Të gjithë e duam lojën. Edhe pse jemi të rritur,kemi kryer fakultete e shkollime pas diplomike…!!! E duam lojën pasiqë është mjet efikas kundër stresit. Në këtë botë teknologjike është vështirë të gjesh njerëz të pastresuar. Dertet dhe hallet e tyre ekonomike, politike, sociale e religjioze njerëzit i bëjnë që të hidhen në botën e depresionit dhe të bëhen rrogëtar të stresit.
Psikologët e dinë se stresi nuk njeh shtresa shoqërore ose religjioze. Të gjithë i kap. Dikë më pak e dikë më shumë, prandaj edhe rruga e lojës është njëri prej modeleve që i largon njerëzit prej realitetit të botëve të tyre.
Por, protesta nuk është lojë. Ajo është më shumë kupë pa kapak. Ndoshta deri dje ka pasur kapakun duke u fshehur në shishet e coca-colës. Protesta është një botë mllefi ose mllef i fshehur në botën e brendshme të njeriut. Nëse vendet e ndryshme të Ballkanit llogariten si bure të mbushura me barut që një ditë do të plasin, Maqedonia ka prodhuar shumë bure-njerëz të mbushur me barut që një ditë do të shpërthejnë.
Sipas fjalorit elektronik shpjegues me termin protestë nënkuptojmë:” Kundërshtim i vendosur për një padrejtësi a për një veprim të paligjshëm; shprehja në mënyrë të prerë e mospajtimit me diçka.”
Ndërsa, padrejtësia si fenomen krijon shumë raste sociale të cilat raste kalojnë vijën e kuqe dhe shndërrohen në raste parasociale. Në librin ‘ Fjalor i sociologjisë’ të autorit dr. Ali Pajaziti, libër i botuar nga Logos-A në Shkup në vitin 2009, në faqen 474, termi parasocial përshkruhet në këtë mënyrë:” Diçka që shkon përtej normave sociale. Parashtesa para- me prejardhje latine, do të thotë ‘ përtej normales’. Përshembull një person që shikon një seria filmik për një periudhë kohore, mund të krijoj iluzionin se ka lidhje me personat televizivë, dhe kjo lidhje mund të ndikojë dhe t`ia ndryshoj jetën. Kjo, në përgjithësi është ngjarje e pavetëdijshme meqë subjekti s`e kupton se çka po ndodh. Raportet e këtilla njihen si parasociale.”
Në shoqërinë moderne të Maqedonisë, shtresat e varfra dhe mesatare, pjesa dërmuese e tyre mund të duken si parasocial. Njerëz të varur direkt prej mediumeve dhe serialeve turke, spanjolle, indiane, kanë humbur sensin e aksionit dhe realitetit me të cilin përballen. Bota e mbyllur para televizionit ose vetëm para kompjuterit është një botë që krijon shtresa njerëzish të egër. Ndërsa, si në aspektin kombëtar, duke u nisur nga traditat e të parëve tanë, po ashtu edhe në aspektin fetar duke u bazuar në jetën e Pejgamberit Muhammed alejhi selam, ne si popull obligohemi që të përzihemi me njerëzit, të punojmë me to, t`i vizitojmë, t`i durojmë karakteret e tyre, po edhe të jemi pjesë aktive në zgjidhjen e problemeve të ndryshme shoqërore. Tek populli shqiptar gjithmonë ka ekzistuar tradita e besës dhe e ndihmës. Nëse nuk arrij të ndihmoj në mënyrë konkrete, do të ndihmoj në mënyrë abstrakte duke mos të penguar në veprimtarinë tënde progresive në shoqëri.
Nikolla Gruevski dhe partia e tij, gati qe një dekadë po qeverisin me të gjitha sferat e shoqërisë në Maqedoni. Vetëm gjatë qeverisjes së tij ka pasur një mori protestash, ose njerëzish të pakënaqur me kushtet që ia afron kjo qeveri për jetesë.
Protestat të cilat kanë ndodhur vetëm gjatë kësaj qeverie kanë qenë të ngjyrave dhe natyrave të ndryshme. Disa kanë qenë protesta politike, një pjesë prej tyre protesta fetare, ndërsa pjesa tjetër protesta sociale.
Maqedonia definon vetveten ose definohet përmes politikanëve që qeverisin me të si një shtet social. D.m.th orientimi i secilës qeveri në këtë shtet duhet të jetë drejtë zgjidhjes së problemeve sociale me të cilat probleme ballafaqohen qytetarët e saj për çdo ditë. Në vend të zgjidhjes së këtyre problemeve, Nikolla Gruevski po përdor politikat e Justinianit të parë, duke krijuar raste sociale përmes metodave të dhunës.
Taksat janë shtuar, madje edhe taksa radiodifuzive është bërë taksë që po tregon dhëmbët e Nikolla Gruevskit. As rastet sociale nuk janë të liruara prej kësaj takse. Ata detyrohen që ta paguajnë atë ose përndryshe në mënyrë të dhunshme do të përballen me makinerinë e Nikolla Gruevskit.
Çmimi i energjisë elektrike për çdo muaj vetëm se po rritet. Qeveria e Maqedonisë nuk është duke ndërmarr asnjë masë në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike duke thyer monopolin, por përkundrazi, apo po mbështet orekset e EVN-së duke shuar të gjitha ato zëra që janë çuar kundër ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike.
Të ardhurat për fëmijët që janë në shkollë kanë hyrë në thikat e të dalave që duhet të japin qytetarët për t`i rregulluar dokumentet e tyre.
Shërbimet intelektuale që kryejnë disa qytetar të caktuar për projektet e qeverisë, paratë i marrin pas tri katër viteve, duke hequr të zitë e ullirit deri në momentin përfundimtar.
Është reale se një pjesë e madhe e qytetarëve maqedonas në pjesë të ndryshme të Maqedonisë janë punësuar në disa fabrika të huaja, ndërsa shqiptarët e tërë Maqedonisë të vetmen shpresë për punësim kanë Sekretariatin për implementimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Këto padrejtësi që përmenda dhe shumë padrejtësi tjera që nuk përmenda këtu kanë nxitur shumë qytetar që të dalin në protesta dhe të protestojnë për të drejtat e tyre. Por, fatkeqësisht në organizimin e këtyre protestave, qytetarët e Maqedonisë gjithmonë kanë dështuar.
Dy llojet e protestave që janë bërë në këtë periudhë ( periudha e qeverisjes së Nikolla Gruevskit), kanë qenë protestat ku janë ditur organizatorët e tyre dhe protestat pa organizator.
Në protestat ku janë ditur organizatorët e tyre, si për shembull: protesta e mjekëve, protesta e taksistëve të palicencuar, protesta e qytetarëve kundër varfërisë, protesta për mbrojtjen e truallit të Burmali Xhamisë, protesta kundër ndotjes ekologjike, protesta kundër fyerjes së besimtarëve mysliman në karnavalin e Vevçanit, numri i protestuesve ka qenë simbolik, ose jashtëzakonisht shumë i vogël. Ndërsa protesta pa organizator për rastin ‘ Monstra’ ka ndryshuar të gjitha parashikimet.
Kjo gjë dëshmon se në Maqedoni, shumica e rasteve sociale janë shndërruar në raste parasociale duke jetuar në një botë filmash. Ata të varur prej filmave harrojnë realitetin në të cilin jetojnë, ndërsa kurrizin e tyre për çdo muaj ia japin faturave të Nikolla Gruevskit.
Maqedonia për të ndryshuar fizionominë politike dhe ekonomike, duhet që të marr shembull Bosnjën dhe Hercegovinën. Të rinjtë e Bosnjës dhe Hercegovinës si duket nuk po jetojnë në botën e filmave seria turq e indian. Ata nuk po e durojnë më shndërrimin ne poltronë politik.
Për ata që se dinë se çka d.m.th poltronë, fjalori elektronik shpjegues jep këtë definicion:” Ndenjëse prej dërrase, prej purtekash të holla etj., me mbështetëse shpine, për një njeri ose për dy-tre veta; kolltuk.”
Categories