Categories
Lajme FRI

Leo Mesi, nën hetim për evazion fiskal akuzohet se ka shmangur pagesën e rreth 4 milionë eurove taksa

Lionel Mesi dhe babai i tij, Horge Horacio, kanë përfunduar në syrin e ciklonit, pasi akuzohen për evazion fiskal të shumave të mëdha. Sipas asaj që është mësuar nga mediat spanjolle, lojtari argjentinas ka shmangur pagesën e rreth 4 milionë eurove taksa, të cilat rridhnin nga rreth 13 milionë euro fitime që vinin prej shitjes së të drejtës së imazhit të tij.
Policia e Krimit Ekonomik të Barcelonës ka hapur sot zyrtarisht këtë çështje, që i përket evazionit fiskal të kryer nga Mesi dhe babai i tij mes viteve 2007-2009. Akuza, e firmosur nga hetuesja Rakel Amado, ka përfunduar në zyrat e tatimeve në qytezën e Gava, në Barcelonë, ku Mesi banon aktualisht.
Sipas akuzës, u simulua transferimi i të drejtës së imazhit në kompani fantazmë që kishin selinë në parajsa fiskale, si Belize e Uruguai, ndërsa këto kompani paguheshin për shërbime të kryera ndaj futbollistit, në bashkëveprim me kompani të tjera që operonin në vende si Britania e Madhe apo Zvicra.
Akuza ka bërë të qartë se iniciativa ka qenë fillimisht e Horge Mesit, babait të lojtarit, i cili që në vitin 2005 ka filluar të krijojë kompani të tilla fantazmë me objektivin kryesor, atë të evazionit fiskal. Në atë periudhë, ai ishte “tutori” ligjor i “Pleshtit” që shpërtheu në arenën ndërkombëtare dhe paguhej si një yll, ndonëse nuk kishte mbushur moshën madhore.
Gjatë viteve 2007-2009, paratë e përfituara nga e drejta e imazhit e Lionel Mesit, qarkullonin nëpërmjet këtyre kompanive fantazmë, në mënyrë që të mos paguheshin taksa ndaj shtetit spanjoll, ndonëse ishte përsëri Lionel Mesi destinacioni i fundit ku ata mbërrinin.
Ylli i Barcelonës dhe babai i tij akuzohen gjithashtu se nuk kanë deklaruar plotësisht të ardhurat dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre nëpërmjet këtyre kompanive, shkelje që cilësohet si mashtrim ndaj shtetit spanjoll.
Shifrat ekzakte të akuzës flasin për evazion fiskal që kap shifrën 1059398,71 euro në vitin 2007, 1572183,38 euro në vitin 2008 dhe 1533092,87 euro në vitin 2009. Në total, shifra e evazionit fiskal tregon për shumën 4164674,96 euro që nuk i janë paguar zyrës së taksave nga futbollisti për të ardhura të siguruara nga e drejta e imazhit të tij.
Reagimi i lojtarit ka qenë i menjëhershëm, pasi ai ka bërë të ditur se nuk ka bërë një shkelje të këtij lloji dhe se shpreson që të sqarojë gjithçka sa më parë.
“Kemi mësuar nga shtypi rreth hapave të ndërmarrë nga prokuroria. Kjo është e pabesueshme, pasi nuk kemi bërë asnjëherë shkelje. Jemi kujdesur gjithmonë për të respektuar detyrimet fiskale sipas këshillave të këshilltarëve fiskalë, të cilët do të kenë detyrën ta zbardhin sa më parë këtë çështje”, ishte reagimi zyrtar i Lionel Mesit.
Sipas ligjeve spanjolle, lojtari dhe babai i tij, rrezikojnë një dënim, me burg nga 2 deri në 6 vite. Në të kundërt, duhet të paguajnë një gjobë që varion nga dyfishi te gjashtëfishi i vlerës për të cilën është bërë evazion fiskal.
Kuptohet që nëse shpallet fajtor, Mesi do të pranojë më mirë të paguajë nga 8 në 24 milionë euro, në vend që të thyejë rekordin botëror si i burgosuri që ka fituar më shumë herë “Topin e Artë” në histori.
Hetimi
Shuma
Sipas hetimeve të zyrës së taksave, Mesi ka shmangur pagesën e 4164674,96 eurove
Horge Horacio
Babai i argjentinasit mendohet se është iniciatori i evazionit fiskal që në vitin 2005
Dënimi
Mesi rrezikon nga 2 deri në 6 vite burg ose gjobë nga dyfishi te gjashtëfishi i shumës së papaguar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version