Gjatë ditës së enjte, LG ka deklaruar se ka zhvilluar ekranin më të hollë Full HD LCD për smartfonë. Ai është vetëm 2.2 mm i hollë.
Kompania u shpreh se paneli i saj i ri 5.2-inç ka rezolucion 1,080 x 1,920 pixels dhe ka ngjyra më të mprehta se ekranet e tjera Full HD që gjenden në treg.
LG nuk zbuloi asnjë detaj se kur mund të hidhet në treg ekrani, megjithatë prezantoi për publikun disa foto të ekranit në punë, duke shtuar se rezultatet ishin verifikuar në mënyrë të pavarur nga firma testuese Intertek. Sipas LG, pjesa e xhamit që mbulon ekranin e bën atë vetëm një milimentër më të trashë, pra 2.3 mm.
Kompania ka përdorur një teknologji të re të quajtur “Advanced One-Glass-Solution.” Përmes saj, është e mundur që shtesa me prekje e ekranit të vendoset direkt poshtë xhamit mbështjellës, duke i kombinuar të dyja. Kjo mënjanon nevojën për një shtesë të veçantë të prekjes, duke bërë që edhe ndriçimi të jetë më i madh. Për më tepër, është më i thjeshtë për t’u prodhuar dhe redukton kostot.
Ekranet, bateritë dhe modulet e kamerave janë ndër pjesët më të trasha në smartfonë. Dizajnet që promovojnë pajisje sa më të holla dhe sa më të lehta në peshë kanë treguar se janë një ndër motivimet më të mëdha të konsumatorëve për t’i blerë ato.
Kjo është arsyeja pse tendenca e prodhuesve konsiston gjithmonë tek investimi në krijimin e pjesëve sa më të holla. Ekrani dhe pjesa me prekje përbëjnë së bashku komponentët më të shtrenjtë në një smartfon, të ndjekur më pas nga kujtesa NAND flash dhe procesori kryesor.
Muajin e kaluar, Huawei kinez u shpreh se do të prezantonte smartfonin më të hollë në botë, Ascend P6, i cili është vetëm 6.18 mm i trashë. Për të bërë një krahasim, iPhone 5 është 7.6 mm, ndërsa Samsung Galaxy S4 7.9 mm. (PCWorld Albanian)