Që perceptimi i studentëve sa i takon ardhmërisë së tyre në Maqedoni është i zymtë, kjo tanimë nuk përbën asnjë lajm të ri. Të dhëna të ndryshme statistikore flasim për largim të vazhdueshëm të trurit dhe pavarësisht alarmimeve – ky fenomen nuk ka mundur të frenohet aspak. Nuk kanë munguar as projektet e ministrive të Arsimit dhe Punës Sociale për të ndalur largimin e trurit, por prapë se prapë – gjërat nuk kanë ndryshuar. Pjesa dërmuese e atyre që kryejnë arsimin e lartë vazhdojnë ti drejtojnë sytë nga bota, pasi në Maqedoni – nuk shohin perspektivë as punësimi dhe as të ngritjes profesionale mbi bazën e meritokracisë. Ky perceptim, fatkeqësisht nuk bazohet vetëm në përshtypje të çastit dhe opinionin e krijuar prej tjerëve, por edhe në bazën e analizave të ndryshme që bëjnë vetë studentët. Rezultat janë dëshpëruese dhe studentët me shumë të drejtë bëhen skeptik për ardhmërinë dhe perspektivën e tyre.
“Rrethanat e tanishme në Maqedoni nuk ofrojnë perspektivë për asnjë student në Maqedoni, pasi askush nuk ka sigurinë se mund të përparojë falë kualifikimit dhe aftësive të tyre”, thotë Ilir Rexha, kryetari i Parlamentit studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, më seli në Tetovë.
Rezultate dëshpëruese
Rexha tregon se në bazë të analizave që kanë bërë kohë më parë për punësimin e studentëve, kanë arritur në përfundim se sa më të dobët të kenë qenë gjatë studimeve, aq më të shumta i kanë pasur mundësitë për punësim. “Në bazë të analizës sonë, ka rezultuar se studentët që kanë pasur notën mesatare të studimeve prej 6 deri 7 – janë punësuar në masë shumë më të madhe se studentët që kishin notë mesatare të studimeve prej 9 deri në 10. Kjo tregon se në Maqedoni, nuk ka perspektivë të mirë punësimi për studentët e mirë dhe se punësimet bëhet mbi bazën e lidhjeve partiake apo miqësive të ndryshme”, pohon Rexha. Kjo, sipas tij, është edhe njëra prej arsyeve kryesore që studentët e perceptojnë Maqedoninë si vend pa perspektivë, pasi në radhë të parë – nuk u jepet mundësia të shprehin aftësitë e veta. “Thjeshtë, mungon hapësira e shprehjes së diturive për ata që kanë investuar gjatë viteve të studimit që të fitojnë sa më shumë dituri. Këtë e tregon dhe fakti se më parë gjendet punë për studentët që kryejnë fakultetin me notë më të ulët të studimeve se sa me notë më të lartë”.
Kryetari i Parlamentit Studentor të UEJL-së, tregon gjithashtu se edhe si përqindje, shkalla më e lartë e punësimeve është në administratë. “Çfarë pas disa viteve, kur të plotësohen vendet në administratë”, pyet Rexha, ndërsa nënvizon faktin se është shumë e re edhe mosha mesatare e punësimeve masive që kanë ndodhur viteve të fundit në administratë. Për mijëra administratorë që janë punësuar dhe që në vend se të ushtrojnë profesionet – ata rrinë në shtëpi, ndërsa perspektiva nuk mund të tejkalojë ambiciet e 300 eurove të ardhura financiare në muaj. Kjo, padyshim bie ndesh me vizionin e njerëzve që investojnë për shkollimin dhe kualifikimin e tyre. Prandaj, nuk është rastësi që të rinjtë nga Maqedonia, ikin në rastin e parë që u jepet për tu punësuar jashtë shtetit. Vetëm përmes programit “Work and Travel” (Puno dhe Udhëto) për çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkojë rreth 2000 studentë. Përveç se për të shuar kuriozitetin e Amerikës dhe për të nxjerrë ndonjë para, qëllimi i tyre është dhe të përgatisin terrenin për punë pasi të kryejnë studimet. Fitimet, sikurse tregojnë edhe nga Agjencia “Narom Travel”, nuk janë kushedi sa të mëdha. Për punët që bëjnë studentët tanë atje paguhen prej 7 deri në 11 dollarë për orë.
10 për qind e Maqedonisë “out”
Faton Curri, student në Universitetin Shtetëror të Tetovës, gjithashtu konsideron se rinia i ka shumë të pakta gjasat për punësim dhe karrierë profesionale. “Nuk ruhen balancat e kërkesave të tregut me kuadrot që prodhohen në Maqedoni dhe kjo ka bërë që shumë studentë të mos gjejnë punë pikërisht për shkak të numrit të madh të diplomuarve në disa drejtime”, pohon ai. Puna më e mençur, sipas Currit, është të studiohet në programe që nxjerrin kuadro të profileve deficitare. “Për këtë arsye zgjodha të studiojë drejtimin e kimisë”, thotë ai, me shpresë se do të gjejë perspektivën në “shfrytëzimin e resurseve natyrore”. Shanset që krijojnë njerëzit, respektivisht institucionet që duhet të ndërtojnë politika të drejta me perspektivë për rininë, sipas Currit, janë të pakta.
Njerëzit hyjnë në jetën studentore dhe kujtojnë se pasi të marrin në dorë diplomën, do të gjejnë lehtë një vend pune sipas kualifikimit përkatës. “Këtu edhe qëndron problemi. Katër vite ikin shpejtë dhe njerëzit ballafaqohen me zhgënjimin, bëhen menjëherë pjesë e aradheve të papunësisë”, shprehet ai. Në mungesë të perspektivës për punë, të rinjtë i lidhin shpresat për ardhmërinë e tyre me gjetjen e mundësive për daljen jashtë vendit. EUROSTAT-i një vit më parë publikoi të dhëna sipas të cilave, gjatë 15 viteve të fundit, nga Maqedonia kanë ikur 10 për qind e popullsisë, respektivisht 230 mijë persona. Ndërkaq, një anketë e realizuar me studentë nga Maqedonia tregonte se mbi 85 për qind e tyre planifikojnë të braktisin vendin, pas përfundimit të arsimit të lartë. Për më tepër se kaq, 29 për qind e të anketuarve deklaronin se jetojnë jashtë kufijve të Maqedonisë. Për çdo vit, buxhete të majme janë miratuar për parandalimin e dukurisë së largimit të trurit. Është deklaruar më herët se për këtë qëllim, buxheti i vitit që po lëmë pas, është 530 mijë euro, për vitin e ardhshëm 1.1 milionë euro, ndërsa për vitin 2015 do të ketë buxhet prej 2.2 milionë euro. E megjithatë, perspektiva e punësimit mungon përsëri. Për pozita në shoqëri është e tepër të flitet, pasi në një shtet pa demokraci të konsoliduar, sikurse është Maqedonia, është luks të flitet për funksionimin e sistemit të vlerave./koha.mk/
admin
11 years ago
previous article
Ja sa të pasur janë deputetët shqiptarë
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
7 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
7 hours ago