Categories
Lajme

Kush Janë Intelektualët e Çetës së Peticionit

“Duket se FITUAM,” – shprehet i entuziazmuar Lis Bukuroca, një ish-musliman me emrin Naser Ali, i konvertuar në protestant, në faqen e tij në Facebook. Ai është një nga organizatorët dhe nënshkruesit e peticionit kundër ndryshimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Me tone të forta ky peticion i nënshkruar nga 127 intelektualë dënon bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë për ndryshimin e historisë për sa i përket periudhës osmane. Të mbledhësh kaq shumë intelektualë për të nënshkruar një peticion nuk është gjë e lehtë, ndaj preokupimi i tyre duket të jetë madhor dhe legjitim. Legjitimitetin peticionit ia shton edhe pesha e rëndë e intelektualit më të madh që kjo tokë ka nxjerrë ndonjëherë, Ismail Kadare.  Ç’prek pena e tij është flori e shkuar floririt për kombin shqiptar.
Sipas intelektualëve të peticionit, “pushtimi turk ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit.” Qartë dhe prerë peticioni i shpall turqit agresorë kulturorë të cilët po fyejnë në mënyrë të papranueshme shqiptarët duke cënuar “ADN-në e kombit shqiptar.” Në një udhëtim pas në kohë në shekullin e XIX, kombi përshkruhet si një organ biologjik me një zhvillim evolucionar të paracaktuar. Ky evolucion natyral u ndërpre kur osmanët, një trup i huaj, infektuan parajsën kombëtare, europiane, katolike, shqiptare. “Tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën e kombit” i referohet konvertimit masiv të shqiptarëve në fenë Islame, një tjetër e keqe e ardhur me turqit e cila ka prekur homogjenitetin natyral kombëtar të imagjinuar nga nënshkruesit. Me pak fjalë, pas një shekulli përparime në drejtimin e duhur historik, natyral, kristian, europian, pasi ADN-ja e kombit me shumë mundim po pastrohet, shfaqet në qiell përsëri agresioni turk, Mehmet Fatihu vetë në rrethinat Krujës, me mikrobin e tij aziatik, islamik, anti-shqiptar, anti-kombëtar, për të ri-infektuar zambakun e bardhë para e pas historik, natyral shqiptar. Arapi Otello që prek Desdemonën.
Jehona mediatike e peticionit ishte e madhe dhe akoma vazhdon. Gazetat Koha Ditore e Flaka Surroit dhe Ekspres, të njohura për qëndrimet e tyre islamofobe dhe si destinacione të preferuara të shumë prej nënshkruesve, trumbetuan lajmin e kështu bënë pothuaj gjithë mediat e tjera edhe në Shqipëri. Së fundmi gazeta Mapo doli dhe me një editorial të kryeredaktorit Alfred Lela i cili shprehet i kënaqur të pijë kafe turke e raki, por i cili, sic duket qartë edhe nga organi që ai drejton ku shpesh shkruajnë disa nga firmëtarët e peticionit, anëtarë të forumit ekstremist katolik Zemra Shqiptare, kur vjen puna tek historia preferon verën e kuqe vatikanase.
Megjithëse askush nuk e ka hedhur poshtë formulimin ahistorik, dogmatik dhe joshkencor të firmosur nga Çeta e Peticionit, jo të gjithë janë shprehur dakort me të. Profesor Dritan Egro në një intervistë për Panorama shprehet se nuk është dakort me ndërhyrjet politike për ndryshimin e historisë, por mendon se “periudhat e autokriticismit të një historiografie në fakt janë periudha reflektimi dhe ndryshimesh te dëshiruara.” Profesor Pëllumb Xhufi tregon në të njëjtën gazetë se edhe Italia, Bashkimi Sovjetik e më së fundi Greqia kanë kërkuar rishikime të historisë por asnjë reagim nuk është bërë ndaj tyre. Vetë Xhufi, ndoshta padashur, prek mu thelbin e cështjes kur përmend se ka nga ata firmëtarë të cilët në konferenca të Komunitetit Musliman rrahin gjoksin për përkatësine e tyre muslimane sic ka edhe ndonjë “supremacist” katolik i cili “predikon idenë se shqiptarët e besimit katolik i përkasin një “race të zgjedhur”, ndërkohë që të tjerët duhet të heshtin, të pendohen e të vuajnë në ferr mëkatin e tyre fillestar, atë të braktisjes së krishterimit!.” Sic do të shohim më poshtë, supremacistë katolikë aty ka më shumë se një. Publicisti Ardian Vehbiu refuzoi të nënshkruajë peticionin sepse për të tufëzimi i mendimit intelektual është i papranueshëm.
Mbështetja i erdhi Çetës edhe nga vetë BE në formën e deklaratës së deputetit gjerman në PE Bernd Posselt. “Është e papranueshme që një ish-fuqi kolonizatore përpiqet që të bëjë presion ndaj një kombi të lirë evropian i cili ka qenë një ndër viktimat me shekuj me radhë ndaj interpretimeve të mënyrës së vjetër të historisë. Populli i Kosovës duhet që të jetë i pavarur në të vendosurit për librat shkollorë të historisë dhe mënyrën e të mësuarit të historisë të rinjve të saj.” tha ai.  Pavarësisht gjuhës universale për liri e pavarësi vs. “despotizmit oriental” turk, Posselt “harron” se rishikimi i historisë është edhe një detyrë (Detyrë? Detyrë!) nga BE, por kjo nuk e shqetëson atë. Turqit ndërhyjnë për keq, BE ndërhyn për mirë. Ndoshta Posselt duhet të kujtohet se brenda BE gjenden vende pjesë e ish-perandorisë austro-hungareze apo edhe Italia e vendi i tij, Gjermania, të cilat e kanë pushtuar dhe kolonizuar Shqipërinë dhe ndryshuar me themel historinë e saj. Nëse aplikojmë të njëjtat standarte “universale” që Posselt predikon, ai duhet të kritikojë së pari BE-në e pastaj duhet të mbyllë dhe vetë gojën. Sa për Çetën, kjo ndërhyrje shtetërore nuk përbën problem sepse është në përputhje me ADN-në natyrale, europiane, kristiane (Posselt është anëtar i partisë kristian-demokrate të Merkel) të shqipëtarëve.
E gjithë tollovia filloi kur Dr. Olsi Jazexhi, në konferencën “Images of the Other in Textbooks and Popular Culture in the Balkans,” organizuar nga Universiteti Bilecik në Turqi në prill 2011, habiti akademikët ballkanas dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe ushtrisë turke pjesëmarrës në këtë aktivitet me prezantimin e tij rreth përshkrimeve të turqve, muslimanëve dhe të krishterëve në sistemin shkollor kosovar. Menjëherë pas saj erdhën edhe reagimet nga pala turke. Në gusht 2011, ministri turk i arsimit, Omer Dincer, i kërkoi autoriteteve kosovare që të tregojnë më shumë respekt për turqit që po bënin përpjekje të mëdha në botën islamike për njohjen e Kosovës.
Por cfarë ka kërkuar Turqia? As më shumë as më pak por pikërisht atë që ne kërkojmë nga fqinjët tanë, ndalimin e shqiptarofobisë, në këtë rast, ndalimin e turkofobisë e cila më gjërë se kaq është pjesë e islamofobisë së vazhdueshme të qeverive e mediave shqiptare. Ashtu sic ne akuzojme Serbinë, Greqinë, Malin e Zi, dhe Maqedoninë për falsifikim të historisë, po ashtu Turqia ka të drejtë të akuzojë historinë tonë për shpifje, gënjeshtra e ekzagjerime. Dhe kjo ka lidhje pikërisht me atë të cilën e cek professor Xhufi, konvertimin e popullsisë shqiptare në fenë Islame. Nëse turqit do të kishin sjellë ndonjë formë të katolicizmit qoftë edhe të marrë nga koptët e Afrikës apo nga maronitët e Libanit madje edhe sikur të na kishin konvertuar në budistë e të gjithë shqiptarët të bënin joga, gjithcka do kish qenë në rregull. Urrejtja e peticionistëve buron pikerisht nga ky fakt.
Po kush janë nënshkruesit e këtij peticioni? A janë qëllimet e tyre të pastra akademike sic shprehen ata? Shumica absolute e tyre janë katolikë islamofobë. Nismëtarët e peticionit janë pjesëtarë të flaktë të forumit supremacist katolik online Zemra Shqiptare. Fakti që ata gjejnë hapësira të tilla në median shqiptare është i frikshëm dhe ogurzi për të gjithë ata shqiptarë që e kanë deklaruar veten si muslimanë në censuset përkatëse në Kosovë e Shqipëri në shumicë absolute. Po ashtu, ky fakt tregon shtypjen dhe dhunën mediatike dhe psikologjike e cila përkthehet edhe në dhunë e shtypje ekonomike e politke nga shtetet të cilave u paguajnë taksat, në tokat e tyre autoktone.
Le t’i shohim me rradhë disa prej tyre duke filluar nga Kadare. Ismail Kadare nuk e kafshon kurrë doren që e ushqen (vër re kohën e tashme). Megjithëse pas 1991 anti-komunist i orëve të para, Ismail Kadare u ngjit në majat më të larta të sistemit duke legjitimuar fjalën e partisë (Ku ti kërkoj rrënjët e tua Parti?/ Si një rrap madhështor mbi këtë vend të lashtë/ Ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat…) e duke i thurur lavde e hymne udhëheqësit të lavdishëm.  Vetëm kur u pa që varka totalitare nuk i shpëtonte më shtrëngatës, Kadare ndërroi flamur e i hipi anijes së Perëndimit duke ju bashkëngjitur atyre të cilët pak muaj më parë i kish quajtur “jashteqitje e kombit”.  Që atëherë Kadare është treguar besnik me masterat e tij e eshte shperblyer sipas punes duke u ngritur ne nivelin e kandidatit te përjetshëm për cmimin Nobel.  Projekti i tij, shërbimin që ai i bën masterave të tij, ai e shprehu që herët pas braktisjes së kampit socialist kur në tregimin “Lamtumira e së Keqes” (e keqja është turku dhe Islami) shprehet “Ka ardhur ora e provës, Beqir Ali. Evropa e krishterë përpiqet ta marrë prapë Shqipërinë. Është imja, thotë, kthemani…”.  Ismail Kadare është udhëheqësi shpirtëror i supremacistëve katolikë të forumit Zemra Shqiptare dhe shumë shpesh i cituar aty.
Lis Bukuroca, iniciator i peticionit dhe analist i Zemra Shqipëtare i cili përmend Kadarenë, Ndue Ukajn (gjithashtu firmëtar) dhe Mirela Bogdanin (kjo e fundit e përjashtuar nga partia liberale për Islamofobi) në shkrimin e tij “Dy Shqelma dhe Përjashta”, e përshkruan kështu perandorinë osmane “Në kohën romake kishte edhe filozofë, shkrimtarë e historianë: 1500 vite më vonë, në kohën osmane kishte: ekzorcistë, magjistarë, fallxhorë dhe njerëz që shkruanin hajmali. Në kohën e osmanëve nuk ekzistonte as amfiteatër, as bibliotekë, as arkiv, as gjykata, as kanalizime, as ujësjellës si në Romë. Në Mbretërinë Osmane ndërtoheshin vetëm hamame ku laheshin burrat së bashku.” Pa ironi, Lisit do t’i thonim hyp diku e shiko Stambollin.
Emrin e ka nënshkruar edhe profesoresha Lucia Nadin (fare e padenjë kjo për sa i përket përmbajtjes së dokumentit nga ana shkencore) e cila ankohet për ndërhyrjen e qeverisë turke por aspak për fondet e marra për kërkimet e saj nga qeveria italiane dhe shoqatat katolike për të cilat punon. Akoma më keq, ajo “harron” se edhe Venecia të cilën ajo studion, nga e cila perandoria Osmane, sipas deklaratës, shkëputi viset ku banonin ata që sot quhen shqipëtare, ishte një fuqi pushtuese e kolonizuese. Fakti që ajo e ka vënë emrin në këtë peticion tregon se edhe ajo vetë është pjesë e një ndërhyrje politike nga Vatikani dhe shteti italian.
Peticionit i janë bashkëngjitur edhe Fahri e Arbana Xharra. Fahri Xharra, publicist dhe inxhinier tekstilesh, duket se di të thurë goxha mirë. Të dy janë favoritë të forumit Zemra Shqiptare. Në mënyrë interesante, Fahri Xharra tregon në shkrimin e tij “Tollovia në Mendësinë Shqipëtare”, (KosovaLindore.com 5 Tetor, 2011) se si deshi t’i shpëtonte policit gjatë një vizite të tij në Marok. Ai thotë: “Në një udhekryq të madh të Kazablankës më zuri polici i komunikacionit rrugor, për një delikt jo aq të rëndë. Kur e pashë se do t`ma fut një denim pak më të rëndë se sa e meritoja … i kërkova pak favore duke i thënë që si musliman që jam, e që shihej nga emri, të më falë, ma ngjiti për krahu dhe me tha: “Shiko të gjithë këta njerzë që i sheh në këtë shesh janë musliman (e ishin me mijëra), prandaj unë këtu kam punë vetem me musliman, dhe paguaje denimin. Kokë ulur për atë kërkimfalje që e bëra e pagova denimin dhe ika.”  Fahri Xharra, i njohur për islamofobinë e tij, nuk e ka për turp të hiqet si musliman kur ja kërkon xhepi. Libri i tij Antika e Mohuar është i mbushur përplot me citime nga shokët e tij të Çetës së Peticionit dhe të Zemrës Shqiptare si Lis Bukuroca, Kolec Traboini apo Gjon Keka.
Arbana Xharra është më elegante në argumentet e saj si gazetare me shumë cmime. Në “Vëllazëria Turko-Shqiptare” (ZemraShqiptare.com, 14.06.2012), ajo tregon se si Turqia po pushton ekonomikisht Kosovën. Ajo sqaron se “Ndërtimi i infrastrukturës rrugore një nga standardet kyçe të BE-së iu besua me fillim kompanisë turke “Enka” ndonëse në konsorcium me atë amerikane “Behtel” e cila ka aksione shumë të vogla, kompani kjo me dominim turk, me qindra miliona euro u morën përmes tenderëve për ndërtimin Autostradës në Shqipëri dhe në Kosovë. Turqit morën edhe Aeroportin e Prishtinë me koncesion edhe pse dolën skandale të marrëveshjeve të fshehta mes qeverisë dhe kompanisë “Limak”, me fryrjen e çmimeve dhe shkelje të shumta të kontratës prapë ata ia mësyn projekteve të mëdha.” Me tej Xharra vazhdon: “Kështu Qeveria e Kosovës është duke krijuar lidhje të ngushta me ekonominë turke, duke mos i dhënë asnjë tender të madh kompanive nga evropiane derisa zyrtarisht luan me letrat e Evropës.” E më pas kërcënon: “Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të qartë se Brukseli nuk ha bar.” Por në një shkrim të sajin në Janar 2011 me titull Vit i Marrë, ajo na paraqet një tjetër pikturë: “Më së shumti gjatë katër vjetëve të fundit në Kosovë kanë investuar gjermanët e më së paku francezët. Kështu bëhet e ditur në tabelën e investimeve direkte sipas shteteve të Agjencisë për Promovim të Investimeve të Kosovës (APIK). Sipas kësaj Agjencie, prej vitit 2007 e deri në gjysmën e parë të këtij viti, nga Gjermania në Kosovë janë investuar 188.8 milionë euro, 172.5 milionë euro janë investuar nga Sllovenia, 164.3 milionë euro nga Britania e Madhe, 112 milionë euro nga Austria, 80 milionë euro nga Holanda, 79 milionë euro nga Zvicra, 61.5 milionë euro nga Shqipëria, 46.5 milionë euro nga Turqia, 34.7 milionë euro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund të listës qëndron Franca me vetëm 20 milionë euro investime.” E pra sic shihet, sipas vetë Arbana Xharrës, turqit nuk qënkan në krye të listës por në fund të saj. Pse vallë ajo i tregon si pushtues në shkrimin e saj të mëvonshëm duke mos na dhënë asnjë shifër?
Në peticion, bashkë me të nderuarit Kadare e Nadin ka vënë emrin e dhe Kolec Traboini, kineast, publicist, autor dhe kontribues i palodhur i Zemra Shqiptare. Ja një poezi e Traboinit: Krishti ka zbrit në Iliri/ Kur Gjergji ynë i madh, ngadhnjente, lartësonte emrin Arbëri/ Hyjit të madh i thurte lavde…/ – Krishti ka zbrit në Iliri! Ja sa akademik dhe i paanshëm është ai! Por ka edhe nga ata që thonë se Kolec Traboini është shkrimtari me pseudonimin Ilir Dardani, një nga supremacitët katolike, islamofobë më të zjarrtë të Zemra Shqiptare. Në një nga shkrimet e tij plot vrer ai shprehet se terroristi norvegjez Breivik “Nëse do të sulmonte terroristët islamikë në Afganistan, Kosovë, Bosnjë, Maqedoni (shqiptaro-turqit), Shqipëri, Iran, Pakistan, Siri dhe në vendet e tjera islamike, do të ishte një hero i Qytetërimit Europian dhe atij Botëror.” Ndërsa në shkrimin “Lufta Për Një Copë Kosovë Islame” (ZemraShqiptare.com, 24.06.2011) ai shprehet: “Myslimanë që refuzojnë islamin dhe të krishterë që i mirëpresin vëllezërit e tyre të gjakut. Kaq duhet dhe islami humbet brenda pak dekadash në trojet tona. Vendet aziatike dhe afrikane le ta mbajnë dhe pacin fat me të. Unë dua Shqiperinë Origjinale, ndërsa bota është tepër e madhe për t’ia qarë hallin unë!” Edhe në mos qoftë e vërtetë që Kolec Traboini është Ilir Dardani, mjaftojnë këto citime për të treguar se c’forum është i ashtuquajturi Zemra Shqiptare dhe se cilat janë qëllimet e kontribuesve të saj, të cilët janë në të njëjtën kohë edhe nismëtarët dhe shumica absolute e Çetës së Peticionit.
Por ka akoma.  Nënshkruesja Flaka Surroi, për shembull, është pronarja e grupit mediatik Koha të themeluar me grantin 1 milion dollarësh nga USA, sipas vetë ambasadorit Christopher Dell. Gazeta Koha e këtij grupi është media udhëheqëse islamofobe në treg të cilën Shefqet Krasniqi e pati quajtur “një medium i poshtër.”  Nënshkrues është edhe Maks Velo mjaft i njohur për supremacinë e tij vllaho-ortodokse ndërsa në një nga Opinionet e Blendi Fevziu i pat krahasuar minaretë e xhamive të shqiptarëve muslimanë në Maqedoni me rraketa. Po ashtu nënshkrues është edhe Romeo Gurakuqi, profesor në Universitetin Europian, i cili në shkrimet e tij kërcënoi muslimanët me zhdukje dhe Berishën me luftë civile kur ai i deklaroi turqit me gjak shqipëtar. Nënshkrues është edhe Artan Shkreli, gruaja e të cilit, deputetja e PS-së, Ledi Shamku pat deklaruar në një intervistë për websitin Respublica se do të kish dashur të merrte pjesë në mbrojtjen e Kostandinopojës.
Firmën e ka hedhur edhe Xhemal Ahmeti. Ky i fundit në shkrimin e tij më të fundit deklaron një konflikt themelor kur e titullon atë “Islami dhe Shqiptarizma: Dy të papajtueshëm”, ashtu sic është edhe Gjon Keka, punëtor i Wus Austria 2005, shoqatës Nënë Tereza, shoqatës Pjetër Bogdani dhe autor i librit “Skenderbeu Ideator i Bashkimit Europian.” Në shkrimin e tij “Vetëplotësimi i Kombit”, Keka predikon rrezikun që Kosova ka si “shtet islamik” dhe nga dashuria që shfaq “për pushtuesit “sulltanat”” dhe rekomandon që t’i heqë qafe këto deformime kulturore e shpirtërore (lexo: të heqë qafe fenë Islame). Për të “Dardania e lashtë …e krishterë” në të cilën “Pali Apostull e kishte sjell Lajmin e Mirë për të gjithë kombin me dashuri të madhe” është shembulli se si duhet të bëhet Kosova. Në Çetë nuk mungojnë edhe Imer Mushkolaj që sulmon muslimanët në editorialet e tij si dhe i rilinduri Visar Zhiti i cili në poezitë e tij i lutet Krishtit, nënë Terezes e Italisë.
Një tjetër nënshkrues i peticionit, anëtar i Çetës dhe kontribues i Zemrës Shqiptare është edhe prifti Adrian Ndreca. Në nënshkrimin e tij profesori Adrian Ndreca vë emrin e universitetit të tij si Universiteti Urbaniana në Romë, Itali. Në fakt ky është Universiti Papnor i Vatikanit në faqen e të cilit mësojmë se është një institucion akademik që bën pjesë në Kongregimin për Evangjelizimin e Popujve. Origjina e tij shkon deri në vitin 1627 kur papa Urbani i VIII krijoi Kolegjin Urban. Në 1962, papa Xhovani XXIII e ngriti Urbanianën në nivelin e Universitetit Pontifik (http://www.urbaniana.it/stoq/index.htm). Përse e ka hequr Ndreca titullin Pontifik duke dhënë përshtypje e një universiteti cfarëdo? Sepse Ndreca kërkon të fshehë qëllimin e vërtetë të peticionit, qëllim që ai e ndan me Ilir Dardanin: zhdukjen e Islamit dhe të muslimanëve.
Bashkë me Ndrecën firmëtar është edhe Femi Cakolli, pastor i kishës protestante në Prishtinë. Por në peticion ai firmos si … kritik letrar! Ja cfarë thotë në një shkrim të tijin në websitin fondamentalist Answering Islam (Duke Ju Pergjigjur Islamit) “Nuk ka ndonjë krahasim më të mirë të jetës dhe veprës së Krishtit dhe Muhamedit për të kuptuar dallimet mes krishterimit dhe islamizmit. Jezusi e jep jetën e tij për ne mëkatarët që të shpëtojmë kurse Muhamedi i vret ata që nuk besojnë si ai. Jezusi i ringjall njerëzit kurse Muhamedi vret. Jezusi nuk ishte kurrë i martuar, e Muhamedi kishte 14 gra etj. http://www.answering-islam.org/shqip/deshmi-besimi/deshmi7.html. Pse ky prift përzihet në politikë? Pse ai e fsheh që është prift?
Në mes të nënshkruesve ka edhe nga ata që hiqen si besimtarë e marrin para nga muslimanët e ndoshta këta janë ata që profesor Xhufi i përshkruan në intervistën e tij si kollare jeshilët që rrihnin gjokset në konferenca të organizuara nga Komuniteti Musliman, si p.sh. Agron Tufa i cili më parë ka mirëmbajtur gazetën letrare E Përshtatshme, viziton shpesh i financuar nga turqit Stambollin dhe shkruan editoriale në gazetën Start të financuar nga … vetë turqit! apo Shaban Sinani i cili ka qenë drejtor i fondacionit Iranian Saadi Shirazi si dhe adhurues i Ismail Kadaresë. Të dy nënshkruajnë për liri e demokraci e me sa duket paraja e sulltanit dhe ajatollahut nuk ua cënon parimet.
Dhe kthehemi tek Lis Bukuroca. Përse gëzohej ai? Sepse ministri i edukimit Ramë Buja u shpreh menjëhere pas peticionit se historia nuk do ndryshohet. Ja pra ku e keni. Çeta e Peticionit ia arriti të influencojë ministrin, dmth. shtetin kosovar. Ata arritën të njëjtën gjë për të cilët akuzojnë agresorët, turkoshakët, anadollakët Turq. Projekti i tyre akademiko-politik dha fryte. Ndoshta peticionin mund dhe duhej t’a kishin firmosur edhe Dom Shan Zefi, Dom Anton Kqira, dhe vete Atifete Jahjaga e cila me arrogancën dhe rreshtimin e saj ideologjik e fetar ka treguar më shumë se një herë paragjykimin që ka për popullin e vendit që qeveris. Mungesa e tyre ndihet. E sikur “nene” Tereza të bënte ndonjë mrekulli si shenjtore që është e të ngrihej e të firmoste edhe ajo, Çeta e Peticionit do të ishte e kompletuar.
Për arsye vendi dhe kohe nuk mund të përmendim të tjerë anëtarë të Çetës. Sidoqoftë, lidhja mes tyre dhe qëllimi që i bashkon duket qartë. Shqetësimi i tyre nuk është akademik. Ai është politik. Çeta kërkon të ruajë statu quo-në, dominimin që ka, mbi historiografinë shqiptare. Ajo kërkon të mbajë shtrënguar litarin që po lirohet. Por është e kotë. Autorë si Mark Mazower i Universitetit të Kolumbias e plot të tjerë kanë treguar e po tregojnë natyrën e vërtetë të sundimit të perandorisë Osmane në Ballkan, me të me metat, problemet por edhe të mirat e avantazhet e saj. Dalëngadalë edhe historia jonë po clirohet nga dogmatika e propagandistika komunisto-katolike e cila e ka përcudnuar gjatë të gjithë shekullit të XX. /besimtari.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version