Vogëlushi i kishte shpenzuar të gjitha paratë që i kishte dhënë i ati dhe nuk i kishte ngelur asnjë grosh për të blerë topin e futbollit. Ngaqë edhe pak javë do të fillonin pushimet e verës, po shqetësohej dhe nisi të kërkonte burime të reja. Me të lexuar revistën e përmuajshme që vinte në shtëpi ku shkruante se “çdo shërbim e ka një shpërblim me pagesë” u hodh përpjetë nga gëzimi. Sipas kësaj, ndihmat që kishte bërë në familje, duhet të kishin një shpërblim.
Me këtë ide në kokë, vogëlushi veproi menjëherë dhe pasi bëri listën e punëve që kishte kryer, shkroi përbri tyre edhe pagesën: për blerjen e bukës 10 lekë, për derdhjen e plehrave 30 lekë, për vajtjen në pazar me të ëmën 50 lekë, nuk ishin aspak tepër për ndihmesat që kishte bërë.
E firmosi listën që i kalonte 300 lekët dhe e vendosi në çantën e ëmës duke i shndritur sytë nga gëzimi nga ky zbulim i zgjuar që kishte bërë.
Ditën e nesërme, së bashku me lekët nën jastëk, gjeti edhe një letër të vogël. Ishte një listë që i ngjante listës që kishte përgatitur ai vetë dhe që ishte e firmosur nga e ëma. Në të shkruhej:
“Ardhja jote në këtë botë që më kushtoi sa vetë jeta ime, të larët për vite me radhë e pelenave të tua, të ushqyerit dhe rritja jote me njëmijë halle kanë si shpërblim dashurinë tënde për mua dhe puthjen që më jep në faqe. Paratë që fitove t’i shpenzosh me shëndet, zemra ime.”