Categories
Lajme FRI

Leo Mesi, jashtë formacionit më të mirë të UEFA-s

Lionel Mesi mbetet jashtë formacionit më të mirë të 2013-ës, përzgjedhur nga votat e tifozëve në ueb-faqen e UEFA-s.
Më shumë se 6.3 milionë vota nga mbi 525 mijë votues u dërguan në faqen e “qeverisë” së futbollit evropian (Uefa.com), ku tifozët përzgjodhën mes 40 kandidatëve 11-shin më të mirë të vitit që lamë pas.
Ajo që bie në sy është mungesa e yllit të Barcelonës, Lionel Mesi. Në sulm, përkrah Kristiano Ronaldos, tifozët preferuan Zllatan Ibrahimoviçin.
Bajerni i Mynihut është ekipi më i përfaqësuar në këtë përzgjedhje, me 4 lojtarë (Nojer, Lahm, Alaba dhe Riberi). Reali i Madridit ka 3 (Ramos, Bejl, Ronaldo), Tiago Silva dhe Ibrahimoviç përfaqësojnë PSG-në, ndërsa formacioni plotësohet nga Mesut Ozil dhe Marko Rojs.
Ky është 11-shi më i mirë i 2013-ës sipas votave të tifozëve në ueb-faqen e UEFA-s:
Portier: Manuel Nojer (Bajern Mynih / Gjermani)
Mbrojtës: Filip Lahm (Bajern Mynih / Gjermani), Serxho Ramos (Real Madrid / Spanjë), Tiago Silva (PSG / Brazil), David Alaba (Bajern Mynih / Austri)
Mesfushorë: Garet Bejl (Real Madrid, Totenhem / Uells), Mesut Ozil (Arsenal, Real Madrid / Gjermani), Marko Rojs (Borusia Dortmund / Gjermani), Frank Riberi (Bajern Mynih / Francë)
Sulmues: Kristiano Ronaldo (Real Madrid / Portugali), Zllatan Ibrahimoviç (PSG / Suedi)

Exit mobile version