L indi
Mëshira e Gjithësisë-
Mëshira e Njerëzisë.
Në çastet më të errëta të historisë, në Hixhaz, në qytetin Meke t’Arabisë, lindi Mëshira e Gjithësisë – Mëshira e Njerëzisë.
Kush lindi sot?
Lindi sot krijesa më e dashur e t’Madhit Zot. Lindi më i madhëruari, më i merituari, lindi më i lavdëruari.
Kush lindi sot?
Lindi ai që e stolisi jetën tokësore me Frymën Hyjnore. Lindi udhërrëfyesi më i madh jetës njerëzore.
Kush lindi sot?
Lindi i dërguari më i fundit, por që ishte i pari. Lindi më bujari, më i përkryeri, më i vyeri.
Kush lindi sot?
Lindi më i besuari, më i çmuari, më i dalluari.
Ai nuk ishte hyjni, ai ishte njeri.
Ai ishte njeri, sikurse unë e ti. Ai ishte sikurse ne, por i veçant nga të gjithë njerëzit mbi këtë dhe.
“Ai ishte njeri ndër njerëz porsi xhevahiri midis gurëve.”
Po, sikur thuhet në një Fjalë Hyjnore, Hadith Kudsi, që ndritë më shumë se Dielli, po të mos ishte ai, nuk do të ishte krijuar as Ademi dhe as Toka e Qielli.
Poeti, Busajriu, shprehet kështu:
“Njerëzit e përgjumur,
Që jetojnë në ëndërra e qetësi,
Si mund ta kuptojnë të Vërtetën e Tij…?”
SHPALLJA HYJNORE
Kush lindi sot?
Lindi sot ai që i Madhi Zot, që është Krijues, Furnizues, Shpëtues, Burim i Mirësisë, i Bukurisë, i Madhështisë e zgjodhi shembull të shkëlqyeshmërisë, të përsoshmërisë, vulë e pejgamberisë.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai, që në moshën 40-të vjeçare, në shpellën Hira në “Malin e Dritës” (Xhebel un-Nur), filloi t’i zbulohet, për krijesat njerëzore, Shpallja Hyjnore.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai, që fjalët e para, që iu zbuluan, kishin të bënin me diturinë -për ta udhëzuar njerëzinë.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që tha: “Kërkoni diturinë edhe nëse është në Kinë”
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që e përjetoi Natën e Miraxhit. Miraxhin ruhani, por edhe Miraxhin xhismani – Pra, ngritjen shpirtërore dhe ngritjen trupore. Kjo është rruga që sjellë fitore…
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që tërë jetën meditoi, veproi dhe luftoi. Por, luftërat (përpjekjet) i quajti:
el-xhihad ul-esger dhe el- xhihad ul-ekber, lufta e vogël me armikun, për të Vërtetën, kurse lufta e madhe me epshin, egon, me vetveten.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai i cili tha se më e vlefshme është penda e dijetarit sesa gjaku i luftëtarit…
Sa të veçanta janë këto fjalë. Këto fjalë, si edhe shumë fjalë të tjera, kanë diçka nga ajo Dritë, që ende nuk është zbehë dhe as që ka për t’u zbehë por, që bota shumë pak po e njeh.
Sot, bota ka shumë nevojë që zemrën ta zgjerojë. Ta zgjerojë zemrën në masën e kësaj zemre.
Vetëm në masën e kësaj zemre ne do të kemi jetë. Vetëm kjo jetë është e vërtetë, sepse është jetë e ndriçuar prej Dritës së Pashuar.
Jeta e ndriçuar prej Dritës së Pashuar është jetë e vërtetë, është jetë pa mashtrime, pa zhgënjime…
Mjafton që të hedhim një shikim rreth vetes, rreth botës, për të parë përnjëherë, kudo që jemi, se sa mashtrime, zhgënjime, dhunime, torturime, krime ka kjo ekzistenca jonë në këtë botë të kotë, të mjerë dhe të pa vlerë…
Bota, shekull pas shekulli lëviz drejt ndryshimeve. Po, megjithë ndryshimet që janë bërë, a ka përparuar njerëzimi? A e njohim ne qëllimin e jetës, kuptimin e ekzistencës sonë, rrugën e së vërtetës?
Vlerësohet se në pesë mijë vjetët e fundit në botë kishte 14.500 luftëra dhe në këto luftëra të llojllojshme humbën jetën rreth tre miliardë e gjashtëqind milionë njerëz.
Në luftën e Parë Botërore (1914-1918) humbën jetën rreth dhjetë milionë njerëz.
Në luftën e Dytë Botërore (1939-1945) pësuan rreth pesëdhjetë milionë njerëz…Miliona të tjerë pësuan më vonë-deri në kohën tonë…
Përse e kujtojmë të kaluarën kaq të përgjakshme?
Sepse, siç thoshte Santayana, ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin. E kaluara nuk është ardhmëri, ajo është histori. Histori e cila po përsëritet, herë më shumë-herë më pak, gjithnjë, me gjak, pothuajse, në çdo brezni. Në çdo brezni shkruhen histori me përmbajtje zi e më zi…!
E pyetën Shopenhauerin, ç’është përmbajtja e historisë? Ai u përgjigj: “Shakatë evropiane”.
“Shakatë evropiane” përmes karikaturave u përpoqën të fyejnë Mëshirën e Gjithësisë-Mëshirën e Njerëzisë. Pse ndodhi kjo? Sepse askush nuk mund të shoh përtej vetvetes. Secili sheh te të tjerët, atë që është në vetvete…
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që ishte i paralajmëruar në të gjitha Shpalljet Hyjnore, ai që do t’i sjellë njerëzimit të Vërtetën Madhështore, Paqën Botërore.
Kush lindi sot?
Sot lindi dëshmuesi, përgëzuesi, qortuesi, paralajmëruesi…
Sot lindi ai që ishte aq i vendosur, i përsosur, i përkryer, ai që ishte si një pasqyrë, i cili tha:
“Unë jam si pasqyrë, pasqyroi jo atë që unë dua, por ashtu çfarë
je ti, atë e sheh në mua”
Çfarë je ti? Çfarë jam unë? Çfarë jemi ne? Kjo ka shumë rëndësi, në veçanti, për ne, në këtë Atdhe! Faik Bej Konica (1876 – 1942) thoshte:
“Të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte më tepër në numër, por jo shqiptar.”
Kur e pyetën M. Xhelal ed- Din Rumiun (1207 – 1273) kush je ti? Ai tha:
“Unë jam shërbëtor i të Madhërueshmit Kur’an,
Derisa shpirt kam,
Unë jam pluhur nën këmbët e Muhammedit alejhi selam…”
Në Kur’an e Madhëruar, për këtë lindje të bekuar, kështu është shkruar:
“Vërtetë! All-llahu dhe meleqtë e Tij e bekojnë Pejgamberin. O besimtarë! Bekojeni dhe përshëndeteni me një përshëndetje të denjë!”
(Kur’an, 33:56)
Ashtu u bëftë!
Mexhid Yvejsi
admin
11 years ago
previous article
A ja vlenë Blerimi LATIFI dhe soji i tij?!
next article
Karateisti i pamposhtur i Gostivarit
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
1 week ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
1 week ago