Categories
Lajme

Kulti i Asadit

NGA ARYN BAKER, JAY NEWTON-SMALL
Për ta kuptuar njeriun kundër të cilit presidenti Barak Obama deri dje kërkonte miratimin e Kongresit- dhe mbështetjen ndërkombëtare- për ta ndëshkuar për krimet që ka bërë kundër popullit të vet, duhet të kthehemi pas në kohë, në 26 qershor 1980, momenti kyç i rinisë së Bashar Asadit. Ai ishte vetëm 14 vjeçar kur dega siriane e Vëllazërisë Myslimane u përpoq të vriste të atin Hafez, presidenti i vendit. Teksa Asadi i vjetër po priste të përshëndetej me një delegacion të huaj në pallatin qeveritar për të ftuarit e huaj në Damask, atentatorët hodhën granata dore dhe shtinë me mitralozë mbi presidentin. Ky mbijetoi, e madje thuhet se shtyu me shkelm një granatë. Ajo që nuk mbijetoi, ishte Vëllazëria.
Ajo që ndodhi atë ditë dhe dy vitet në vazhdim, ndikuan thellësisht mbi rioshin që me kohë, dhe pa e pritur askush, do të merrte vendin e babait. Regjimi e goditi furishëm Vëllazërinë, me forcë vdekjeprurëse dhe një fushatë masive arrestimesh, torturash, zhdukjesh dhe vrasjesh ekstra-gjyqësore. Në vitin 1982, Hafez Asad, anëtar i pakicës alavite myslimane, bëri sforcimin final për ta hequr qafe Vëllazërinë nga Siria, anëtarët e së cilës vinin nga shumica sunite e popullsisë. Me një sulm brutal mbi bastionin e tyre në Hama, një qytet antik 215km në veri të Damaskut, ushtarakët rrafshuan xhamitë dhe karvan-sarajet që datonin që në epokën e lindjes së Islamit. Lagje të tëra u sheshuan nga buldozerët, diku tek 10-30 mijë njerëz u vranë. E gjithë udhëheqja e Vëllazërisë u likuidua, e po ashtu dhe familjet e tyre. Në një raport mbi masakrën, grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International theksoi se ushtarët e qeverisë paskëshin hedhur gazin vdekjeprurës cianid nëpër shtëpitë e dyshimta, duke shfarosur gjithçka e gjithkënd pa dallim.
Për një sy të jashtëm, shkatërrimi i Hamas ishte një krim i llahtarshëm kundër njerëzimit, ku nuk mungoi gazi helmues kundër civilëve të pambrojtur, një vepër e dënuar ndërkombëtarisht që pas Luftës së Dytë Botërore. Por djaloshi Asad, sipas disa njerëzve që e njohin mirë, i pa veprimet e babait Hafez nën një dritë krejt tjetër. Nëse Siria e unifikuar dhe regjimi me dominancë alavite duhej të mbijetonin, çdo shenjë rebelimi duhet goditur që në rrënjë, mësoi ai nga i ati. Çdo sinjal kundërshtie përbën një kërcënim serioz që duhej shpëlarë me forcë dhe sa më shpejt; në dreq vafshin ligjet ndërkombëtare.
Tre dekada më vonë, Bashari që bëri 48 vjeç më 11 shtator, po bën një luftë civile në stil mjaft të ngjashëm me Hafezin. Ushtria e tij po rrafshon qytetet siriane në duart e rebelëve kryengritës – të cilët në shumicë janë sunitë – dhe forcat e tij po masakrojnë kundërshtarët e armatosur njësoj si civilët. Shifra e viktimave nga fushata e Basharit i kalon të 100 mijët në dy vite e gjysmë luftë; duke eklipsuar kështu me të tepërt viktimat e Hafezit gjatë fushatave kundër Vëllazërisë. E po ashtu, Bashari ja ka kaluar të atit edhe në përdorimin e armëve kimike të shkatërrimit në masë: Sipas administratës së Obamës dhe qeverive të tjera si Britania, Franca e Turqia, më 21 gushtin e kaluar ushtria e Asadit ndërmori një ofensivë me armë kimike kundër disa lagjeve të kontrolluara nga rebelët në Damask, duke vrarë deri në 1400 vetë.
Por ndërsa Hafezi mori vetëm disa vërejtje ndërkombëtare për sulmin në Hama, Bashari po përballet me mundësinë e sulmeve ajrore ushtarake amerikane. Në Uashington, ligjvënësit ende debatojnë mbi përgjigjen e duhur ndaj këtij sulmi kimik mbi civilët; a është ende në plan një goditje e vetme, për ta bindur atë të mos përdorë më këto armë, apo duhet një sulm vendimtar për ta nxjerrë jashtë loje ushtrinë e regjimit, e kësisoj për t’u dhënë shans rebelëve që ta rrëzojnë nga pushteti? Në Damask, reagimi mbeti refuzues dhe sfidues. Në intervistën e tij për francezen le Figaro, Asadi e cilësoi Obamën “të dobët” dhe paralajmëroi se sulmi kundër tij do destabilizonte krejt Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, ai e hodhi poshtë idenë e një negocimi politik me rebelët, duke thënë se “në masën 80 apo 90%, ata janë terroristë të lidhur me Al Kaedën”. E vetmja marrëveshje me ta, është shfarosja, tha Asadi. Ata pak dëshmitarë perëndimorë në Damask, kanë pohuar se këto ditë ushtria po lëvizte dhe zhvendoste asetet e veta ushtarake mes zonave civile, në pritje të sulmeve ajrore perëndimore.
Dhe në qytetin ku babai i tij Hafez i mbijetoi një atentati, i biri është i bindur se do mbijetojë ndaj armiqve, të brendshëm dhe të jashtëm. Zyrtarë dhe të afërm të diktatorit, thonë për Time se Bashar beson që lufta civile është një përsëritje e betejës së të atit kundër Vëllazërisë Myslimane. “Fanatikët myslimanë për pak e vranë babanë e tij, dhe ata janë rikthyer”, thotë një ish zyrtar i regjimit që ende mban lidhje me Asadët, “ai beson se është bastioni i fundit i rezistencës kundër kërcënimit terrorist islamik. Nuk e vret shumë mendjen nëse populli i vet mund ta quajë vrasës këto 10 vjet, sepse e di për pas 100 vjetësh do ta quajnë hero”.

 
ZGJEDHJA E DYTË 
Por le ta lëmë mënjanë heroin. Hafez al Asad nuk e kishte projektuar Basharin për diçka më shumë sesa një shënim i shkurtër në historinë e Sirisë. Presidenca dhe trashëgimia e pushtetit ishin rezervuar për vëllanë e madh Basel, një atlet karizmatik që gëzonte favoret e të atit. Hafezi e trajnoi Baselin si për luftë, edhe për politikë që në moshë të re, i bindur që djali i tij i madh e personifikonte më së miri vizionin e Sirisë së fortë e të bashkuar. Bashari, i dyti nga katër djem, u mbajt larg shkollimit ushtarak e politik. Asadi i madh, që e kishte pësuar në kurriz konfliktin me vëllanë e etur për pushtet (ku përfshihet edhe një tentativë për grusht shteti), donte të sigurohej se Baseli, si trashëgimtar i përcaktuar, nuk do të përballej me konkurrencë të ngjashme, siç thotë autori britanik Patrik Sil, mik i vjetër familjar dhe autor i një biografie të Hafezit.
Sipas miqve të fëmijërisë, Bashari ishte një student kokëfortë, i mbyllur dhe me humor të ndryshueshëm, por gjithsesi modest dhe besnik. Ai mendohet gjatë, thonë miq e kolegë, dhe e ka të vështirë të marrë vendime. Shpesh, ka tendencën të dëgjojë këshillën e personit të fundit me të cilin është konsultuar. Kjo pavendosmëri, kombinuar me kokëfortësinë e rreptë, është rrënja e sjelljes së tij shpeshherë të paparashikueshme, thotë ish zyrtari. “Ai të jep përshtypjen e të dobëtit, por kjo vjen ngaqë është tip më analitik se i ati. Ai kërkon t’i vlerësojë të gjitha këndvështrimet dhe nuk është i zoti në vendimet e shpejta”, thotë një tjetër zyrtar që së fundi është takuar me diktatorin. “Prandaj, mjekra e dobët, tek ai është një realitet fizik po aq sa edhe metaforë”.
Babai e inkurajoi t’i hynte mjekësisë, dhe ai zgjodhi ofthalmologjinë, “sepse nuk e duronte dot pamjen e gjakut”, thotë një shok i vjetër shkolle, disi me sarkazëm. “Ndaj shkoi të studiojë në London’s Western Eye Hospital” (ish shoku, si shumë të intervistuar të tjerë folën në anonimitet, nga frika e pasojave të mundshme).
Projekti i kujdesshëm i Hafezit për transferimin e pushtetit, u hodh në erë më 21 janar 1994, kur Baseli vdiq në një aksident automobilistik të shpejtësisë së lartë në aeroportin e Damaskut. Pas 18 muajsh studime në Britani, Bashari u thirr në Damask. Hafezi kërkonte që t’i përcillte djalit të dytë aftësitë qeverisëse që besonte se i duheshin Sirisë. Por Bashari rezultoi tip i zorshëm. “Hafezi ishte i dëshpëruar për ta stërvitur si lider dhe ndikuar mbi Basharin, por ky nuk ishte tipi i përshtatshëm”, thotë Patrik Sil. Mjeku i ri ishte i çuditshëm dhe i mungonte ajo karizmë që fiton besnikërinë e popullatës. “Ai ishte, dhe mbetet akoma, një folës skandaloz në publik. Belbëzon në mënyrë të pakontrolluar dhe audienca e humbet shpejt vëmendjen”.
Në një përpjekje për ta përgatitur trashëgimtarin e ri për presidencën, Hafezi i kërkoi ambasadorit të atëhershëm amerikan Rajan Kroker ta ndihmonte Basharin për të shtuar dijet mbi çështjet ndërkombëtare dhe diplomacinë. “Ishte një mënyrë e çuditshme për të përgatitur një udhëheqës të ri”, kujton Kroker, “ai nuk ulej në asnjë nga takimet e të atit. Sigurisht, ne patëm disa biseda të gjata e intensive”. Takimet zhvilloheshin në arabisht, sepse anglishtja e Asadit nuk ishte aq e mirë sa tani, edhe pse sapo kishte mbaruar shkollën në Londër. “Besoj se shkollimi i tij ka qenë pasiv; pas mësimit kthehej në shtëpi dhe e kalonte natën me miqtë e vet sirianë”, thotë Kroker, “kështu që ai mund të fliste kollaj në anglisht për operacionet e syrit, por nuk kishte fjalorin e duhur politik e ekonomik”.
DIKTATOR ÇARMATOSËS 
Kur Bashari realisht e zëvendësoi Hafezin në pushtet, në vitin 2000, shumë sirianë panë tek ai shpresat për ndryshim – për reforma të brendshme demokratike, marrëdhënie më të mira me Perëndimin, për një komb harmonik shumëetnik brenda zonës më problematike të globit. Mendohej se Asadi i ri ishte më komod përballë Perëndimit sesa i ati. Tek e fundit, ai kishte studiuar në Britani dhe u martua me një bankiere elegante siriano-britanike me emrin Asma, e cila më vonë do zinte kopertinën e revistës Vogue. Pëlqente kompjuterët dhe ishte autori i futjes së internetit dhe telefonave celularë në Siri. Nuk i pëlqente plani i parë dhe protagonizmi, e madje urdhëroi heqjen e posterave të shumtë të babait dhe të familjes që ishin të kudondodhura nëpër dyqane e rrugë. Pranoi edhe se ishte fans i këngëtarit Fil Kollins dhe ishte një fotograf amator me shije.
Qeveritë perëndimore u çarmatosën nga një lider që dukej shumë i butë për të qenë diktator. Në prag të vizitës së tij të parë shtetërore në Britaninë e madhe, në dhjetor 2002, diplomatët britanikë u përpoqën pa sukses, të rregullonin një urdhër kalorsie të mbretëreshës për të. Sidoqoftë, Italia ja akordoi Basharit urdhrin e vet më të lartë, Urdhrit e Meritave të Republikës Italiane. (Që u revokua vitin e kaluar). Por vëzhguesit amerikanë, të vëmendshëm ndaj lidhjeve të tij me grupin terrorit libanez të Hezbollahut, qenë më të kujdesshëm mbi liderin e ri të Damaskut; dhe i hapën edhe më shumë sytë, kur Bashari mbyllte njërin sy ndaj grupeve xhihadiste që përdornin territorin sirian për goditje kundër trupave amerikan në Irak në vitet 2003-07. E megjithatë, sekretari i sotëm i Shtetit Xhon Kerri, si shef i atëhershëm i komitetit të senatit për Marrëdhëniet e Jashtme, e takoi disa herë Asadin, duke e vizituar edhe në Damask në vitin 2009. Kerri zhvilloi një marrëdhënie të mirë me Asadin, dhe në një sesion pyetje-përgjigje që bëri senatori më 16 mars 2011, një ditë pas nisjes së protestave të fuqishme që sollën luftën civile, Kerri shprehu besimin se Asadi do t’i përmirësonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Por Dejvid Les, profesor historie në Trinity University të Teksasit, që e ka takuar rregullisht Asadin në periudhën 2004-09 si proces i shkrimit të dy librave mbi të dhe Sirinë, thotë se afrimiteti i tij me ndikimet perëndimore (si Fil Kollins) ishte iluzor. Këto detaje e ndihmonin Asadin për krijimin e një imazhi pro-perëndimor, thotë Les, “kur në fakt ai ishte një fëmijë i konfliktit arabo-izraelit, një produkt i Luftës së Ftohtë dhe djalë i Hafez al Asadit”.
Ashtu si i ati, Asadi me kohë zhvilloi dëshirën e kultit të individit. Posterat që ai urdhëroi të hiqeshin, u zëvendësuan nga të tjerë që tregonin presidentin e ri. “Në ‘rizgjedhjen’ e tij të vitit 2007, ai ishte kandidati i vetëm, dhe fitoi me 97% të votave”, thotë Xhon Alterman, ekspert i Lindjes së Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, që e ka takuar dy herë Basharin në Damask. Les thotë se e ka pyetur Asadin për votimin 97%, ky ja ktheu se kjo tregonte që populli e donte dhe kishte nevojë për të. “Nga kjo kuptova që ai e kishte mbledhur mendjen të ishte president i përjetshëm”.
Dhe ende mund të jetë. Në vitin e tretë të luftës së brendshme, ushtria e Asadit mbetet e fortë dhe me furnizime të mira, madje ja ka dalë të rimarrë disa pika kyçe nga rebelët. Vetëm pak zëra në Perëndim ende kërkojnë sulme ushtarake mbi Sirinë, sidomos nën perspektivën që vakumi i pushtetit të mbushet nga grupe islamike shumë më radikale se ato që tentuan t’i vrasin të atin. Kjo frikë, po ashtu mban bashkuar rreth presidentit shumë grupe etnike të pakicave. Les thotë: “Besoj se edhe me zgjedhje të drejta e të lira, po të mbaheshin sot, Bashari sërish do fitonte. Jo sepse e do populli atë dhe regjimin, por sepse nuk shohin asnjë alternativë”.
 
Nga revista Time 

Exit mobile version