Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi, në një intervistë për Portalb thotë se projekti “Shkupi 2014” është gjenerator i rënies ekonomike në Maqedoni dhe në vend që të ndihmohet ekonomia, u shpenzuan qindra milionë euro në këtë projekt joproduktiv në kuptimin ekonomik. Ai gjithashtu thotë se prioritare për ekonominë e vendit janë: ndërtimi i Korridorit tetë (8), që do të lidhte portet e Adriatikut me ato Evropiane, përmes Bullgarisë dhe Shqipërisë, qoftë të rrugëve të asfaltuara apo atyre hekurudhore.
Intervistoi: Aneta Dodevska
PORTALB: A mendoni se do të paraqitet nevoja për rebalanc të buxhetit duke e pasur parasysh faktin se në tre mujorin e parë të këtij viti të ardhurat janë më të ulëta për 30 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar?
M.KUÇI: Deficiti në buxhet mes tjerash është rezultat edhe i planifikimit politik të të njëjtit. Për fat të keq, çdo vit kemi buxhet të ngjeshur, me të ardhura të parapara joreale, e kjo gjithashtu sjell edhe projekte joreale për realizim. Na ndodh që çdo vit nga disa herë të bëhet rebalanci i buxhetit, me çka shkurtohen shumë projekte të planifikuara si rezultat i planifikimit joreal e të ardhurave në vitin aktual. Për këtë, presim që së shpejti të ketë rebalanc të buxhetit, dhe më së shumti nga kjo do të pësojnë projektet kapitale, të cilat nga viti në vit transferohen vetëm sa të jenë prezentë në letër, ndërsa aspak nuk merret parasysh se me këtë më së shumti i shkaktohet goditje ekonomisë. Mosrealizimi i projekteve të infrastrukturës është atak i drejtpërdrejtë mbi ekonominë në tërësi.
PORTALB: Si e vlerësoni situatën aktuale e likuditietit të ekonomisë?
M.KUÇI: Situata aktuale në ekonominë e vendit sa i përket likuiditetit reflekton të jetë po e njëjtë me periudhat e vitit të kaluar e që neve si biznes na shqetëson sepse edhe përkundrejt ndryshimit të politikave kreditore të bankave afariste të cilat tani janë më dashamirëse për bizneset, sindromi i jo-likuiditetit të kompanive po vazhdon, sepse si duket gjenerator i tij është vet shteti. Këtë e themi me plot përgjegjësi sepse punëdhënësi më i madh në vend është po vetë shteti, dhe kur të kihet parasysh aktivitetet të cilat janë në kundërshtim të plotë me synimet e OEMVP respektivisht biznesit real, del që kjo gjendje të rezultojë e keqe.
PORTALB: Si dhe sa ndikuan zgjedhjet lokale në rrjedhat ekonomike. Subvencionet jepeshin para kohe, u aplikuan masa për punësim, por dhe u harxhua gjatë fushatës?
M.KUÇI: Sigurisht se çdo cikël zgjedhor ndikon negativisht në stabilitetin ekonomik të vendit tonë sepse kemi defokusim projektesh të cilave garnitura aktuale qeverisëse ua ndërron prioritetet, me një qëllim të vetëm, që të reflektojë sa më pozitivisht në masën që ne e quajmë elektorat e që shpesh është viktimë e këtyre lloj aktiviteteve. Kjo gjë u dëshmua edhe kësaj rradhe, ku bujqit u stimuluan me subvencione edhe pse të njëjtat nuk do të ndodhnin sikur mos të kishte zgjedhje, efekti i të cilave është diskutabil dhe në kundërshtim të plotë me qëndrimin e OEMVP. Këtë e them sepse mënyra e shpërndarjes së këtyre mjeteve nuk po i jepe efektet e duhura për vite me rradhë, gjë që le të nënkuptohet se duhet rishqyrtuar kjo lloj politike, që sipas nesh, bën pjese të politikat aktuale populiste që po përdor vite me rradhë kjo garniturë udhëheqëse. Nga këtu kemi efekte negative sa i përket investimeve të mundshme qoftë nga investitorë të vendit apo të jashtëm, sepse ato vënë në pikëpyetje politikat e qëndrueshme të cilat i gjeneron qeveria.
PORTALB: Sipas jush, cilat do të ishin prioritetet ekonomike ( projektet infrastrukturore) të cilat duhet të realizohen gjatë këtij viti?
M.KUÇI: Qëndrimi i OEMVP lidhur me projektet infrastrukturore prioritare është i njohur dhe tashmë është pjese e platformës ekonomike dhe strategjisë së saj. Mirëpo në anën tjetër, kemi veshin e shurdhër të qeverisë, e cila bile shpesh herë me mekanizmat e saj mundohet ti ndryshojë këto prioritete në bazë të bindjeve të veta politike që ajo ka e jo të një qëndrueshmërie dhe arsyeshmërie ekonomike. Ne disa herë këtë e kemi vënë në pah por që shpesh ky insistimi jonë shihet më tepër si tentim nga pozitat e një biznesi specifik etnik e jo si një strategji që do çonte vendin drejt zgjidhjes së krizës ekonomike e cila po kaplon vendin dita më ditë. Po përmendim edhe njëherë se prioritare për ekonominë e vendit janë: ndërtimi i Korridorit tetë (8), që do të lidhte portet e Adriatikut me ato Evropiane, përmes Bullgarisë dhe Shqipërisë, qoftë të rrugëve të asfaltuara apo atyre hekurudhore.
Në anën tjetër vazhdon problemi i vendkalimeve kufitare, gjegjësisht terminaleve të cilat paraqiten si fyte të ngushtë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mjeteve, e mos flasim për veshin e shurdhër ndaj vendkalimeve të reja kufitare që ne kërkojmë.
Rëndësi të veçantë në investimet kapitale ne i japim gazifikimit të rajonit me çka qeveria do të dëshmonte se nuk ka politika selektive rajonale por se është për zhvillim të barabartë rajonal, por realisht një gjë nuk po ndodh vite me rradhë.
PORTALB: Ndërtimi i projektit “Shkupi 2014” është në fazën përfundimtare. Pikërisht ky projekt është vlerësuar si gjenerator i rritjes ekonomike. Ku do të mbështetet tani rritja e projektuar?
M.KUÇI: Përkundrazi, mendojmë se ky projekt është gjenerator i rënies ekonomike në vend, pasi që mu atje u investuan shumë mjete likuide, të cilat mund t’i ndihmonin ekonomisë dhe të luajnë një lloj katalizatori në këto momente të vështira për ekonominë në përgjithësi. Në vend që ndikimi të kthehet në atë drejtim, do të thotë të ndihmohet ekonomia, u shpenzuan qindra milionë euro në këtë projekt joproduktiv në kuptimin ekonomik, u morën shuma të mëdha të hollash si borxh, të cilat jo vetëm që nuk mund të llogariten si gjenerator i rritjes ekonomike, por edhe në të ardhmen, shumë gjenerata do t’i ndjejnë pasojat nga ky shpenzim i kotë i të mjeteve në mënyrë joproduktive.
PORTALB: Gjithë kohës flitet për investime të drejtpërdrejta nga jashtë dhe për një sërë subvencionesh që u jepen investueseve të huaj. A diskriminohen ata vendas në ndonjë mënyrë?
M.KUÇI: Duhet të përmendim se OEMVP lidhur me këtë lloj të tërheqjes së investimeve të huaja është komplet për një qasje tjetërfare dhe e kemi bindjen gjithmonë s e më tepër po flitet për to se sa realisht po ndodhin dhe në vazhdim po shohim se qeveria nuk ndryshon asgjë nga kjo politikë, sepse hapin e parë që ajo do duhej të bënte, do ishte siguria që do u ofronte bizneseve të huaja dhe tanimë s’do mend se kompanitë e huaja asnjëherë nuk do mund ti joshim ne me lehtësime fiskale të cilat më tepër janë deklarative se sa reale, pa anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE. Nga këtu krijohet përshtypja se bizneset vendore anashkalohen sepse nuk ka një strategji të mirëfilltë për ko-investime gjë të cilën OEMVP e dëshiron dhe do ta shfrytëzojë të gjithë mekanizmat e mundur që në zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe në pjesët e tjera ku ajo ka shtrirje, investitorëve të huaj t’u bashkëngjitet edhe bizneset vendore, me ç’rast edhe investitorët e huaj do ndjenin siguri më të madhe.
PORTALB: Ku i shihni rreziqet kyçe të ekonomisë këtë vit?
M.KUÇI:Mendojmë se mospasja e mjeteve qarkulluese është problemi kryesor që e mundon ekonominë tonë dhe sjell deri te jo likuiditeti i kompanive. Kjo së pari gjenerohet nga obligimet e Qeverisë ndaj ekonomisë dhe më pas edhe obligimet e ndërsjella ndërmjet vet kompanive dhe kjo rrotullohet në rreth. Atje ku nevojiten projekte dhe strategji afatgjate politika është e tepërt duhet veprime konkrete. /PortAlb
EDITOR
12 years ago
previous article
Presidenti Nishani mund ta bojkotojë Samitin e Ohrit
next article
Mos hiqni dorë nga vetja…
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago