Mançester Junajtid ka konfirmuar se Sër Aleks Ferguson do të japë dorëheqjen si trajner i skuadrës në fund të sezonit, pas 26 vitesh në krye të “Djajve të Kuq”.
71-vjeçari është tekniku më i suksesshëm në historinë e futbollit anglez, duke fituar 38 trofe, përfshirë 13 tituj në Premier Ligë, 2 Liga Kampionësh, 5 FA Cup dhe 4 Kupa Lige.
Ferguson do t’u thotë lamtumirë tifozëve të Junajtid në “Old Trafford” në fund të ndeshjes kundër Suonsit ditën e diel.
Fergi, i cili e mori drejtimin e skuadrës në vitin 1986, do të vazhdojë të jetë pjesë e Mançesterit, por në bordin e ambasadorëve dhe drejtorëve të klubit.
“Vendimi im për të dalë në pension ka ardhur pasi kam menduar të bëhem pjesë e një marrëveshjeje të madhe dhe një vendim i tillë nuk ka qenë aspak i lehtë. Kjo është koha e duhur”, ka deklaruar Ferguson në faqen zyrtare të klubit.
Trajneri i Evertonit, David Mojes, ka qenë në listën e të preferuarve për stolin e “Djajve të Kuq”, por ai që po përflitet më së shumti nga mediat britanike si pasardhësi më dinjitoz është tekniku i Real Madridit, Hose Mourinjo.
Lajmi për daljen në pension të Fergusonit erdhi pas spekulimeve intensive që qarkulluan pas një ndeshjeje golfi mes lojtarëve të skuadrës dhe trajnerit.
Mësohet se një ndër arsyet vendimtare për largimi e tij është shëndeti. Në vitin 2004 tekniku skocez u pajis me një stimulues kardiak pas problemeve me zemrën, të cilat vazhdojnë ta shqetësojnë edhe sot. Javën e shkuar klubi informoi se në gusht Sër Aleksi do t’i nënshtrohet një operacioni në ijë.
Lamtumirë mes lotësh, çasti kur Sër Aleksi njoftoi tërheqjen
Sër Aleks Fergusoni shpërtheu në lot në çastin kur i bëri të ditur stafit të Mançester Junajtidit vendimin e tij për t’u tërhequr nga drejtimi i ekipit në fund të sezonit.
Skocezi do t’i japë fund mbretërimit të tij 26-vjeçar në “Old Traford”, duke lënë një pasuri prej 38 trofesh të fituar.
Mësohet se 71-vjeçari mbërriti në qendrën stërvitore të klubit në Kerrington në orën 06:50 dhe bëri disa telefonata ndërkohë që spekulimet rreth tërheqjes së tij sa vinin e shtoheshin.
Sapo e tërë skuadra erdhi për stërvitje, Fergusoni mbajti një takim prej tetë minutash me lojtarët dhe stafin, ku e bëri të ditur edhe vendimin e tij.
Dëshmitarët thanë se futbollistët ishin “të heshtur e të tronditur” pas takimit, ndërsa shumë prej tyre ishin tepër të emocionuar. Fergi ishte i fundit që la dhomën dhe u pa t’i vinte dorën në sup zëvendësit Majk Felan në shenjë mbështetjeje.
Më 09:20, rreth të njëjtës orë kur Junajtidi e bëri zyrtar lajmin në ueb-faqen e vet, Fergusoni mblodhi krejt stafin në sallën e ngrënies. Atmosfera ishte e trishtuar dhe e zymtë.
“Goal.com” raporton se gjatë fjalës që zgjati rreth 8-10 minuta, lotët e mbytën Sër Aleksin teksa i falënderonte të gjithë për mundin gjatë viteve, ndërsa theksoi mbështetjen e madhe brenda “familjes Junajtid”. Ai u emocionua veçanërisht kur bëri me dije se disa prej të pranishmëve, sidomos nga stafi teknik, mund të humbasin punën pas largimit të tij.
Pasi mbaroi fjalën, Fergusoni u duartrokit teksa dilte nga salla i emocionuar për fundin e karrierës së jashtëzakonshme që kur mori drejtimin e “Djajve të Kuq” nga paraardhësi Ron Atkinson në nëntor 1986.
Lajmi për pensionimin e Sir Alex Ferguson nga Manchester United, ka sjellur shumë emocione në skuadrën angleze. Ferguson i kishte mbledhur të gjithë lojtarët dhe stafin e tij në orën 6 e 50 të mëngjesit për tu konfirmuar tërheqjen e tij. Sipas një gazetari anglez që ishte i pranishëm në këtë moment, lojtarët dhe vetë Fergusoni nuk kanë arritur ti mbajnë lotët.
“Ishte trishtuese të shikosh këtë moment prekës. Fergusoni sapo filloj të flas, atij i humbi zëri dhe i shkuan lotët. Me zë të lehtë por në vaj, Ferguson i’u tha lojtarëve se me ta i kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje me ta sepse do të pensionohet. Pas këtij lajmi të gjithë mbetën të shokuar e të trishtuar. Kishte nga ata që edhe në zë dëgjoheshin duke qajtur. Për 10 minuta më radhë të gjithë mbetën të shtangur para se Ferguson u thotë se duhet të pajtohen dhe të vazhdojnë më tutje” deklaroj gazetari anglez.
Karriera e pasur me tituj e Sir Alex Ferguson
Dalja në pension e Alex Ferguson është një lajm i keq jo vetëm për Manchester United por edhe për të gjithë botën e futbollit që humbet jo thjesht një trajner por një copë të historisë së lojës së topkëmbës. 71-vjeçari me 13 tituj kampion mbi supe ai askush tjetër më parë ka një skedë të pafundme me trofe pasi në 26 vjet karrierë si trajner i djajve të kuq ai i ka detyruar drejtuesit e shoqërisë të shtojnë raftet e muzeut për të përballuar edhe numrin e madh të kupave që i rikthyen lavdinë e dikurshme. 49 janë titujt e fituar në karrierën e nisur nga Aberdeni, skuadër me të cilën arriti të thyente hegjemoninë e Glasgow Rangers dhe Celtic me fitoren e tre titujve, ndërsa arriti një sukses të pabesueshëm edhe në Europë duke fituar edhe Kupën e Kupave në sezonin 82/83 ku mundi në finale Realin e Madridit.
Në vitin 1986, Ferguson mori drejtimin e Manchester United, ku fitoi titullin e parë kampion në vitin 1993, ndërsa suksesi më i madh në karrierën e tij si trajner erdhi në sezonin 98/99 ku arriti të shënjestronte tre trofe, Kupën, Kampionatin dhe Champions League. Por rruga e suksesit në Europë nuk ishte mbyllur sepse Manchester United u ngjit sërish në katedrën e futbollit të vjetër në sezonin 2007-2008. Për të vijuar më tej me palmaresin e pasur të teknikut skocez, nuk mund të lihen pa përmendur edhe 5 sukseset në Kupën e Anglisë, 4 në Kupën e Ligës, 1 në botërorin e klubeve, suksesin në Superkupën e Europës, atë në Kupën Interkontinentale dhe 10 titujt e fituar në “Community Shield”. Lavdia e ikonës së Ferguson kalon çdo limit të menduar sepse as emra të tillë si Sir Matt Busby apo edhe Guy Roux nuk kanë arritur ta drejtojnë për kaq shumë vjet dhe me një rendiment të tillë një skuadër.
Gjithsesi, rruga e 71-vjeçari nuk ka qenë e shtruar as në vitet e para si trajner i Manchester United, ku tifozët të lodhur nga mungesa e gjatë e titujve kërkuan shkarkimin e tij vetëm pak vjet pas emërimit. Gjithsesi, epitafi që i tregoi rrugën e sukseseve ishte fitorja e papritur në finalen e Kupës së Ligës kundër Nottingham Forest në vitin 1990, e cila i hapi përpara një karrierë të re e cila do të mbyllej pas çerek shekulli me tituj të shumtë mbi shpatulla si ai i vitit 1999 kur mbretëresha Elisabetta e II-të e nderoi me titullin më të lartë të mbretërisë, “Sir” por edhe titullin e Komandantit të Urdhrit të Perandorisë Britanike. Të shumta janë rreshtat që mund të mbushin faqet e mediave me arritjet e skocezit mitik që më shumë se kushdo e meriton ndoshta nofkën e trajnerit më të mirë të historisë së futbollit, e cila nisi të rishkruhej pikërisht me shfaqjen e tij në arenën e të mëdhenjve, duke rikthyer në vendin që i takonte një ekip i cili rrezikonte të mbytej nga pluhuri i historisë.
UEFA, Michel Platini “ngre në qiell” arritjet e Sir Alex Ferguson
Bota e futbolli bashkohet në Manchester, aty ku flamuri i futbollit modern u ul në gjysmështizë për t’i dhënë lamtumirën sportive trajnerit Alex Ferguson. Krerët më të lartë drejtues të institucioneve sportive përzgjodhën fjalët më të larta për të nderuar Sir Alex Ferguson, i cili do të largohet përfundimisht nga stoli i Manchester United pas 26 viteve për të lenë një boshllëk që vështirë se do ta plotësojë një tjetër emër. Kështu, kreu i UEFA-s, Michel Platini vlerëson kontributin e madh të dhënë nga skocezi jo vetëm në Britani por në të gjithë botën e futbollit. Sipas Platini, kurrikulumi i Ferguson është unik dhe i bazuar në sukseset e ndërtuara me vizion. E vështirë erdhi lamtumira e Ferguson edhe për veshët e presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, sipas të cilit, arritjet e 71-vjeçarit e bëjnë atë padyshim një nga më të mëdhenjtë e futbollit.
Paul Ince e shikon largimin e ish trajnerit të tij si një tragjedi për futbollin, sepse sipas ish mesfushorit, një njeri Ferguson nuk do të ulet më në stolin e ndonjë skuadre. Ai shton se kaloi 6 vite fantastike në “Old Trafford”, ndërsa për një nga djemtë e artë të futbollit britanik, Michael Owen, rekordet e skocezit nuk do të eklipsohen kurrë. Nuk ka si të mungojë në këto momente reflektimi as Cristiano Ronaldo, një nga futbollistët që i besoi verbërisht trajnerit britanik, i cili ia shpërbleu duke e bërë një nga lojtarët më të mirë të botës. Numri 7 i Realit të Madridit mban një qëndrim të shkurtër por plot peshë; Faleminderit për gjithçka, boss! Në fushën e futbollit zbret edhe politika e niveleve më të larta sepse lamtumira e Ferguson jehoi deri në “Doëning Street” ku kryeministri David Cameron e cilësoi trajnerin Ferguson si një njeri të jashtëzakonshëm, por shtoi me humor se shpreson që me lajmin e tërheqjes, Aston Villa e tij ta ketë më të lehtë në arenën kombëtare. Këto janë vetën një pjesë e vogël e ulërimës së trazuar të botës së sportit, e cila bashkohet njëzëri me mendimin se Ferguson do të mbetet unik në profesionin e tij.