Se njerëzit janë bamirës dhe dëshirojnë të ndihmojnë ata që janë në nevojë këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Këtë e dëshmuan edhe njeherë qytetarët e Kumanovës dhe rrethinës me vepra konkrete. Bëhet fjalë për bujarinë e treguar në aktivitetin e titulluar “Shporat e Ramazanit” që çdo vit e më shumë po merr përmara më të mëdha. Ky aktivitet i organizuar nga Forumi Rinor Islam dega në Kumanovë dhe Shoqata Edukative Vllaznia edhe sivjet sikur edhe gjatë viteve të kaluar, në muajin e ramazanit ishte një mundësi e mirë që gjithë ata që kanë shpirt bamirësi, por edhe mundësi materijale që të ndihmojnë ata që më së shumti kanë nevojë. Bëhej fjalë për një pako me produkte elementare ushqimore me vlerë prej 300 denarë (5 euro) që qytetarët paguanin në ndonjërin prej marketeve ku ishte vendosur tezga e këtij aktiviteti.
“Sivjet si asnjë vit më parë, nga ky aktivitet janë tubuar mbi 3000 shporta. Edhe përkundër situatës së rëndë ekonomike qytetarët kanë dëshmuar bujarinë e tyre dhe kanë ndarë prej pasurisë së tyre për jetimët dhe familjet në nevojë. Besoj se veç më është krijuar edhe besimi dhe qytetarët janë mishëruar me këtë aktivitet që e dinë si të vetin dhe e kanë kuptuar obligimin, të themi kushtimisht, që kanë ndaj këtij aktiviteti, duke u falënderuar përzemërsisht të gjithë atyre që paguan edhe së paku një shportë dhe duke e lutur Allahun që t’i shpërblejë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh kryetari i Sh.E.Vllaznia, z. Milazim Mustafa.
Me këtë aktivitet janë prekur të gjithë vendbanimet, konkretisht me pako të shportës janë ndihmuar të gjithë lagjet e qytetit, të gjithë fshatrat e rrethinës së Kumanovës dhe Likovës dhe më gjërë.
“Nuk kemi lënë lagje apo fshat pa dërguar ndihma. Veç më i kemi parasysh dhe në listat tona i kemi familjet që kanë gjendjen më të dobët ekonomike, por edhe një falënderim me kryetarët e bashkësive lokale, hoxhallarët dhe miqtë tanë nëpër fshatra që po na e lehtësojnë këtë punë. Sivjet kishim pak më tepër vështirësi sa i përket shpërndarjes për shkak se kishim dyfishim të numrit të shportave, por ia dolëm. Një falënderim të veçantë për aktivistët e FRI-së dhe Sh.E.Vllaznia që dhanë maksimumin që ky aktivitet të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, ishte përshtypja e kryetarit të FRI-së dega në Kumanovë, z. Berat Limani i cili na garantoi se ky aktivitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen me tendencë zgjërimi dhe zhvillimi edhe më tej.
Përndryshe, aktiviteti Shporta e ramazanit në qytetin e Kumanovë është duke u realizuar për disa vite me radhë, duke u prezantuar si një aktivitet që në masë të madhe lehtëson rrugën atyre që dëshirojnë të ndihmojnë edhe atë në formë të thjeshtë, të lehtë dhe të sigurtë./albtime