Pas një kohe të gjatë të diktaturës totalitare populli egjiptian u bind se e vetmja mënyre dhe rrugëdalje për të ndryshuar atë gjendje të mjerueshme që dekada me radhë mbretëronte në Egjipt ishte revolucioni. Pa dyshim se 25 janari i vitit 2011 hapi një kapitull të ri për popullin egjiptian, gjeneratat të cilët do të vijnë tani e tutje në këtë vend, këtë datë të rëndësishme do të duhet ta shkruajnë me shkronja të arta.
Zgjedhjet presidenciale në Egjipt, ku fitues doli Muhamed Mursi -i ardhur nga Partia për Liri dhe Drejtësi- për mendimin tim i hapën rrugë Egjiptit për një shtet të denjë qytetar ku vota e çdo kujt do të respektohet mu ashtu siç edhe kërkon sistemi demokratik.
Kryetari i Egjpitit u zotërua se do të përmbush kërkesat e popullit egjptian, kurse ky popull kërkonte që “mbeturinat” e regjimit të vjetër doemos të largohen nga skena politike egjptiane. Populli egjiptian po ashtu kërkonte që shteti në periudhën post-revolucionare të ndërtohet në atë formë që do të respektohen të drejtat e qytetarëve, liritë fetare, liria e shprehjes etj.
Javëve të fundit jemi dëshmitar se në sheshin tahrir të Kajros përsëri janë tubuar qindra qytetarë të cilët protestojnë kundër presidentitn aktual Muhamed Mursi. Për të mos thënë të gjithë por mbi 95% e tyre vijnë nga partitë opozitare, pra pikërisht nga ato parti që në zgjedhjet parlamentare pësuan një disfatë të rëndë.
Fillmisht ata u ngritën në protesta nga shkaku se presidenti përmes një dekreti zgjeroi më shumë kompetencat e tij, ndërsa këto ditë ata protestojnë kundër projekt kushtetutës së re.
Mirëpo pse vallë opozitarët kundërshtonin që kjo projekt kushtetut të nxiret në referendum!? Sepse thjeshtë, e kishin të njohur se një gjë e tillë do të gjen përkrahje nga shumica e popullit egjptian. Vlen të theksohet se edhe disa anëtarë të gjykatës kushtetuese ishin kundër mbajtjes së një referendumi të tillë, por të jetë e qartë për lexuesin, shumica e atyre gjykatësve kishin ngrënë në një pjatë me “Faraonin e fundit” pra me Mubarakun.
Kur kihet paraysh fakti se në raundin e parë të referendumit mbi 57% e popullit egjptian mbështetën këtë projekt kushtetutë, kurse në raundin e dytë një gjë e tillë u mbështet nga 71% e votuesve, kjo kushtet me shumë gjasa do të miratohet.
Mendoj se një hap i tillë i presidentit Mursi pra, për të nxjerë projekt kushtetuën në referendum nuk ka qenë një akt antidemokratik, nga shkaku se për miratim të kësaj ai mori mbështetje nga populli. Duhet theksuar fakti se rezultatet e para jo zyrtare të këtij referndumi janë 63% “Për”, kurse vetëm 36% “Kundër”, pra kjo nënkupton se populli egjptian bindshëm përkrah kushtetutën e re. Protestuesit akuzonin se një kushtetutë e tillë është antidemokratike dhe se nuk do të shpërfill liritë fetare dhe të drejtat e minoriteteve, disa prej tyre bërtitnin posht “kushtetutës së diktatorëve”!
Nëse protestuesit akuzojnë presidentin egjptian se kinse ai dëshiron që përmes kushtetutës së re, të bën “diktaturiat të shumicës” (Tiranny of the majority), atëherë kjo nënkupton që ata vërtët paskan një nivel të ulët të kulturës politike.
Nëse vërtet në Egjipt paska një “diktaturtë shumicës”(nëse mund ta quajmë të tillë) siç pretendojnë protestuesit atëherë kjo nuk është problematikë vetëm në Egjipt, por e gjithë demokracia si formë e qeverisjes ballafaqohet me këtë. Zgjedhjen adekuate për këtë problem nuk ka mund të japë as filozofi i njohur britanez Xhon S. Mill, e të mos flasim për opozitarët egjitpian.
Por në fakt çfar parasheh kjo kushtetutë?
Kushtetuta e re egjptiane ashtu siç përmenda më lartë me shumë gjasa do të miratohet. Kjo kushtetutë ndahet në pesë kapituj, përmes së cilës në bazë të kësaj në të ardhmen synohet të rregullohen marrëdhëniet themelore të shtetit dhe shoqërisë egjiptiane. Në preambullën e kushtetutës së re thuhet se burimi i pushtetit është populli, dhe i gjithë sovraniteti buron po nga populli.
Pra, sipas këtij parimi çdo ushtrim i pushtetit nga ana shtetit duhet të jetë i legjitimuar nga populli ose vullneti i përgjithshëm,- koncept ky që u përpunua që në shek. XVIII nga filozofi françez Zhan Zhak Russo. Sipas tij, vullneti i përgjithshëm vetëm mund ta drejtojë shtetin sipas objektivit për të cilën ai krijohet, domethënë për të mirën e përgjithshme.
Dijetari bashkëkohor islam Jusuf al-Kardawi pohon se ky parim pra “pushteti i takon popullit” në asnjë mënyrë nuk është në kundërshtim me jurispodencën islame, sepse parimi “pushteti i takon popullit” thekson ai, është i kundërt me parimin “pushteti i takon individit”, ndërsa kjo e fundit është themel i pushteteve diktatoriale.
Kjo kushtetutë i mundëson Egjiptit që të transformohet nga një shtet diktatorial siç ishte dikur, në një shtet normal demokratik.
Neni 6 i kushtetutës së re precizon se sistemi politik i shtetit egjptian bazohet në demokraci dhe në koncensus (Shura), pra mazhoranca për marrjen e vendimve doemos të konsultohet edhe me të tjerët. Politologu i njohur holandez Arend Lijphart thekson se midis dy modeleve të demokracisë, demokracisë mazhoritare dhe asaj koncensuale, kjo e dyta është model demokratik për shoqëritë e përziera etnikisht dhe me fe të ndryshme.
Me qëllim që sa më mirët ë funksionon një shtet i cili brenda vetes ka grupe tjera etnike dhe fetare, (si psh. koptët në Egjipt), për atë shtet shumë më mirë është që të aplikon demokracinë koncesuale. Po ashtu në këtë nen garantohet pluralizmi politik, të drejtat dhe liritë njeriut, ndarja e pushtetit mes atij legjislativ, ekzekutiv dhe judikativ (gjyqësor)-Monteskje, si dhe balansimi i tyre (check and balanse system).
Ndarja e pushteteve është një masë efikase për të parandaluar vendosjen e tiranisë apo diktaturës, njëherit konsiderohet bazë e shtetit modern kushtetues. Përmes kësaj ndarje mundësohet mbrojtja e qytetarit nga ndëryrja arbitrare e shtetit.
Neni 43 i kushtetutës së re garanton lirinë e besimit dhe ushtrimin riteve fetare, si dhe të drejtën për të formuar vende të adhurimit për cilën do relegjion qoftë, ndërsa të gjithë qytetarëve me nenin 44 u ndalohet që të ofendojnë profetët.
Nëse në disa vende të Europës ofendohen profetët nën petkun e lirisë së shprehjes, në Egjipt ashtu siç edhe vërejtëm një gjë e tillë ndalohet me kushtetutë, dhe atë me të vetmin qëllim për t’iu ikur konflikteve të mundshme ndërfetare, konsideroj që një vendim i tillë është shumë i drejtë.
Dekada me rradhë në shumë shtete të lindjes së mesme përfshirë këtu edhe Egjptin presidenti i shtetit kishte një mandat të pakufizuar gjë që vendoste në pikpyetje legjitimitetin e tij. Një praktikë e tillë vite të tëra dominoi edhe në skenën politike të Egjiptit, kushtetuta e re egjitpiane (neni 132) në mënyrë të qartë thekson se mandati i presidentit egjiptian është katër vjet me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.
Mund të konkludojmë se protestat e partive opozitare janë të pabaza dhe të pakuptimta, aq më shumë kur kushtetuta e re Egjiptit është një kushtetutë e cila mbështet demokracinë koncesuale, garanton liritë dhe të drejtat e minoriteteve, lirinë e shprehjes, lirinë e besimit, etj. Realisht këto ishin edhe kërkesat e popullit egjiptian i cili dy vite më parë u ngrit në revolucion.
Andaj shpresojmëse ky shtet së shpejti do të stabilizohet dhe do të rimëkembet në mënyrë që populli egjptian ti korr frytet e revolucionit. Përfundimisht Egjipti –shtet- me një kulturë e civilizim të lashtë të rradhitet në anën e shteteve të lira dhe demokratike, vërtet populli egjptian e meriton një gjë të tillë.
Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit www.fri.org.mk
Categories