Categories
Opinione

Kushtrimi famëkeq për lëshimin e vatrave stërgjyshore

Po ta shikosh me sy joservil Kosovën, do të vëresh se thuajse asgjë nuk është vendosur në harmoni me vullnetin e popullit. Shumëçka për të mos thënë gjithçka është vendosur me imponim. Nuk është kjo Kosova për të cilën luftuan dhe ranë dëshmor trimat shqiptarë. Sigurisht se nuk është as Kosova e ish Jugosllavisë dhe e Serbisë. Është më mirë, pa dyshim, porse jo ajo për të cilën u tërhoq këmbëza e pushkës dhe fitili i mendjes. Në pamundësi për ta bërë ashtu siç duhej bërë, popullit i mbeti t’i përshtatej në mënyrë demokratike këtij imponimi, edhe pse nuk mund të kemi demokraci aty ku kemi imponime.
Njëra prej shumë elementeve që populli pa u pyetur drejtpërdrejt qe edhe vendosja e shekullarizmit që në rend të parë i bën padrejtësi shqiptarëve musliman, sepse siç dihet ky koncept lindi si rrjedhojë e kundërthënieve të kishës që digjte dijetarët në turrën e druve, apo çdo mospajtim me qëndrimet e kishës shoqërohej me herezi. Me pak fjalë, shekullarizmi është gjëja më e panatyrshme që mund të lind ndonjëherë. Në hyrje të dyerve të shtetit duhet ta largosh shpirtin dhe trupin që qe udhëhequr prej shpirtit të dëlirë. Kjo i bie se aty duhet punuar pa shpirt, duhet mohuar fjalën e Atij që më të mirën e ka menduar për krijesat e tij. Duhet ruajtur vetëm prej ligjit që mund të jetë me një mal kundërthënie dhe aty ku nuk të kap rrezja e këtij ligji, vjedh e përdhuno sa të duash, sepse pos ligjit njerëzor që shpeshherë mund të mos sheh, nuk ka ligj tjetër që mund të të dënojë. Për fat të mirë, nuk praktikohet prej të gjithëve ky koncept, sepse ende kemi shumë syresh që për veprime të ndryshme këshillohen me ndërgjegjen e tyre, njëherësh duke i marr parasysh vlerat morale që nuk i urdhëron ky koncept. Me këtë nuk dua të them se çdo ligj i sotëm është i keq. Jo, jo, sepse shumë kemi ligje që janë në harmoni me shpirtin dhe trupin e njeriut.
Sidoqoftë, realiteti është i tillë çfarë është, porse unë kam të drejtë të mos pajtohem kurrë me këtë realitet, kuptohet për aq sa është i tillë, përndryshe do të dëshiroja të pajtohesha. Unë pafundësisht nuk do të pajtohem me konceptin e shekullarizmit, sepse asgjë nuk ka të bëj me mua, por unë duhet ta pranoj si ekzistues në trojet tona e gjetke, edhe pse diku është më i butë e diku më i ashpër. Imponimi e ka bërë të veten, ndaj nuk kam çfarë të bëj, porse ta pranoj si gjë të duhur dhe të mirë assesi, kurrën e kurrës. Kësodore, ajo që më shtyri t’i vargoj këto fjali është deklarata e Don Shan Zefit i cili me aq guxim iu drejtua atyre që nuk i pëlqen koncepti i shekullarizmit në Kosovë, duke i thënë se le të shkojnë ku të dëshirojnë, le ta braktisin pra Kosovën (edhe ashtu tashmë të stërbraktisur). Kjo deklaratë më duket e ngjashme me deklatatat dhe thirrjet e dikurshme të sllavëve, në të cilat thuhet se po nuk ju pëlqeu Serbia a Maqedonia me këtë rregullim juridik që ka, atëherë ju mund të shkoni në Shqipëri e gjetiu. Jo ore ju që keni këso mendimesh kaq të mbrapshta, përkundër se shumëça nuk më pëlqen në vendin tim, unë sërish do të rri në këtë vend, do të përballem burrërisht dhe intelektualisht me atë që mendoj se është e keqe për mua dhe për shoqërinë, kurse asnjëherë nuk do ta braktisi vendin tim, aq më tepër kur kujtoj se ju dëshironi të mbeteni pastaj shumicë dhe të bëni çfarë t’ju kujtohet me të mbeturit në vendlindje.

Exit mobile version