Categories
Lajme

Kurban Bajrami bashkoi besimtarët shqiptarë në Cyrih

Festa e Kurban Bajramit i gjeti besimtarët e fesë Islame në Zvicër në në ditë të qetë por me qiellin e mbuluar me re. E mira e kësaj ishte se kjo festë këtë vit qëlloi në ditë vikendi, duke mundësuar që besimtarët ta festojnë së bashku me familje.
Imami i xhamisë në Schwamendingen të Cyrihut, Fahredin Bunjaku thotë për albinfo.ch se për shkak të hapësirës jo të madhe që ka kjo xhami, falja e Kurban Bajramit po mbahej në Oerlikon, në sallën e sporteve në Margrit-Rainstrasse 5.
“Festa e Kurban Bajramit është një festë e veçantë për të gjithë myslimanët në mbarë botën. Ajo është festë e sakrificës ndaj Zotit dhe po ashtu në këtë ditë të gjithë janë të barabartë si i varfëri si i pasuri. Është mirë për njerëzit që kanë mundësi të prejnë një kurban dhe këtë ta shpërndajnë te të varfrit në mënyrë që të gjithë të jenë njësoj”, tha Imami 38 vjeçar.
Që nga ora 07:00 e mëngjesit besimtarët myslimanë shqiptarë filluan të mblidhen në Oerlikon për ta falur Bajramin në orën 08:15.
“Sot jam zgjuar herët në mëngjes, jam pastruar dhe kam marrë abdes dhe së bashku me dajën tim dhe me të tjerë kam ardhë këtu me e falë Bajramin. Sot me familje kena me i vizitu të afërmit tanë, kurse pasdite daja jem e ka rezervu një sallë ku do ta festojmë të gjithë me familje së bashku” tha Ahmet Mehmeti 13 vjeçar nga Glattbruggu.
Ndërsa Nexhmedin Emini tha se sot duhej të punonte por e ka marrë të lirë. “Nuk është njejtë të festohet Bajrami si këtu në Zvicër si në Kosovë por edhe këtu nuk është keq sepse fatmirësisht jemi plot shqiptarë këtu dhe kemi ku të shkojmë për këto festa. Sigurisht se sot do t`i vizitoj të gjithë familjarët e afërt pasi që kjo është një festë e veçantë për ne. Për këtë arsye sot nuk do të shkoj të punoj, e kam marrë të lirë për Bajram” tha Nexhmedini.
Së bashku me djalin e tij Hasanin, Ismail Jakupi kishte ardhur për t’iu bashkuar të tjerëve në faljen e Bajramit.
“Kjo festë është e të gjithë myslimanëve, është festë e sakrificës për Zotin. Pasi që është festë familjare, unë kam marrë me vete edhe djalin. Për këtë festë i uroj të gjithë myslimanët ndërsa për haxhinjtë që janë në Haxh, lutem që Zoti t`ua pranojë Haxhin. Uroj që për këtë ditë të jenë të gjithë të barabartë dhe shpresoj se do të ndihmohen të gjithë skamnorët, duke u barazuar me të pasurit” tha Ismaili.
Festa e Kurban Bajramit është e veçantë edhe për faktin se lidhet me njërën prej shtyllave kryesore të fesë Islame, kryerjen e Haxhit. Për këtë festë bëhet edhe therja e Kurbanit, i cili pastaj do të shpërndahet për skamnorët.
 
albinfo.ch

Exit mobile version