Bashkim Aliu
Gjatë vizitave të fundit të ministrit të jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi në Maqedoni, dhe takimeve që ka patur me diplomatë të huaj, veçanarisht me atë të Austrisë Sebastian Kurz, gjatë bisedës dhe press konferencave, ka dominuar tema e esktremizmit dhe radikalizmit fetar, që merr në peshë në veçanti me ndezjen e vatrave të konfliktit në Siri dhe Irak, dhe nisjen e disa personave drejt këtyre vendeve që t’i bashkangjiten ISIS apo grupimeve tjera luftuese në Siri e Irak. “Shefi i diplomacisë së Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij austriak Sebastian Kurz i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë, kanë folur edhe për ekstremizmin dhe radikalizmin. Thaçi, ka thënë se Kosova është lider në rajon kundër ekstremizmit dhe radikalizmit duke shtuar se Institucionet kanë ndërmarrë hapa konkret, jashtëzakonisht të rëndësishëm ndaj gjithë elementeve që kanë paraqitur rrezik për shoqërinë e Kosovës.“ Tash jemi duke nxjerr edhe ligjin që ndalon shkuarjen e qytetarëve apo pjesëmarrjen në luftëra të huaja të qytetarëve. Mendoj se do të na ndihmon shumë sidomos në përmbushjen e asaj zbrazëtire ilegale që ka ekzistuar dhe që kemi pasur edhe ne në Kosove dhe që mund të them lirisht që ne do të jemi të pa kompromis dhe do të kemi zero tolerancë ndaj elementeve ekstremist dhe radikal kudo dhe kudo që paraqiten”, ka deklaruar Hashim Thaçi, Ministër i Jashtëm i Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë Sebastian Kurz, theksoi se pjesëmarrja në luftërat e Sirisë dhe Irakut është shumë e madhe dhe ky numër është shqetësues. “Kur e shohim nga perceptimi i Evropës e shohim që me të vërtetë numrat janë zakonisht të mëdhenj edhe po flasim për pesë mijë njerëz nga Evropa që akne shkuar në Siri edhe në Irak, prandaj nga pikëpamja ime është dramatike meqë jo vetëm pse po dhunohen njerëz atje pakicat fetare , por kjo paraqet edhe një rrezik masiv të sigurisë nëse ata kthehen ne Evropë”, citohet të ketë thënë Sebastian Kurz, Ministër i Jashtëm i Austrisë.“
Debati për këtë pikë të nxehtë fitoi në intenzitet, edhe pas sulmeve ndaj revistës satirike Charlie Hebdo, ngjarje kjo që tronditi gjithë opinionin botëror, edhe pse, për të qenë të sinqertë, në krahasim me numrin e viktimave, nuk krahasohet as me nji orë luftime sa vriten në Siri apo Irak, por ja për ata të shkretë atje askush nuk marshon.
Është krejt e kuptueshme se ka dukuri të caktuara të cilat janë shqetësuese, jo vetëm për organet zyrtare në një shtet, por edhe për masën më të gjërë, ngase efektet e dukurive të tilla shtrihen edhe në masat e gjëra popullore, dhe shpesh herë masa e gjërë preket edhe më tepër se sa organet shtetërore, dhe është e kuptueshme se pritet të nxirren ligje që sanksionojnë pjesmarrjen në vatrat e konfliktit ku ka një kaos të madh, i cili ka ardhur, në një pjesë të tij, si rezulat i boshllëqeve të organizimit dhe luhatjes së masës brenda vetë taborrit musliman në vendet përkatëse, gjegjësisht xhehlit që mbretëron për fat të keq sot e kësaj dite te nji pjesë e njerëzve, e në një pjesë tjetër, si rezultat i komploteve dhe planeve të huaja kundër lëvizjeve të mirëfillta reformiste në taborin musliman dhe kundër forcave dhe proceseve të cilat çojnë në rizgjimin e umetit dhe rikthimin e lavdisë së tij si bajraktar i njerëzimit. Bile, hoxhallarët janë ndër të parët që kanë folur për kujdesin që duhet patur njerëzit për sa i përket pjesmarrjes në vatrat e krizës në fjalë, ngase krahas shumë faktorëve tjerë që e konteston pjesmarrjen, është edhe fakti se atje nuk ka nevojë për njerëz, ngase njerëzit e vendit dalin jashtë, por duhet mbështetje me arsenal ushtarak dhe lëvizje në planin politik që të ndalet mbështetja për regjimin kriminel të Asadit, të veprojë bota ta ndal krimin e regjimit sirian mbi popullatën, edhe pse kjo është e dyshimtë.
Realisht, muslimanët vuajnë më shumë prej kriminelëve dhe terroristëve. Kështu, derisa për tredhjet vjet me radhë, apo edhe më tepër, perëndimi i përqafonte diktatorët e vendeve arabe dhe hante, pinte e qeshej bashkë me ta, muslimanët në vendet arabe pësonin rëndë prej politikave të tyre totalitare dhe tipike diktatoriale. Po edhe pas lëvizjeve në pushtet, kur populli doli nëpër rrugë në vitin 2011 dhe kërkoi rrënimin e pushteteve diktatoriale, dhe u zgjodhën figura tjera, lojtarët e mëdhej në skenën e politikës botërore zhvilluan politikë hipokrite pa qëndrime të qarta në mbështetje të vullnetit të popullit. Dhe pas grushtetit mbi kryetarin e zgjedhur me vullnetin e popullit në Egjipt, Muhamed Mursi, ata nuk prituan t’ia zgjasin dorën shkelësit të vullnetit të popullit të Egjiptit, ushtarakut Sisi. Vazhduan edhe këtë ta përqafojnë dhe t’ia shtrojnë tepikun e kuq, edhe pse ai dhe bashkëpunëtorët e tij vrasës, vranë para syve të botës mijëra protestues duarthatë, të cilët kërkonin mbrojtjen e votës së lirë dhe dinjitetin e popullit egjiptas. Edhe përskaj krimeve që u bënë në sheshin e Kajros “Rabia el-Adevije”, ende nuk ka lëvizur askush nga ata që vajtojnë për shkeljen e të drejtave të njeriut, bile edhe të kafshëve. Po ashtu, muslimanët kanë vuajtur shumë nga politikat e këqija të administratës së Bushit të vogël në Irak, i cili u hapi rrugë formacioneve paramilitare shi’ite në Irak të ushtrojnë dhunë mbi Sunitët, mbështeti kryeministra, të cilët po të kishin qenë në perëndim, me ato politika që zhvillonin në Irak, do të quheshin racistë dhe do të nxirreshin para gjyqi. Kjo politikë e gabuar vazhdoi edhe më tej. Për vuajtjet e Palestinës dhe krimeve mbi civilët, në veçanti mbi fëmijët e Palestinës, nuk ka çka të flitet, gjërat janë açik dhe hipokrizia e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe luftës kundër kriminelëve, është e hapët. Po ashtu, muslimanët vuajnë edhe nga pasuritë e diktatorëve në bankat e perëndimit, që sot e kësaj dite nuk u janë kthyer popullit, bile edhe më keq, janë përdorur në zgjedhjet e fundit në disa vende, fjala vjen si në Tunizi, për të fituar figurat e pushteteve të përmbysura, dhe të mposhten lëvizjet islame me vota të blera. Muslimanët vuajnë sot e kësaj dite nga nënçmimi dhe provokimi i ndjenjave të tyre fetare në emër të lirisë së fjalës, duke u tallur me profetin e tyre dhe ndjenjat fetare, që me plot të drejtë muslimanët kur bëjnë krahasim me qëndrimin ndaj holokaustit dhe antisemitizmit në Evropë, mund të mendojnë se dikush e bën këtë me qëllim kundër tyre dhe ushqen urrejtje kundër tyre në veçanti. Muslimanët vuajnë edhe nga shtrëngimet që i bëhen femrës muslimane në disa shoqëri perëndimore, e cila nuk lihet e lirë të shkollohet në shkollat publike e veshur sipas rregullave islame, në ndërkohë që këta të njejtit që e interpretojnë keq laicizmin, i kanë dëmtuar edhe pejzat e zërit duke bërtitur për emancipimin dhe të drejtat e grave.
Nisur nga kjo, themi se viktima të vërteta, dhe në sasi më të madhe, të terrorizmit dhe formave tjera të dhunës, padrejtësive dhe politikave të gabuara, janë muslimanët, dhe pikërisht këta janë ata që kërkojnë që të pengohen këto dukuri. Por, për këtë, nuk mjaftojnë vetëm deklarata si të Kurzit dhe Hashimit, por duhet veprim konkret dhe hapa real në drejtim të mbylljes së dyerve të regrutimit për në vatrat e krizës dhe fitimin e besimit të komunitetit musliman në perëndim. Në fakt, Kurzi, që në gjermanisht d.m.th., i shkurtë, duhet të jetë më largpamës në politikat e UE ndaj lëvizjeve në vendet arabe, gjegjësisht nuk duhet mbështetur kriminelët dhe neodiktatorët të cilët i kanë shkelur të gjitha normat dhe vlerat në të cilat thirret Kurzi dhe estabilishmenti politik në Evropë. Duhet të veprojnë pa u vonuar, edhe pse shumë janë vonuar, në izolimin dhe sanskionimin e vërtetë të regjimit kriminel të Asadit dhe mbështetësve të tij. Klasa politike perëndimore duhet të jetë kritike ndaj politikave të gabuara të administratës amerikane në Irak dhe diskriminimit që ua ka bërë sunitëve, politika këto që kanë çuar edhe në paraqitjen e lëvizjeve të cilat nuk u besojnë perëndimorëve dhe qëllimeve të tyre karshi paqës dhe stabilitetit në Irak, Siri dhe rajon e lindjes së mesme më gjërë. Nuk mjafton të shqetësohesh për pjesmarrjen e madhe të evropianëve muslimanë në radhët e ISIS, por duhet të veprosh në eliminimin e shkaqeve që e nxisin një dukuri të tillë. Nuk është zgjidhje bombardimi i pozicioneve të ISIS, por rrënimi i pushtetit kriminel të Asadit, dhe jo hipokrizia në kurdisjen e proceseve politike pas rrënimit të diktatorëve. Pa drejtësi dhe korrektësi, nuk do të ketë sukses.
Nga ana tjetër, Kurzi dhe shokët e tij, duhet të punojnë shumë edhe në perëndim. Të gjithë janë kundër dhunës dhe vrasjeve në emër të fesë, dhe kjo ësht e qartë, por janë edhe kundër talljes që është një nga faktorët serioz të nxitjes së idesë së veprimit kundër tjetrit me metoda të dhunshme, dhe kundër kufizimit të lirisë së femrave muslimane të shkollohen si tjerat në shkollat publike me mbulesë. Nëse nuk thuhen gjërat kështu, dhe nëse këshilltarët e tyre nuk i prekin atje ku u dhemb, nuk do të ketë zgjidhje. Nuk është mençuri dhe e drejtë ta gjykosh vetëm njërën palë. Po, duhet të gjykohet ai që meriton gjykim, por, duhet të gjykohen edhe shkaqet që gjenerojnë kriza të këtilla, dhe të merren masa për eliminimin e tyre. Ky është vullneti i sinqertë për përmirësim.
Nga ana tjetër, Hashimi duhet të jetë më i shkurtë. Nuk ka efekt të kapesh vetëm për radikalizmin dhe ekstremizmin, ngase në Hungari nuk i dërguan kosovarët radikalistët dhe ekstremistët, por politikat e gabuara dhe të dështuara të qeverisë së Hashimit dhe të tjerëve. Po ashtu, nëse vërtetë duhet luftuar dukuritë e tilla, mendoj se pikërisht në qeverisjen e Hashimit është ndihmuar rruga që çon në këto dukuri. Kjo, ngase një nga format e pengimit të këtyre dukurive, është edhe edukimi i drejtë i gjeneratave me mësimet islame. Kjo bëhet më mirë nëse mësim-besimi futet nëpër shkolla. Pikërisht qeveria e Hashimit nuk e bëri një gjë të tillë, dhe me këtë la hapësirë që mësimet e deformuara ta pushtojnë hapësirën. Fjalët dhe veprat e klasës politike në Kosovë dhe gjetiu, janë krejt të kundërta. Po ashtu, vullnet i mirë nuk u tregua as me lejimin e mbulesës së femrave në shkollat publike. Derisa e lejojnë martesën e homoseksualëve me kushtetutë, që mos ua shkelin të drejtat, nuk e lejojnë shkollimin e vajzës muslimane me mbulesë në shkollat publike. Vallë, këtyre u nuk u shkilen të drejtat?! Mendoj se veprimet e këtilla, ndihmojnë të humbet besimi në eshtabilishmentin politik dhe të krijohet përshtypja se kanë disponim antiislam.
Së këtejmi, vetëm fjalët dhe ankimet, nuk bëjnë punë nëse zgjaten, duhet të jenë më të shkurtëra, por duhet mbushur me mend, dhe vepruar drejtë pa humbur kohë.
Categories