O popull i palëkundur dhe revolucionar i Egjiptit,
Zoti ka dashur që revolucioni ynë i bekuar, revolucioni i 25 janarit, të ballafaqohet me vështirësi gjatë gjithë rrugëtimit të tij. Por, Zoti ka zgjedhur revolucionarë të vërtetë për këtë revolucion, burra e gra të cilët janë krenaria e Egjiptit dhe botës mbarë.
O revolucionarë të lirë,
Vazhdoni të ecni në rrugën e revolucionit tuaj të pastër dhe paqësor, me qëndrueshmërinë e maleve dhe me fuqinë e vetëtimës.
Revolucioni juaj do të triumfojë shumë shpejtë. Për këtë, unë kam bindje të fuqishme në Zotin. Juve ju mbështet shumica dërrmuese e popullit, të cilët presin që ju t’ua shtroni rrugën e revolucionit, në mënyrë që pastaj ta dëgjoni ushëtimën e tyre të stuhishme, pasi bota e dëgjoi heshtjen e tyre të varrit gjatë fyerjeve absurde të udhëheqësit të grusht-shtetit. Për një farsë të tillë, regjimi i grusht-shtetit kishte nevojë për një popull të pavëmendshëm, por populli i goditi dhe i turpëroi ata me vigjilencën e tij.
Pra, bashkohuni dhe mos u përçani, që të mos ngecni dhe ta humbisni fuqinë tuaj.
Zoti është dëshmitar që unë nuk kam kursyer asnjë përpjekje për t’i rezistuar korrupsionit dhe krimit, herë përmes ligjit dhe herë përmes mjeteve të revolucionit. Ndonjëherë kam pasur të drejtë, e herë të tjera kam gabuar. Por, asnjëherë nuk e kam tradhtuar besimin tuaj dhe kurrë nuk do ta bëj këtë. Vitet e jetës time i kam harxhuar duke iu kundërvënë krimeve të tyre dhe do të vazhdoj ta bëj këtë edhe gjatë asaj që ka mbetur nga jeta ime.
O rini revolucionare e Egjiptit! Ju e keni mahnitur botën me revolucionin tuaj. Ju jeni ‘e sotmja’ dhe ‘e nesërmja’, e tashmja dhe e ardhmja. Në të vërtetë, ju jeni atdheu. Revolucioni varet nga ju dhe unë besoj se ju do ta ngrisni flamurin e tij dhe do ta çoni atë drejt lavdisë që i përket.
Mbrojeni revolucionin dhe jini të durueshëm, o heronj. Për Zotin, ju përfytyroj juve si gjenerata e ardhshme e etërve duke iu treguar fëmijëve tuaj se sa të durueshëm keni qenë dhe sa shumë keni rezistuar që revolucioni juaj të ketë sukses.
Popujt e lirë të botës nuk e kanë njohur këtë regjim kriminel të grusht-shtetit, sepse Egjiptasit e kanë vazhduar revolucionin e tyre, ndërkohë që janë mbështetur në çasjen e tij paqësore si karakteristikë e veçantë. Asnjë person i lirë në gjithë botën nuk do t’i pranojë gënjeshtrat që dalin nga ky grusht-shtet gënjeshtar.
Dhe në fund, dua t’i them popullit tim madhështor: kujdesuni për revolucionin dhe qëllimet e tij më të larta. As gjaku i dëshmorëve, as klithmat e të plagosurve, as sakrificat e të arrestuarve nuk do të jenë të kota, përderisa për këtë revolucion kujdesen burra që brengosen për të, që e ngrisin flamurin e tij, që besojnë në parimet e tij dhe mblidhen përreth tij derisa të përmbushen të gjitha synimet e tij.
E di se rruga është e vështirë. Megjithatë, unë besoj fuqishëm në mirësinë e shpirtrave tuaj dhe në drejtësinë e kauzës tuaj. Gjithashtu, unë jam plotësisht i bindur se Zoti i Plotfuqishëm do t’ju bëjë fitimtarë.
Zoti ju ruajtë, për atdheun tuaj dhe për kombin tuaj. Qofshit përherë revolucionarë.
Dr. Muhammed Mursi
President i Republikës Arabe të Egjiptit
Nga anglishtja: Shqipe Palloshi
EDITOR
10 years ago
previous article
Polici i qarkullimit që pushtoi twitter-in
next article
Muhamed Ahmed Er-Rashid
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago