Categories
Opinione

Kur humbasim tabelat e orientimit!

Kur një ditë shkova për të firmosur një dokument në spitalin më të madh në Tiranë, në ato korridore si tunele, ishte pak e vështirë të gjeje zyrën e duhur. Pyeta një doktoreshë se ku ndodhej X zyrë, dhe ajo mu përgjigj me bindje: ja atje tek polici!
-Më fal, por polici është duke ecur me të shpejtë-iu përgjigja. Ajo buzëqeshi dhe më drejtoi më pas vetë tek zyra që kërkoja. Në mungesë të tabelave orientuese, (shenjë e papërgjegjshmërisë), këtu njerëzit të identifikojnë me objekte që lëvizin dhe hajde gjeje më pas pikën e orientimit të duhur. Duke mos qenë të qartë në atë çka veprojmë dhe mendojmë, shpesh situata të tilla të çojnë në zgrip. Kështu, kaq vite, të humbur nga mungesa e tabelave të orientimit, merremi vazhdimisht me çështje të vogla që zgjasin pafundësisht. Në këtë vrug çorientimi më së shumti gjenden edhe partitë politike dhe koalicionet e formuara së fundi, dhe kjo të bën të mendosh se ideologjia dhe qëllimi nuk është më busull orientimi, por thjesht një mjet për të gjetur “tabelën” që të orienton për të përfituar sa më shumë. Në laramaninë e partive shpesh edhe pa program, është e vështirë të zgjedhësh të duhurën, atë që mendon se i përshtatet bindjeve të tua. Për pos kësaj, ky grumbull i madh partish, u rreshtuan midis dy shtyllave të mëdha të orientimit, për të grumbulluar më pas të gjithë qytetarët e mundshëm votues. Dy partitë e mëdha, ia kanë arritur edhe një qëllimi tjetër; atë të copëtimit të çdo elektorati unik.
Çamët janë ndarë në dy pjesë, një gjysmë tek e djathta dhe një gjysmë tjetër tek e majta, po kështu edhe minoritarët grekë. Edhe të përndjekurit, ose komunistët, e madje, ky bashkëpunim që ndërlidhët pa “interes tabelash orientimi”, ka bërë që edhe fetarët të bashkohen me ateistët. Ja që politika qenka vetëm se një kompromis, por mbi të gjitha një kompromis i rëndomtë, ky detyrimisht i mungojnë parimet. Dhe si gjithnjë, gjendet një arsye për të legjitimuar të gjitha lëvizjet në këtë terren ku mungojnë semaforët jeshil dhe ku qarkullimi bëhet si gjithnjë në kaos. Politika e dëshiron këtë, sepse kështu gjen mënyra për të depërtuar në sa më shumë “sokake” të shoqërisë, e për të mbërthyer pas vetes jo njerëzit e arsyeshëm që besojnë në programe, por simpatizantët që votojnë në mënyrë emocionale.
Pjesa tjetër, ajo që shpesh quhet “gri” qëndron mënjanë, duke mos i besuar as premtimeve dhe as programeve që jo rrallë na ka ndodhur të na jenë servirur si libra të trashë, por krejt bosh brenda tyre. Në diktaturën e imazhit dhe gjithnjë në sulm me “shigjetat” e bindjes, ata edhe kësaj here do të gjejnë plot motive për t’u paraqitur të mburrur me atë çka dëshirojnë të thonë, por që në fakt, është krejt e vakët, e rëndomtë dhe e zakonshme. Kemi dy dekada që i dëgjojmë të njëjtat përralla, por ata mbetën sërish të njëjtë, me qëllimin e vetëm të marrin ç’të mundin nga pjesa e “luanit” të shtetit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version