Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mbrëmë i ka dhënë fund shqyrtimit të ankesave të partive politike për balotazhin e zgjedhjeve lokale të 7 prillit në Maqedoni.
Mbrëmë janë hedhur poshtë të gjitha 252 ankesat e bëra nga partia opozitare maqedonase LSDM, për parregullësi në 15 komuna.
Ndërsa gjatë seancës maratonike gjatë dy ditëve janë refuzuar edhe mbi 100 ankesa të VMRO-DPMNE, 16 ankesa të RDK për Gostivarin, 4 të BDI-së për Studeniçanin si dhe 2 ankesa të PDSH-së për komunat Çair dhe Vrapçishtë.
Komisioni pranoi vetëm dy ankesa të VMRO-DPMNE për Strugën, mirëpo votat e këtyre vendvotimeve nuk ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm të kandidatit shqiptarë Zijadin Sela, dhe andaj nuk do të ketë rivotime dhe do të shpallet fitorja e kandidatit Sela, për shkak të diferencës prej 5 mijë votive kundrejt kandidatit maqedonas.
Pas vendimit të KSHZ-së, partitë kanë të drejtën e kallëzimeve penale në Gjykatën Administrative, e cila në afat prej 48 orëve duhet të jap vendimet, me ç`rast edhe finalizohet rezultati i zgjedhjeve lokale në Maqedoni.(INA)