Këshilli Drejtues (KD) i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) në seancën e fundit të saj i ka pranuar propozimin për ndryshimin e sistemit të garave në Ligën e Parë, të Dytë dhe atë të Tretë.
Këto propozime do të paraqiten në kuvendin e përgjithshëm që do të mbahet në qershor dhe nëse pranohet, sistemi i ri do të aplikohet në sezonin 2014/2015 me një periudhë kalimtare në sezonin 2013/2014.
Sipas sistemit të propozuar Liga e Parë e Maqedonisë do të numërojë 10 ekipe që do të luajnë me sistem e tre xhirove me 27 javë, që do të jetë sipas shembullit që po aplikojnë Zvicra dhe Austria, kur do të formojnë dhe mimi-pley-off dhe play-out ligë. Në play-off me pikë të bartura nga pjesa e parë e kampionatit për titullin kampion do të luftojnë 6 ekipet e para, ndërsa 4 të tjerat do të luftojnë për ekzistencë.
Gjithashtu edhe në Ligën e Dytë do të zvogëlohet numri i ekipeve, nga 16-të do të garojnë vetëm 10-të. Edhe këtu do të luhet me 3 xhiro dhe 27 javë, ku dy ekipet e para do të kualifikohen direkt në elitën e futbollit, derisa ekipi i tretë do të luajë ndeshje balotazhi me ekipin e 8-të të Ligës së Parë.
Kjo do të thotë se në sezonin 2013/2014, 4 ekipe nga Liga e Parë do të largohen në rang më të ulët të garave, ndërsa nga Liga e Dytë 8-9 ekipe do të kalojnë në rang më të ulët të garave.
Do të ndryshoje sistemi i garave edhe në Ligën e Tretë. Këtu do të luhet me sistemin e dy xhirove me 12 ekipe dhe 22 javë. Ekipet e plasuara në pozitat e para nga pesë rajonet do të luajnë balotazh për tre pozitat që dërgojnë në Ligën e Dytë së bashku me ekipin e plasuar në pozitën e 8-të të Ligës së Dytë. /Portalb
Categories