuar disi kuadrin shkencor po përmend disa emra të mirënjohur në këtë fushë si: Zija Shkodra, Kristo Frashëri, Aleksandër Meksi, Sulejman Dashi etj. Ndërkaq edhe botimet janë të shumta, madje nuk kanë munguar dhe studiuesit e huaj të cilët kanë shkruar dendur mbi këtë lëmi, siç ishte para pak kohësh përkthimi dhe botimi në gjuhën shqipe i librit të autorit Michael Kiel, mbi arkitekturën e objekteve të kultit mysliman në vendin tonë.
E nëse për autorin përbën problem se Xhamia e Madhe do të ketë disa dyqane dhe një parking në ambientet e saj, kjo sigurisht që përbën disi risi për kohën, por jo për traditën. Kështu për sa i përket dyqaneve, ka qenë traditë e mimarëve të vonshëm të perandorisë osmane që pranë xhamive, të ndërtonin edhe dyqane apo kafene e çajtore, të cilat do t’i shërbenin besimtarëve gjatë mbrëmjeve të gjata të ramazanit për të shkëmbyer biseda apo për t’u takuar më njëri-tjetrin pas kohës së namazit. Ndërsa për sa i përket parkimit, studio që ka punuar planin e kësaj xhamie është përshtatur tërësisht me nevojat dhe specifikat që ka qyteti i Tiranës dhe sidomos zona ku do të ndërtohet kjo xhami.
Dihet tashmë se qendra e Tiranës është kthyer në një problem të vërtet për sa i përket parkimit dhe në të njëjtën kohë dihen dhe nevojat e Komunitetit Mysliman në lidhje me problematikën e të ardhurave që ky institucion ka prej kohësh. Sigurisht që të mendosh në mënyrë artistike nuk do të thotë të lësh pas dore nevojat imediate dhe funksionale që ka një institucion për të plotësuar të paktën elementet më thelbësore mbi jetesën dhe mbajtjen gjallë të institucionit. Për këtë arsye, përvoja e arkitektëve të mëdhenj si dhe kryesisht atyre vendas, na ka treguar se pjesa më e madhe e xhamive në qytetet kryesore shqiptare ndërtohej pranë tregjeve dhe zonave të hapura (kur kishte tregje, ndërsa kur nuk kishte ato krijoheshin vetvetiu pranë xhamisë), për t’i shërbyer njëra-tjetrës. Mjafton këtu të përmend pazarin e vjetër të Tiranës, pranë të cilit gjendeshin jo pak, por gjashtë xhami, ku çdonjëra prej tyre kishte në pronësi dhe dyqane, të cilat ishin lënë në formë vakëfi për t’i shërbyer nevojave të xhamisë. Kjo traditë ka qenë e përhapur në të gjitha qytetet shqiptare gjer në vitet ’60.
Duke mos dashur të kanalizohem në shembuj të mëtejshëm të cilët janë të shumtë, po përqendrohem pak tek lufta e madhe që i është bërë diku me dashje dhe diku pa dashje ekzistencës së këtij objekti kulti, pra Xhamisë së Madhe. Së pari politizimi i ndërtimit të xhamisë, e la në harresë nevojën e besimtarëve tiranas për të pasur një xhami sipas të gjitha kushteve fetare dhe atyre përmbajtësore për të plotësuar dhe kryer ritet e përditshme. Tek-tuk gjatë këtyre viteve besimtarët u gjendën të rreshtuar në kahe të ndryshme politike, si për të treguar se ekzistenca ose jo e kësaj xhamie varet nga politika dhe jo nga interesat e një institucioni që përfaqëson një pjesë të rëndësishme të popullit shqiptar. Kjo çoi në vonesën e një strategjie për arritjen e synimit dhe sigurisht ngriti disa dilema të brendshme mbi funksionalizmin e këtij objekti, që herë u pa si xhami dhe herë të tjera si synim politik.
Së dyti dhënia zgjidhje dhe tashmë pasja e një projekti dhe miratimi i lejes për ndërtimin e objektit të kultit, i ka kthyer një pjesë të besimtarëve në skeptikë në lidhje se a ishte ky projekt një përmbushje e aspiratave politike apo atyre artistike. Në fakt për aq sa më lejon profesioni do doja t’i thosha të gjithë skeptikëve se projekti jo vetëm që është i arrirë dhe plotëson të gjitha kushtet e domosdoshme artistike, por në të njëjtën kohë, detajet e tij shfaqin hapur profesionalizmin e studios që e ka marrë përsipër projektimin dhe ndërtimin e këtij objekti kulti. Për të mos u futur edhe më shumë në detaje, do ftoja jo vetëm shkruesin e artikullit të mësipërm po të gjithë ata që kanë hije dyshimi, që të lexojnë pak më shumë mbi arkitekturën islame në Shqipëri (atë osmane) dhe të jenë pak më të përgjegjshëm kur bëhet fjalë për fusha kaq specifike, të cilat nuk kërkojnë vetëm një sy estetik gazetari apo analisti.
Mbi të gjitha përgjegjësia e të qenit opinionit qëndron në faktin se çfarë kontributi sjell mendimi apo opinioni i dhënë, më shumë se sa kritika e pavend dhe e pa argumentuar në një fushë kaq delikate, duke marrë përsipër dhe riskun e keqpërdorimit të sferës publike apo keqinterpretimit të informacionit shkencor.
Në përfundim do doja të ndalesha pak dhe tek artikulli i një të përditshmeje e cila e quante këtë projekt të vjedhur nga ai i një xhamie turke. Për sa i përket artikullshkruesit rregulli numër një i artit, qëndron në faktin se një art i tillë nuk ka pronësi. Ndërtimi i xhamive i është përmbajtur parimit të formës dhe arkitekturës dominuese, e cila vende-vende është përzierë edhe me traditat rajonale. Artikull shkruesit në fjalë do t’i sugjeroja një udhëtim në Ballkan për të parë se pothuajse të gjitha xhamitë ngjajnë, ato shquhen për origjinalitet dhe simbolikë në detaje, ndërsa shpirti unifikues është ai i minares, kupolës dhe variacioneve të lakueshme të formave dhe materialeve të përdorura./ezani/