Amerika e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, nuk ishte Amerika e sotme në qasjen ndaj Islamit.
Javën e kaluar, gjykata amerikane arrestoi një kopt me origjinë egjiptiane Nikola Basael, pasi kishte thyer kushtet e arrestit shtëpiak, pas plaçkitjes së një banke dy vite më parë. Pra, jo për shkak se prodhoi një film blasfemik kundër profetit Muhamed a.s, profet të cilin Amerika e ka nderuar para 77 vitesh, në rezidencën e gjykatës më të rëndësishme në SHBA.
Nderimi i profetit Muhamed a.s ndodhi dhjetë vite para takimit historik mbi bordin e anijes luftarake amerikane në kanalin e Suezit në vitin 1945, mes mbretit të Arabisë Saudite Abdul Aziz dhe presidentit amerikan të cilin populli i dha katër mandate, Franklin Ruzvelt.
Nderimi i profetit Muhamed a.s u bë në kohën e Charles Evans Hughes, politikanit dhe avokatit amerikan, i cili ka qenë sekretar shteti, kandidat i pafat në zgjedhjet presidenciale, si dhe kryetar i gjykatës së lartë në SHBA, institucion i cili në vitin 1935 nderoi profetin Muhamed a.s.
Gjykata e nderoi profetin Muhamed a.s me një pllakë dekorative e cila gjendet në rezidencën e Gjykatës Supreme të SHBA. Ajo është vendosur në krah të djathtë të dhomës së gjykatave në murin lindor të rezidencës. Autori i statujës që simbolizon profetin Muhamed a.s, përkrah shumë figurave të tjera botërore, qëllimisht i ka vënë në dorën e majtë një Kuran, shpalljen hyjnore të qiellit, kurse në dorën e djathtë një shpatë, simbolin e fuqisë së drejtësisë dhe ligjit.
Poshtë pllakës, është skalitur deklarata e institucionit më të lartë kushtetues të amerikanëve, se “Profeti Muhamed është një nga ligjvënësit më madhështorë në botë” dhe se “Kurani ofron burimin themeltar të kushtetutës, ligjet e të cilit i ka interpretuar dhe konsoliduar vetë profeti Muhamed a.s.”
Emri i profetit Muhamed a.s, është emri i profetit të vetëm të skalitur përbri nëntë emrave të tjerë. Në anën tjetër të murit, gjenden dhe emrat e profetit Musa a.s dhe Sulejman a.s.
Mesa duket, artisti që e ka skalitur figurat më të shndritura të SHBA, ka shtuar dhe disa fjalë të tijat poshtë statujës së profetit Muhamed a.s, gjë e cila duket qartë nga teksti. Ai thotë se imazhi i mësipërm, nuk ka asnjë ngjashmëri me profetin Muhamed a.s dhe se myslimanët refuzojnë çfarëdo lloj imazhi fotografik apo skulpturor të profetit të tyre. /ardhmeriaonline/