Autor: Tariq Ramadan*
Mjaft nga mësimet klasike fetare lidhur me muajin e Ramazanit insistojnë në respektimin e rregullave ashtu sikurse dhe në dimension të thellë shpirtëror të këtij muaji agjërimi, privimi, adhurimi dhe meditimi. Teksa e shohim më nga afër, kuptojmë se ky muaj bashkërendit kërkesa në dukje kundërthënëse, të cilat megjithatë së bashku përbëjnë universin e besimit. Peshimi i këtyre dimensione të ndryshme është përgjegjësi e secilës ndërgjegje, e çdo gruaje, çdo burri dhe çdo bashkësie besimi, kudo që ndodhet. Kurrë nuk mund ta theksojmë sa duhet rëndësinë e këtij “kthimi te vetja” që kërkohet gjatë kësaj periudhe agjërimi.
Ramazani është një muaj i ndryshimeve të befta – dhe kjo është e vërtetë këtu më shumë se kudo tjetër. Në zemër të shoqërisë sonë të konsumit, në të cilën jemi mësuar t’i qasemi lehtësisht mallrave dhe pasurive, dhe drejt së cilës shtyhemi nga individualizmi i theksuar i jetës sonë të përditshme, ky muaj kërkon nga të gjithë kthim në qendrën dhe në kuptimin e jetës sonë.
Në qendër është Zoti dhe zemra, sikurse na e kujton Kur’ani: “dhe dijeni se Allahu ndërhyn mes njeriut dhe zemrës së tij” (përkth. Nahi & Ahmeti). Në qendër, gjithkujt i kërkohet të rinisë përsëri dialogun me Më Të Lartin dhe dhe Më Të Afërtin – një dialog intimiteti, sinqeriteti, dashurie. Të agjërosh është të kërkosh – me kthjelltësi, durim dhe besim – drejtësinë dhe paqen me veten. Muaji i Ramazanit është “muaji i kuptimit”: … Përse kjo jetë? Ç’është Zoti në jetën time? Po nëna dhe babai – ende gjallë apo të shkuar tashmë? Po fëmijët e mi? Familja ime? Bashkësia ime shpirtërore? Pse ky univers dhe ky njerëzim? Çfarë kuptimi i kam dhënë jetës sime të përditshme? Cilit kuptim jam në gjendje t’i qëndroj besnik?
Profeti Muhamed (a.s.) ka paralajmëruar: “Disa njerëz fitojnë nga agjërimi i tyre vetëm uri dhe etje.” Ai fliste për ata që agjërojnë po aq mekanikisht sa dhe hanë. Ata privojnë veten nga e ngrëna me të njëjtën mosdije dhe me të njëjtën shkujdesje sa edhe hanë e pijnë. Në fakt, ata e transformojnë agjërimin në një traditë kulturore, një kremtim mondan, madje edhe një muaj banketesh dhe të ashtuquajturash “netë të Ramazanit.” Një i agjërim i skajshëm tjetërsimi – një agjërim kundër kuptimit.
Ndërsa ky muaj na shpie drejt horizontesh të thella introspeksioni dhe kuptimi, ai na kujton rëndësinë e detajit, saktësisë dhe disiplinës në praktikat tona. Dita e saktë e fillimit të Ramazanit duhet të vlerësohet në mënyrë rigoroze; ora e saktë para agimit në të cilën duhet ndaluar e ngrëna; lutjet që duhen kryer “në çastin e caktuar” dhe ora e saktë e përfundimit të agjërimit.
Pikërisht në çastin e meditimit tonë të thellë me Zotin dhe me vetveten, bëhet e mundur zhytja në ndjenjat tona, sepse kjo rendje pas kuptimit është aq e thellë sa që duhet lejuar të anashkalojë gjithë detajet e rregullave dhe programeve. Por përvoja e vërtetë e Ramazanit na mëson të kundërtën. Nuk ka spiritualitet të thellë, as kërkim të vërtetë për kuptim pa disiplinë dhe rigorozitet në administrimin e rregullave që duhen respektuar dhe kohës që duhet zotëruar.
Muaji i Ramazanit bashkërendit thellësinë e kuptimit dhe saktësinë e formës. Ekziston një “inteligjencë e të agjëruarit” që lind nga vetë realiteti i kësaj bashkërenditjeje midis përmbajtjes dhe formës: të agjërosh me trup përbën shkollë për ushtrimin e mendjes. Ndryshimet e befta, të nënkuptuara nga agjërimi, janë ftesë për një transformim dhe një reformë e thellë të vetvetes dhe jetës, që mund të ndodhin vetëm përmes një introspeksioni rigoroz intelektual (murakaba).
Për të arritur qëllimin final të agjërimit, besimi ynë lyp një mendje kërkuese, të ndriçuar, të sinqertë dhe të ndershme, të aftë për vetëkritikë. Gjithkush duhet të jetë në gjendje ta bëjë atë për vetveten, përpara Zotit, brenda vetmisë së vet, si dhe në angazhimin midis njerëzve. Kjo është një çështje zotërimi emocionesh, përballjeje me veten dhe e marrjes së vendimeve të duhura për sa i përket transformimit jetës sonë, në mënyrë që të vijë më afër me “qendrën” dhe “kuptimin”.
Myslimanët sot kanë nevojë më shumë se kurrë më parë të pajtohen me shkollën e spiritualitetit të thellë së bashku me ushtrimin e inteligjencës rigoroze dhe kritike. Në një kohë kur frika sillet rrotull, kur dyshimi është i përhapur, kur myslimanët tundohen nga obsesioni i detyrës për t’u vetëmbrojtur dhe për të provuar vazhdimisht pafajësinë e tyre, muaji i Ramazanit është një thirrje drejt dinjitetit të tyre si dhe drejt përgjegjësive të tyre. Është parësore që ata të mësojnë të zotërojnë emocionet, të shkojnë përtej frikërave dhe dyshimeve dhe t’i kthehen përsëri thelbësores me besim dhe siguri. Është e domosdoshme gjithashtu që ata ta bëjnë rregull për vetveten të qenit rigorozë dhe të drejtë në vlerësimin e sjelljes së tyre, individualisht dhe kolektivisht. Vetëkritika dhe introspeksioni kolektiv janë thelbi në çdo hap për të arritur një transformim të vërtetë brenda bashkësive dhe shoqërive myslimane.
Në vend të fajësimit të “atyre që dominojnë” ose të “Tjetrit” apo “Perëndimit”, është e nevojshme të nxëmë nga mësimi i Ramazanit: ti je, vërtet, ajo çka bën me vetveten. Çfarë po i bëjmë vetes sot? Cilat janë kontributet tona në fushat e arsimit, drejtësisë sociale dhe lirisë? Çfarë po bëjmë për të promovuar dinjitetin e grave, fëmijëve apo për të mbrojtur të drejtat e të varfërve dhe njerëve të margjinalizuar në shoqëritë tona? Cilat modele spiritualiteti të thellë, inteligjent dhe veprues u ofrojmë njerëzve rreth nesh? Çfarë kemi bërë me mesazhin tonë universal të drejtësisë dhe të paqes? Çfarë kemi bërë me mesazhin tonë të përgjegjësisë individuale, të vëllazërisë dhe dashurisë njerëzore?
Të gjitha këto çështje janë në zemrat dhe mendjet tona dhe ka vetëm një përgjigje të frymëzuar nga Kur’ani të ushqyer nga muaji i Ramazanit: Zoti nuk do të ndryshojë asgjë për mirë nëse ne nuk ndryshojmë asgjë.
*Tariq Ramadan është profesor i Studimeve Islame Bashkëkohore në Fakultetin e Studimeve Orientale të Universitetit të Oksfordit. Shkrimi është botuar fillimisht në faqen e Australian Broadcasting Corporation (ABC Religion & Ethics).
EDITOR
11 years ago
previous article
Shtoje heshtjen!
next article