Duket se mes partnerëve të koalicionit qeverisës është rënë dakord për të heshtur lidhur me këtë çështje, pas dështimit të procesit të nisur në vitin 2011, vit në të cilin sipas EUROSTAT-it, vendet e rajonit duhej të përfundonin këtë operacion. Për zhvillimin e këtij procesi mungon plotësisht interesimi, për vetë faktin se Ligji i posaçëm që duhej të hartohej për këtë rast as që planifikohet. Pse kanë frikë nga shifrat dhe kush do ta marrë guximin për t’ia nisur numërimit, janë pyetjet e pashmangshme që po shtrohen në mungesë të një date të mundshme.
 
Regjistrimi i popullsisë dhe banesave deri tani nuk ka asnjë premisë për të nisur. Për zhvillimin e këtij procesi mungon plotësisht interesimi, për vetë faktin se Ligji i posaçëm që duhej të hartohej për këtë rast, as që planifikohet. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikave do të duhej që së bashku të formulonin një dokument të tillë, i cili do të miratohej nga Qeveria duke mundësuar kështu fillimin e këtij procesi. Duket se mes partnerëve të koalicionit qeverisës është rënë dakord për të heshtur lidhur me këtë çështje, pas dështimit të procesit të nisur në vitin 2011, vit në të cilin sipas EUROSTAT-it, vendet e rajonit duhej të përfundonin këtë operacion. Vërejtja për neglizhimin e këtij procesi nga ana e Qeverisë ka qenë pjesë e raporteve vjetore të organizatave ndërkombëtare për Maqedoninë. E megjithatë, në horizont nuk ka asnjë lloj të dhëne se ky proces mund të nisë këtë vit. Në Qeveri pohojnë se për një gjë të tillë nuk është biseduar në asnjë prej seancave të zhvilluara dhe për këtë shkak, nuk mund të kenë as një datë të përafërt se kur mund të planifikohet një gjë e tillë. “Deri tani, për këtë temë nuk është biseduar në asnjë prej mbledhjeve të Qeverisë. S’kemi ndonjë propozim dhe kështu mund të thuhet se s’jemi as në fazën përgatitore. Kryerja e këtij procesi është një obligim për vendin, por për momentin nuk mund të themi asgjë”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Frikë nga numërimi
Që censusi nuk planifikohet as këtë vit, e konfirmoi disa kohë më parë edhe ministri i Financave, Zoran Stavrevski, sipas të cilit, në Buxhetin 2014 nuk janë parashikuar mjete për këtë operacion të rëndësishëm statistikor. Dilemat që shtrohen në mungesë të këtij interesimi kanë të bëjnë me faktin që për këtë proces, palët nuk janë të interesuara nga frika e rezultateve të mundshme, të cilat ndoshta do të ndryshonin raportet mes etnive. Sipas analistëve, një prej shkaqeve më kryesore janë të dhënat statistikore për vitet e fundit, sipas të cilave, numri i popullsisë maqedonase po zvogëlohet në mënyrë drastike, kryesisht si pasojë e rritjes së natalitetit tek shqiptarët falë lindjeve. E nëse maqedonasit kanë frika nga shtimi i shqiptarëve, këta të fundit druhen nga manipulimi i shifrave, sidomos me emigrantët që do të fshiheshin nga listat. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, deri në vitin 2011 – rreth 230 mijë banorë të Maqedonisë kanë rregulluar qëndrimin e tyre në vende tjera, prej të cilëve 170 mijë në shtetet evropiane. Ndërsa Banka Botërore vitin e kaluar doli me të dhëna zyrtare për një numër prej 380 mijë migrimesh, ku përqindja më e madhe shënohet nga rajoni i Pollogut dhe rajoni Jugperëndimor (kryesisht shqiptarë të moshës mes 20 dhe 39 vjeçare).
Në një studim të profesorit universitar Qufli Osmani, numri i maqedonasve në vit zvogëlohet për 2.500, kurse i shqiptarëve rritet mesatarisht për 4.500. Numri i shqiptarëve në migrim rritet (mesatarisht për 7.500), kurse i maqedonasve zvogëlohet ose mbetet konstant.
“Migrimi i brendshëm është më i theksuar te maqedonasit, të cilët i paraprijnë këtij procesi me përqindje fascinante prej 73.22% nga totali i migrimeve përkundër shqiptarëve me një përqindje simbolike prej 15.02%. Migrimi i brendshëm është më i dukshëm në Shkup me 36% nga numri i përgjithshëm i migrimeve të brendshme. Kjo flet shumë mbi procesin e vazhdueshëm të deshqiptarizimit të Shkupit dhe sugjeron se ‘humbja e tij’ ndodh për çdo vit. Në vitin 1912, numri i shqiptarëve tejkalonte 1/3, që në vitin 2002 të zbresë në 20.49%”, thotë Osmani. Po ashtu, ai vëren se shkalla e fertilitetit tek maqedonasit është 1.4 fëmijë në një grua, kurse për reproduksion të thjeshtë të popullatës nevojitet të tejkalojë 2.1 fëmijë, që është për 30% më i ulët nga minimumi i nevojshëm për reproduksion. Tek shqiptarët, fertiliteti edhe pse tejkalon shifrën e reproduksionit të thjeshtë prej 2.1 fëmijë, prapëseprapë krahasuar me dekada më parë, ai është gjithnjë në rënie, shton Osmani.
Shqiptarët shtohen 
Sipas të dhënave zyrtare nataliteti në vend është në rënie të vazhdueshme. Nëse në vitin 1950 janë lindur gjithsej 50.000 fëmijë, në vitin 2012 numri i fëmijëve të lindur është 22.000. Në periudhën tetë vjeçare mes dy regjistrimeve të vitit 1994 dhe vitit 2002 – përqindja e maqedonasve është zvogëluar për 3.0%, kurse ajo e shqiptarëve është rritur për 3.3%. dhe në periudhën kohore 2008-2012, te shqiptarët kemi një rritje me mbi 22 mijë, kurse te maqedonasit kemi rënie prej më shumë se 11 mijë persona. Kontributi pozitiv i popullsisë shqiptare për rritjen e natalitetit evidentohet në Raportin vjetor të EUROSTAT-it, agjencisë evropiane të statistikave. Sipas të dhënave të regjistrit rajonal vjetor të këtij institucioni, rajoni i Shkupit dhe ai i Pollogut kanë edhe shifrat më të larta të lindjeve dhe regjistrojnë më pak vdekje. Ndërkohë që trendi negativ që ndikon në plakjen progresive të Maqedonisë vërehet me uljen drastike të natalitetit në rajonin Lindor dhe në atë të Pellagonisë.
“Projeksionet demografike, të cilat mund të zhvillohen nëse analizohen të dhënat nga publikimet ‘Lëvizjet natyrore të popullatës 2003-2012’ të ESHS-së, flasin se gjatë dekadës së fundit, rritja natyrore e popullatës për vit lëviz mesatarisht mes 22.000 dhe 24.000, kurse ai i mortalitetit mes 17.000 dhe 19.000. Proporcioni mes natalitetit dhe mortalitetit sugjeron se deri në vitin 2030, në Maqedoni do të kemi një rritje të popullatës së përgjithshme për 150.000 banorë, prej të cilëve 137.880 do të jenë të bashkësive etnike: shqiptarë, romë, boshnjak dhe turq. Projeksionet sugjerojnë se deri në vitin 2030, numri i shqiptarëve do të rritet për 96.300 banorë, i romëve për 26.980, i turqve për 6.360 dhe i boshnjakëve për 2.000”, vëren profesori Qufli Osmani.
Keqinterpretimet ligjore dhe parregullsitë e vërejtura në terren në vitin 2011 kur nisi operacioni statistikor, së bashku me tendencat për falsifikim të numrit të popullsisë, sipas përbërjes etnike, ishin shkaqet që ky proces të dështonte që në hapat e para tre vjet më parë. Dy përfaqësuesit e parë shqiptarë në Komisionin Shtetëror për Regjistrimin dhanë dorëheqje për shkak të mospajtimeve me metodologjinë e punës, që u shoqëruan edhe nga anëtarët e tjerë. Po ashtu, operacioni pati një faturë të shtrenjtë duke e rënduar buxhetin e shtetit me 14 milionë euro të shpenzuara kot. Nga ana tjetër, Këshilli i Evropës disa muaj më parë i ka kërkuar autoriteteve të Shkupit të organizojnë sa më shpejt një regjistrim të ri të popullsisë, sepse politikat e shtetit nuk mund të zbatohen pa një të tillë. “Maqedonia duhet të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme me përgatitjen e zbatimin e një regjistrimi të mbështetur në metodologjinë mbi të cilën do të bihet dakord midis zyrtarëve kryesorë, sepse në këtë mënyrë regjistrimi do të ketë një pasojë të drejtpërdrejtë mbi të gjitha komunitetet,”, shkruhet ndër të tjera në rezolutën e Asamblesë së KE-së.
Raporti për rritjen e etnive deri në 2030
Publikimi “Lëvizjet natyrore të popullatës 2003-2012” i ESHS flet se gjatë dekadës së fundit, rritja natyrore e popullatës për vit lëviz mesatarisht mes 22.000 dhe 24.000, kurse ai i mortalitetit mes 17.000 dhe 19.000. Proporcioni mes natalitetit dhe mortalitetit sugjeron se deri në vitin 2030, në Maqedoni do të kemi një rritje të popullatës së përgjithshme për 150.000 banorë, prej të cilëve 137.880 do të jenë të bashkësive etnike: shqiptarë, romë, boshnjak dhe turq. Projeksionet sugjerojnë se deri në vitin 2030, numri i shqiptarëve do të rritet për 96.300 banorë, i romëve për 26.980, i turqve për 6.360 dhe i boshnjakëve për 2.000.
Në 2012, shqiptarët janë për 4.127
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se në 2012, kanë lindur 12.535 fëmijë nga prindër maqedonas, kurse kanë vdekur gjithsej 14.298 maqedonas. Pas barazimit të lindjeve dhe vdekjeve, del se numri i maqedonasve etnikë është zvogëluar për 1.763 veta. Ndërkaq e kundërta ka ndodhur tek shqiptarët, në po të njëjtin vit, kanë lindur 7.200 fëmijë nga prindër shqiptarë, dhe kanë vdekur 3.073 shqiptarë, që do të thotë se janë shtuar për 4.127 veta. Ndërkohë, nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur në 2011, maqedonasit marrin pjesë me vetëm 50.9 % (11.995), ndërsa shqiptarët me 34.1% ose 8.035 fëmijë të lindur. Këto shifra vazhdojnë të paraqiten si alarmante nga institucionet maqedonase, të cilët paralajmërojnë rrezik për ulje të dukshme të numrit të etnitetit maqedonas gjatë periudhës së ardhshme, përkundër rritjes së numrit të shqiptarëve në Maqedoni./koha/