“Le të mos të ikë nata e parë e ramazanit, kur Allahu miras shikon robërit e Vet!”
Çdo vit, me t’u afruar ramazani, më kujtohet hadithi vijues: “Umetit tim i janë dhënë pesë gjëra, të cilat asnjë të dërguari të mëparshëm nuk i janë dhënë. E para, natën e parë të ramazanit Allahu shikon robërit e Vet. Ai asnjëherë nuk do t’i dënojë ata që i shikon. E dyta, aroma e gojës së tyre kur bie nata është më e dashur (te Zoti) se aroma e miskut. E treta, engjëjt kërkojnë faljen nga Zoti për ta çdo ditë e çdo natë. E katërta, Allahu e urdhëron Xhenetin duke i thënë: “Ji gati dhe zbukurohu për robërit e Mi; ata sakaq do të lirohen nga dhembjet e jetës së dunjasë dhe do të shpërngulen në Shtëpinë dhe Nderin Tim!” E pesta, natën e fundit të ramazanit Allahu i fal të gjithë njerëzit.” Me këtë rast, një njeri pyeti: “A është kjo nata e Kadrit?” Kurse ai ia ktheu: “Jo, a e nuk e dije se kur punëtorët përfundojnë punën e tyre, atëherë marrin pagën e caktuar?” (Ahmedi dhe el-Bazari)
Përveç shijimit të vlerave të zakonta të netëve të muajit të bekuar, nata e parë e ramazanit është e veçuar me virtyte të posaçme. Sipas hadithit të mësipërm, natën e parë të ramazanit Allahu i Plotfuqishëm do t’i vështrojë robërit e Vet dhe ata që i shikon, asnjëherë nuk do t’i ndëshkojë.
Duke reflektuar mbi dhuratën e madhe hyjnore që mund të ketë një musliman a muslimane, në mendje më lindën disa pyetje:
- Pse nata e parë e ramazanit është veçuar me pozitë aq unike ndaj netëve të tjera?
- Kë do ta vështrojë Allahu atë natë?
- Si mundet që unë – ashtu si edhe vëllezërit e motrat e mia në Islam – të favorizohemi me vështrimin e Allahut atë natë?
Natyrisht se nata e parë e ramazanit është bekuar më këtë favorizim të madh nga Allahu sipas ndonjë urtësie hyjnore të cilën Ai, i Plotfuqishmi, e di. Mund të ishte – ndër shkaqe të tjera – sepse është dera hyrëse e muajit të mëshirës, faljes, bekimeve dhe çlirimit nga zjarri i Xhehenemit.
Fatkeqësisht shumë njerëz e injorojnë dhe nuk përgatiten për vlerat e veçanta të natës së parë të ramazanit. Disa njerëz zihen me punë të përditshmërisë dhe këtë natë a kalojnë fare njëjtë si netët e tjera të vitit. Të tjerë shkojnë për të blerë, argëtohen etj., kështu që u ik mundësia për të qenë në mesin e atyre të cilët Allahu do t’i vështrojë në mënyrë të favorshme atë natë.
Duke qenë se është e bekuar me bekim e dhunti hyjnore aq të madhe, nata e parë e ramazanit meriton t’i kushtohet një program i veçantë dhe vëmendje e duhur. Duhet t’i bëhen parapërgatitjet e duhura dhe duhet të bëhet plan. Kjo është një natë që ngjet vetëm një herë në vit, andaj nuk duhet të na shkojë huq.
Pejgamberi (alejhi selam) na ka tërhequr vëmendjen rreth kësaj kohe unike e të bekuar. Ai thoshte: “Kur të vijë nata e parë e ramazanit, djajtë dhe xhinët e rebeluar vihen nën zinxhirë dhe dyert e Zjarrit mbyllen – asnjë prej tyre nuk mbetet e hapur. Ndërkaq dyert e Parajsës hapen dhe asnjë prej tyre nuk mbetet e mbyllur. Dhe një thirrës thërret: “O kërkues i së mirës, eja! O kërkues i së keqes, pusho! Dhe Allahu në këtë muaj shumë veta liron nga Zjarri!” Kjo thirrje bëhet çdo natë.” (Tirmidhiu)
Program special
Nëse një musliman a muslimane dëshiron të jetë ndër ata që do t’i vështrojë Allahu, ai ose ajo duhet të punojë për të. Ata duhet t’i vihen në dukje favorizimit, mëshirës, faljes e bekimeve të Allahut. Programi në vijim mund të na ndihmojë të përfitojmë këtë dhuratë hyjnore të natës së parë të ramazanit:
1. Vendose të përmbahesh nga bërja keq dhe sinqerisht pendohu për mëkatet që i ke bërë!
2. Bëje nijetin të agjërosh në tërë muajin ramazan me besim të palëkundur në Allahun dhe me shpresën vetëm te Ai për të marrë shpërblim!
3. Bëje dhikrin e mbrëmjes pakëz para perëndimit të Diellit ditën e fundit të shabanit, më mirë në xhami!
4. Shko bashkërisht me të tjerë në xhami për namazin e akshamit; motrat mund të kryejnë faljen edhe në shtëpi!
5. Qëndro në xhami me qëllimin e itikafit dhe angazhoje veten me dhikër dhe me lexim Kurani deri në namazin e jacisë!
6. Kryej namazin e jacisë dhe teravisë bashkërisht me devotshmëri dhe sinqeritet!
7. Buzëqesh kur të takosh miqtë e tu muslimanë dhe dëshiroju ramazan me gëzim!
8. Para se të shkosh të flesh, bëj ca vepra të mira e të virtytshme, siç është dhënia lëmoshë, lexim Kurani, bërja dhikër, vizitimi i të sëmurëve etj.!
9. Zgjohu për syfyr dhe bëj namaz nate para namazit të sabahut!
10. Shko në xhami për të kryer faljen e namazit të sabahut; motrat mund ta kryejnë në shtëpi!
11. Qëndro në xhami pas kryerjes së faljes së namazit të sabahut për të lexuar Kuran dhe për të bërë dhikër dhe pastaj për të bërë namazin e duhasë pas lindjes së Diellit!
12. Mos harro t’i bësh lutje Allahut për muslimanët e përvuajtur kudo!
13. Përgjatë natës, lute Allahun me zell për të të favorizuar e për të të vështruar me mëshirën e faljen e Tij në atë natë të bekuar!
14. Inkurajoji familjen e miqtë për të shfrytëzuar këtë mundësi të bekimeve të natës së parë të ramazanit!
Zoti na vështroftë e na bekoftë të gjithëve me favorizimet e të mirat e Tij! Zoti na udhëzoftë në atë që është më e mira për ne në këtë botë dhe në botën tjetër! Amin!
Autor: Vael Shihab (Wael Shihab) – studiues i Islamit nga Egjipti
Vael Abdelmutaal Shihabi është zëvendëskryeredaktor i Departmentit të Sheriatit të IOL-it. Ai ka diplomuar në universitetin e Ez-herit dhe në po të njëjtin universitet ka magjistruar në shkencat islame, fusha e jurisprudencës islame dhe parimet e saj. Tani është duke punuar në temën e doktoraturës mbi parimet e jurisprudencës islame po kështu në universitetin e Ez-herit.
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 29.07.2011
Burimi