Forumi Rinor Islam – dega në Shkup, në ambientet e qendrës rinore, këtë të diel ka realizuar tribunë fetare me hoxhën e mirënjohur nga Shqipëria, Tahir Zenelhasanin.
Takimi filloi me leximin e ajeteve të Kuranit Fisnik, nga Ali Mexhiti, për të marrë fjalën përshëndetëse kryetari i degës së Shkupit, Afrim Demiri.
Profesori i nderuar e filloi ligjërimin e tij duke sqaruar rrugën e besimtarit, dhe se si sjellja dhe vepra jonë janë treguesit më të mirë të saj.
“Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur te Zoti se besimtari i dobët, po në të gjithë ka hajër!” – shpjegoi ai, duke i vënë theks në motivimin për tu ballafaquar me telashet e kësaj bote. Mesazhi kryesor i kësaj pike ishte që të krijojmë ambient që Zoti të jetë me ne kudo.
Në pjesën e fundit të tribunës fokusi ishte tek raportet me jetën, ahiretin dhe njerëzit; si dhe pjesëmarrësit iu drejtuar profesorit me pyetjet e tyre.
Shpresojmë dhe besojmë që takime të këtilla me njerëz si profesor Tahiri janë të dobishme në të gjitha aspektet e jetës dhe ahiretit, së pari për rininë dhe për të gjitha shtresat e shoqërisë.
Shkup, 23 tetor 2022