Me ju, muslimane të devotshme, mund të prehet shoqëria; të ndryshojë e të përmirësohet, nëse jeni që respektoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij!
Shkruan: Avni Tafili
Ti që ke Zot Allahun, e ndaj Tij je e dëgjueshme dhe e respektueshme. Ty që të mundon gjendja e shoqërisë. Ty që po të mundon pabesia, padrejtësia, pavetëdija, urrejtja e armiqësia. Ty të drejtohem, ty që po pengohesh të zbatosh urdhrat e Zotit tënd, ti që ke ndërgjegje të zgjuar e ke zemër të mbuluar e të mbrojtur nga syri i keq, e nga zemrat e sëmura e mendjet e ulëta. Ti që ke synuar të jetosh nën hijen e mëshirës së Zotit tënd, e ke vënë mbulesën, jo në mendje; ti që synon të zbatosh urdhrin e Krijuesit tënd, ta vësh hixhabin, e t’i thuash “Mjaft luftës kundër Zotit tim e kundër besimit tim!” Ty të drejtohem, po edhe atyre motra muslimane, që ende janë thuajse të detyruara të jenë nën ndikimin e së keqes; të cilave, dinjitetin po duan t’ua zvetënojnë, me arsyetime e justifikime të rrejshme.
Kur burrat para padrejtësisë gjunjëzohen. Kur dobësohen. Plogështohen. E kush mund ta ndryshojë këtë gjendje agonie të shoqërisë, veçse gratë e devotshme, muslimanet kur përmirësimin synojnë. E ti motër muslimane mund të jesh model i jetës së mirëqenë. Bëhu ajo që derën e së keqes mbyllë. Ti që kur ke vendosur të jesh e dëgjueshme dhe e respektueshme ndaj Zotit tënd, i ke shpallur luftë të keqes. Mirëpo, ti ende je e vetmuar, e izoluar, e pashoqe, zëri yt s’po dëgjohet, e mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Sikur të reflektoje virtytin, sikur të rinjve dhe të rejave të lëkundur në fenë e tyre, t’ua mësosh sjelljen, karakterin, dinjitetin, krenarinë, nderin; modelin e bijës së Ademit besimtar!
Me ju, muslimane të devotshme, mund të prehet shoqëria; të ndryshojë e të përmirësohet, nëse jeni që respektoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij! Ti mund t’ia përkujtosh shoqërisë shembullin e vajzës, gruas e nënës edukatore e denjë e njeriut; e shoqërisë. Ti mund të jesh ndryshimi dhe përmirësimi. Por, kur ti synon. E kur ti synon, ke për t’ia arritur! Kur ti vendos të zgjohesh, të ndikosh për mirë, shoqëria jo vetëm do të përmirësohet, por do të të jetë mirënjohëse përjetësisht. E ty të mjafton shpërblimi i pasosur i Zotit tënd.
Të të sjellë në kujtesë, se kur ty të është besuar edukimi i krijesës: njeri, do të të mjaftonte argument, që ti njëmend të ndjehesh e rëndësishme, e t’ia forcosh krenarinë vetvetes, e të bëhesh këmbëngulëse për dëgjimin e zërit të pastërtisë, të bukurisë, të devotshmërisë, derisa të jehojë zëri me “Jo!” ndaj gjendjes që po mbretëron.
Protesto padrejtësinë që shoqëria ndaj teje ushtron. Ty të mohojnë shkollimin, të mohojnë aftësinë e të qenët drejtuese në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Kur ty të cenohet dinjiteti e të shkelet, e ti mund të dëshmosh aftësi e epërsi. Jo, mos protesto, por mësyja zgjimit, lexo e studio! Angazhohu e bëhu aktive. S’ka fare rëndësi çka pëshpëritet, e keqja dhe i keqi për të pëshpëritur janë. Thyeje tabunë e epërsisë absolute të vetëshpallur të mashkullit! Dëshmo se di të lexosh e të mendosh, e di të jesh e aftë për ta ndryshuar e përmirësuar gjendjen, kur katandiset.
E pse të mos jesh drejtoresh në ndonjë shkollë? Apo profesoreshë? Apo mjekesh? Apo gjykatëse? Apo drejtuese institucioni? Apo eksperte në ndonjë fushë? Vallë, a vetëm ato gra që në një mënyrë a tjetër, të padëgjueshme e të parespektueshme ndaj Zotit, duhen të jenë të shkolluara e të integruara? Jo pra! Por ty ndoshta familja, apo burri, shkollimin s’ta mundëson e të drejtat t’i mohon! Arsyetohen në pasigurinë. Jo, nuk të inkurajojnë! Po, mund të jetë arsye pasiguria, por vallë, kur shkollat dhe ambientet do të jenë të sigurta edhe për muslimanen, e cila urdhrave të Zotit të saj respekton? Kurrë, përderisa nuk përballemi me të keqen! Kurrë, përderisa ne nuk ua plotësojmë kushtet dhe rrethanat.
Por çka kur burrat muslimanë e dëshmojnë paaftësinë për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur? Ndoshta ata luftojnë, por jo kur dhe ku duhet. Kështu nuk ka për të ndryshuar gjendja. E ti muslimane e devotshme duhesh të lëvizësh e sigurt drejt ndryshimit të gjendjes. Këtë mund ta fillosh nga bindja e vetvetes për të drejtat dhe përgjegjësitë, ndërgjegjësimi, pastaj ndikimi në familje, pastaj tek shoqet; derisa të përfshihet shoqëria me vajza e gra të vetëdijshme e të devotshme.
Ti, muslimane, e nënshtruar Zotit tënd, je ajo që ke qëllim e mision; këmbëngul, vendos e syno qëllimin dhe misionin që t’u besua, e para se ta kryesh, riktheje dhe dëshmoje.
Allahumme eslih ehvalena!
Categories