Ben Blushi ka filluar të frikësohet. Këtë frikë nuk është frikësuar ta rrëfejë haptas. Frikën për vërshimin e fesë Islame nëpër intitucione shtetërore, trimërisht e paralajmëroi përmes librin të tij “Hëna e Shqipërisë”. Natyrisht, të kesh frikë është e natyrshme, ashtu siç është e panatyrshme ta kërkosh të panatyrshmen për natyrën e njeriut. Mbase të jetosh në ishull, i vetmuar dhe i rrethuar prej kafsheve të llojllojta është njëmend lemeritëse. Në kësi lloj rastesh, nuk përjashtohet mundësia e përvetësimit të sjelljeve të kafshëve. Fjala vjen, të bëhesh krokodil dhe t’ia japësh vajit vetëm pasi ta kesh ngrenë prenë. Madje vetëm budallenjtë nuk frikësohen, sepse nuk kuptojnë, ashtu siç foshnja që nuk ka frikë prej territ. Nuk është e parrezikshme t’i gjykosh gjësendet vetëm në saje ngjyrave. Si rrjedhojë e kësaj, mund ta hash sheqerin për kripë dhe kripën për sheqer, meqë edhe njëra edhe tjetra kanë ngjyrë të bardhë. Për fat jo të mirë, tërë kjo frikë dhe ky hamendësim vjen si rrjedhojë e paragjykimit. Ndërsa kush paragjykon rëndom? Ai që nuk e njeh çështjen ose ai që e njeh materien por qëllimisht mëton ta shtrembërojë atë. Ajnshtajni thoshte se është më e lehtë te thyesh një atom sesa një paragjykim. Meqë kështu është puna, atëherë puna e çdo dashamiri të së vërtetës është përpjekja për tu mbrojtur prej shtizave të tij ose të tyre me flakë në maje. Ky gjuan dhe pastaj ankohet prej atyre që mbrohen prej gjuajtjeve të tij. Ky shanë fenë Islame me një gjuhë bashkëkohore, pastaj thotë se Xhamitë po bëjnë propagandë kundër tij. Ky harron se imamët nëpër Xhamia thjeshtë kanë ndarë një grimcë kohë për tu mbrojtur dhe për t’i mbrojtur besimtarët musliman prej sulmeve të paskrupullta të Benit. Ky gënjen, shpifë dhe paragjykon, ndërsa detyrë e çdo njohësi të fesë, pavarësisht nivelit të njohjes, është të japin dhe të davarisin sqarime për këllirën që po shpërndanë një njëri me ndikim në Shqipëri.
Ky bën shumë gabime, madje gabimin më të madh e bën kur i vetëdijshëm ka vendosur të mos ndalet së bëri gabime! Ky gabon shumë kur pandeh që përmes Kishës t’ia vërë drynin Xhamisë, apo atyre që ligjërojnë në Xhami. Ky nuk përton të pyet pyetja nga më qëllimkëqija. Ben Blushi pyet: “A ka ndihmuar dot kisha që jeta e njeriut të zgjatet, siç ka bërë mjekësia?” Ky pyet Kishën dhe pastaj jep përgjigje se përse njeriu duhet të ndahet prej rregullave, normave dhe parimeve Islame, edhe pse në vargjet më poshtë bie në kundërthënie të kulluar duke thënë se “unë nuk dua t’i ndaj prej Islamit besimtarët”. Meqë Kisha paskësh qenë kundër zbulimeve shkencore e kundër shkencëtarëve, ky mëton të thotë se patjetër edhe Xhamia ta ketë këtë botëkuptim. Nëse deri më tani këtë nuk e ka bërë Xhamia, atëherë në bazë të mendjes së tij të mbushur me gjarpërinj e me bolla me flokë, sot ose nesër patjetër që edhe Xhamia do të vepron si dikur Kisha me njerëzit e shkencës. Nëse është ashtu, atëherë përse duheshka folur për dy çështje, meqë të njëjta qenkan Kisha dhe Xhamia?!
Fillimisht duhet ditur se njohuritë nuk mund të ndahen në dy rrathe, pra në njohuri fetare dhe në njohuri shkencore. Si zemra, ashtu edhe veshkat mbajnë në jetë të njëjtim trup. Nuk mund të themi se zemra mjafton në këtë trup dhe veshkat në një tjetër trup. Kësodore, njohuritë fetare dhe ato shkencore janë në një rreth, janë dy krahët e pëllumbit, janë dy këmbët e njeriut. Fjala e parë në Kur’an është urdhër për lexim dhe vallë si ka mundësi që tërë zbulimet shkencore qoftë në mjekësi apo në fusha tjetër të jenë arritur pa lexim? Fundja sado e gjatë të jetë jeta ajo është e vdekshme, ndërsa urtësia e jetës nuk qëndron në zgjatje, por në të kuptuarit e saj. Kush më mirë se feja Islame mund të rrëfen e shpjegon për urtësinë, normat, rregullat dhe parimet për jetën? Kjo është lehtë e kuptueshme. Ai që zbriti hekurin, ujin, dëborën, frymën dhe gjitha të mirat e panumërta, zbriti edhe sistemin, mënyrën dhe udhëzimin se si duhet të jetohet. Ai nuk zbriti rrugë pa shenja, ashtu si nuk vendosi shenja në rrugë pa praninë e njerëzve. Një njeri me mend do t’i ndiqte për një celular të thjeshtë udhëzimet e prodhuesit dhe assesi udhëzimet e një druvari të rryer për prerje drunjësh.
Më tej Blushi shprehet kështu: “Prandaj deislamizim, sipas meje, është ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe jo ndarja nga islami.” Ky kumt është si të thuash se unë kërkoj të jem me Partinë Demokratike, por patjetër duhet të mendoj dhe të veproj si komunsit. Ky kërkon një Islam që nuk është Islam. Një Islam që kur të lexosh libra për fenë Islame do ta shohësh se njëri me tjetrin dallojnë si nata me ditën. Ky kërkon musliman të krishterë. Ky kërkon besimtar, të cilët çështjet e ecejakeve në jetë nuk ia besojnë Krijuesit. Ky kërkon teistë me mendësi ateiste. Ky kërkon një vajzë me hormone mashkullore dhe pastaj kërkon prej saj shkurorëzim për arsye steriliteti!
Më tej ky shton: “Ndarja nga normat fetare që përcaktojnë marrëdhënien e njeriut me punën, me martesën, me Zotin dhe me natyrën është një proces që gjithë Evropa e ka kaluar, ose po e kalon, me shpejtësi më të madhe se ne.” Është e vërtetë historike se perëndimi kur hoqi dorë prej pikëpamjeve që i ligjëronte Kisha, ai eci përpara materialisht, edhe pse me kalimin e kohës u fundos thellë moralisht, ndërsa po ashtu është e vërtetë se kur muslimanët hoqën dorë prej Islamit ata ngecën shumë mbrapa. Sikur harron se feja Islame është thelb dhe formë, punë dhe gjumë, shkencë dhe argëtim, ekonomi dhe adhurim, gjykim dhe falje, jetë dhe amshim. Ky harron ose bëhet kinse harron se Galile Galileu nuk u dënua prej Xhamisë për një pikëmaje shkencore dhe se nuk u dogj në turrën e druve Xhordano Bruno prej imamëve, por që të dy u dënuan si është më së keqi prej Kishës Katolike Romake, ndaj çdo analogji do të binte pingul poshtë si gjeth vjeshte. Kumtet dhe analogjitë e Blushit lëre që nuk janë fare shkencore, porse ato dëshmojnë një fashizëm ndaj muslimanëve shqiptar të artikuluar prej Ben Blushit. Kjo është si të thuash se meqë Hitleri vrau me miliona njerëz për arsye racore, atëherë të gjithë njerëzit duhet të pushojnë së qenuri njerëz, ngase edhe Hitleri ishte njeri, ose të paktën kishte pamje të këtillë!
Përse dhelpërisht ky shmang argumentet historike dhe të tanishme se feja Islame asnjëherë nuk qe kundër dijetarëve, kundër shkencëtarëve, kundër librit e kundër zhvillimit. Përkundrazi. Përse merr guxim të flet për Islamin duke përdorur njohuri të një ateisti të pandreqshëm? Ky sikur të lexonte për fenë Islame pa praninë e djallit të mallkuar, atëherë do të shihte se kjo fe është madhështore, nuk është e mangët dhe nuk bie ndesh në asnjë segment me natyrën e njeriut. Kjo fe brenda saj ka politikën, ekonominë, sociologjinë, gjeografinë, historinë, kiminë, jurisprudencën, gjuhën dhe gjitha shkencat tjera që i shërbejnë njeriut, gatimit të tij, natyrës, jetës dhe vetë kësaj bote me gjitha elementet që i ka. Feja Islame nuk është si komunizmi që kërkon varfëri të barabartë mes njerëzve, as nuk është si kapitalizmi që përuron gëlltitjen e peshqve të vegjël prej të mëdhenjve, por Islami ligjëron në shpërndarjen e barabartë të pasurisë që ka krijuar dhe zbritur Zoti për të gjithë dhe jo vetëm për një shtresë njerëzish. Në politikë ai ligjëron se nuk bën të mashtrohet dhe gënjehet populli. Nuk bën të keqpërdoret pozita plitike për pasurim vetjak. Patjetër duhet mbajtur fjalën e dhënë, sepse patjetër do të përgjigjesh para Zotit për këtë tradhëti. Në punë ai kërkon të jemi punëtor dhe të mos merremi me mashtrime, por me punë e prodhim. Në tregti kërkon të jemi besnik dhe syçelë. Në peshore urdhëron të jemi të saktë në matje. Me gruan kërkon të jemi të sjellshëm, të dashur e të butë, të mos jemi tradhëtar ndaj saj, sepse me këtë vepër të shëmtuar ke tradhëtuar porosinë e Zotit Lavdiplotë. Në trup ligjëron të jemi të pastër, me trup sportisti dhe të vishemi bukur (pastër). Kushtron paqen, por nëse lufta është e domosdoshme, atëherë kërkon të mos zbrapsemi. Me pak fjalë, feja Islame ka platformë të shëndoshë për mbarvajtje të shtetit dhe të shoqërisë. Ndërsa, Zoti që ka zbritur këtë platformë nuk kërkon që kjo të bëhen me nxitim e shkel e shko. Shtrirja e kësaj platforme duhet të bëhet ngadalë dhe patjetër në rrugë paqësore. Ndaj, mos u frikëso! Ajo vjen ngadalë dhe ashtu si është më së miri mishërohet me qytetarët. Ndërsa ju që frikësoheni prej rendit, pasurisë shpirtërore e trupore dhe përgjithësisht prej një natyrshmërie, atëherë ikni ju prej këtij vendi dhe mos kushtroni që rregulli t’ia mbathe prej Shqipërisë, ngaqë nuk duam anarki, por liri dhe rregull. Mos u bëni si Stalini, edhe pse shihet se mangut i keni vetëm mustaqet, i cili pasi kishte mbaruar një fjalim, një i pranishëm i kishte thënë se fjalimi i tij bie ndesh me argumentet, kurse Stalini menjëherë ia kishte kthyer se patjetër duhet ndryshuar argumentet dhe jo fjalimin e tij. Kësisoj, edhe më tej do të jetë hëna satelitë i tokës, ndaj mos ke frikë prej hënës, por prej hajdutëve të natës, të cilët dritën e hënës e shfrytëzojnë për të vjedhur!
Categories