Atletiko i Madridit mposht 2-1 Realin në derbi dhe fiton Kupën e Mbretit 2013.
I pati të gjitha “lufta” në “Bernabeu”: Gola, lojë të bukur, emocione, shtylla, pritje spektakolare, raste të humbura, nervozizëm, kartonë të verdhë (13), të kuq…
Vendasit zhbllokuan ndeshjen në minutën e 14-të me një goditje me kokë të Kristiano Ronaldos, por Diego Kosta riktheu baraspeshën në të 35-ën. Me rezultatin 1-1 u mbyll 90-minutëshi i rregullt, ndërsa në të 98-ën Miranda realizoi golin e suksesit për bardhekuqtë e Diego Simeones.
Hoze Mourinjo e ndoqi nga tribuna një pjesë të mirë të ndeshjes, pas kartonit të kuq të marrë në minutën e 76-të si pasojë e protestave ndaj gjyqtarit.
Ndërkaq, në të 114-ën Kristiano Ronaldo ra pre e nervozizmit dhe u përjashtua nga loja pas një ndërhyrjeje ndaj Gabit, i cili gjithashtu e përfundoi më herët sfidën pas dy kartonëve të verdhë.
Tifozët e Realit, të cilët shfaqën edhe një banderolë ku shkruhej “Kosova është Serbi”, në çastet e nervozizmit që përfshiu edhe stafet e të dy ekipeve, hodhën sende në fushë dhe qëlluan portierin Tibo Kurtua. Ky i fundit kishte jo pak meritë në suksesin e Atletikos, i pari pas 14 vitesh në derbi.
Kështu, e mbyll duarbosh këtë sezon Reali, me kampionatin që i shkoi Barcelonës dhe eliminimin në gjysmëfinale nga Dortmundi në Champions.
/Start/
Real Madrid 1-2 At. Madrid footyroom.com by footyroom
Categories