“Të Allahut jemi dhe tek Ai është kthimi.”

Me pikëllim kemi marrë lajmin për kalimin në botën tjetër të imamit dhe dijetarit të mirënjohur në botën islame Dr. Jusuf El-Kardavi.

Sot, në moshën 96 vjeçare, ndërroi jetë një mendje e ndritur, i cili shkroi rreth 200 libra e artikuj shkencorë. Njeriu që gjithë jetën ia kushtoi rrugës për tek Zoti. Dijetari që me librat e tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kuptimin e Islamit dhe jetës njerëzore.

Dr. Jusuf El-Kardavi qëndroi besnik i së vërtetës pa marr parasysh kushtet apo rrethanat me të cilat u ballafaqua. Ai ishte themelues dhe drejtues një numri të madh të institucioneve në shtete të ndryshme të botës islame, duke dhënë kështu një kontribut të veçantë në avancimin intelektual të myslimanëve. Në të njëjtën kohë ai veçohet si një nga thirrësit më të dalluar bashkëkohorë, duke u bërë model i një myslimani të devotshëm dhe një dijetari të madh.

Pa dyshim që kalimi i dijetarëve në amshim është humbje e madhe për të gjithë ummetin. Lutemi tek Allahu i Madhërishëm ta mëshiron Dr. Jusuf El- Kardavin dhe ta bëjë atë nga banorët e Firdeusit, së bashku me Profetin Muhammed.

Shkup, 26 shtator 2022