Categories
Lajme FRI Studenti

LIDERËT E RINJ – FORMIM, INSPIRIM DHE FUQIZIM I POTENCIALIT RINOR

 

Në hapësirat e Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, filloi trajnimi “Liderët e Rinj”, i cili mbledh studentë me synimin për të zgjeruar horizontet e dijes dhe për të përgatitur një gjeneratë të re me vizion dhe përgjegjësi shoqërore.

Aktiviteti u hap me recitimin e ajeteve kuranore nga hfz. Uvejs Murtezi. Më pas, fjalën e mori përgjegjësi i projektit, Medin Bajrami, duke theksuar nevojën e zhvillimit të aftësive të studentëve. Në vazhdim, pjesëmarrësit i përshëndeti kryetari i FRI, z. Abdulhamit Mustafa, i cili vuri në pah rëndësinë e angazhimit rinor dhe të formimit të liderëve që udhëhiqen nga parime, vlera dhe synime të qarta.

Pas fjalëve hyrëse, programi vijoi me temat e parapara:

“Arti i komunikimit efektiv” – Leonard Kaja

Gjatë kësaj pjese u theksua rëndësia e komunikimit të qartë, dëgjimit aktiv dhe përcjelljes së ideve në mënyrë efektive, si elemente thelbësore për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha dhe bashkëpunimit të suksesshëm.

“Lidershipi Profetik” – Mr. Fevzi Musliu

Përmes kësaj teme, studentët u njohën me parimet e udhëheqjes profetike dhe rëndësinë e zbatimit të tyre në jetën e përditshme. U trajtuan vlerat e drejtësisë, modestisë, besueshmërisë dhe përgjegjësisë, duke marrë si pikëmbështetje modelin e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Theks i veçantë iu kushtua faktit se lidershipi i vërtetë ndërtohet përmes karakterit, sjelljes dhe shembullit personal.

“Psikologjia e Motivimit” – Kujtesa Xheladini

Gjatë kësaj pjese u diskutua mbi rolin e motivimit në zhvillimin personal dhe arritjen e objektivave. U theksua rëndësia e njohjes së vetvetes, përcaktimit të qëllimeve dhe ruajtjes së përkushtimit edhe përballë sfidave. Përmes kësaj teme, pjesëmarrësit reflektuan mbi faktorët që ndikojnë në vendimmarrje dhe mbi rëndësinë e shndërrimit të motivimit në veprime konkrete.

Trajnimi “Liderët e Rinj” synon të jetë më shumë se një hapësirë për përvetësimin e njohurive, duke u ofruar studentëve mundësi për zhvillim, shkëmbim përvojash dhe forcim të aftësive që do t’u shërbejnë në rrugëtimin e tyre akademik, profesional dhe shoqëror.

Shkup, 31 tetor 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version